Shkup, 26 shtator – Thirrjet ndaj studentëve që të studiojnë në vend pa u dhënë kurrfarë ndihme gjatë atij procesi janë thirrje pa kuptim dhe hipokrite. Ndihma ndaj studentëve mund të jetë në forma të ndryshme, drejtpërdrejt përmes bursave dhe indirekt duke u dhënë mundësi punësimi gjatë studimit. Deri në këtë kohë bursa u janë dhënë vetëm studentëve deri diplomik dhe atyre pas diplomik që studiojnë jashtë vendit. Që në fakt ishte ndihmë e pakuptimitë pasi studentët që vazhdonin ciklin e dytë e të tretë në vend nuk ndihmoheshin fare nga Ministria e Arsimit. E kjo qasje tashmë ndryshoi, Ministria e Arsimit publikoi thirrjen për aplikim për shfrytëzim të bursave edhe për studentët e ciklit të dytë dhe atyre të tretë, shkruan Zhurnal.
Ndihmohen edhe studentët e ciklit të dytë dhe të tretë që studiojnë në vend –
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka shpallur konkurset për bursa për studime të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë në vend për vitin akademik 2024-2025. Shuma mujore e bursës për studime pasuniversitare është 9.000 denarë për nëntë muaj të vitit. Për studimet e doktoratës do të paguhet 18.000 denarë në muaj, gjatë gjithë vitit. Afati i fundit për aplikim është 1 nëntori i këtij viti.
Gjithsej 50 bursa për studime pasuniversitare dhe 20 bursa për studime doktorature do të ndahen për qytetarët e Maqedonisë të cilët do të regjistrohen në një nga institucionet e arsimit të lartë vendor në programe nga disa fusha shkencore. Këto janë shkencat humane dhe shoqërore, kurse nga shkencat natyrore-matematikore – biologjia, fizika, gjeofizika, gjeologjia dhe mineralogjia, kimia, biokimia, matematika dhe informatika. Nga shkencat inxhinierike dhe teknologjike – inxhinieri elektrike, inxhinieri elektro-mekanike, elektronika, energjetika, gjeodezia, ndërtimi dhe menaxhimi i ujit, inxhinieria kimike, teknologjia kimike, teknologjia kompjuterike dhe informatika, inxhinieria mekanike, materialet, metalurgjia, gjeologjia e aplikuar dhe gjeofizika, miniera, trafiku dhe transporti, teknologjia ushqimore, teknologjia e tekstilit dhe inxhinieria e telekomunikacionit, inxhinieria mjedisore, inxhinieria mjedisore dhe inxhinieria dhe menaxhimi industrial.
Duke filluar nga ky vit, për bursat për studime postdiplimike do të mund të aplikojnë edhe studentë që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në kohëzgjatje prej tre vitesh, pra 180 ECTS.
“Udhëheqësia e re e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka pranuar kërkesën e organizatave studentore për heqjen e këtij kufizimi nga vitet e kaluara”, thuhet në komunikatë.
MASH-i u bën thirrje kandidatëve të interesuar që të aplikojnë nëse plotësojnë kushtet. Dokumentet e nevojshme mund të dorëzohen në adresën ose zyrën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, rr. “Shën. Cirili dhe Metodi” nr. 54, 1000 Shkup (me shenjën bursa për studime akademike të ciklit të dytë në vend) ose në mënyrë elektronike në: https://e-uslugi.mon.gov.mk.
Tani jemi në kohën e rezistencës studentore, studentët nuk durojnë dhe dinë të protestojnë –
Mungesa e një unifikimi studentor pati ndikuar që studentët me vite të kaplohen nga një pasivitet i thellë. Maqedonia e Veriut ka student e zë studentor, vetëm se për një kohë të caktuar edhe për shkak të zhvillimeve dramatike me të cilat është përballur vendi, studentët nuk mund të gjenin dot rendin e tyre për tu ngritur në këmbë dhe për të dëshmuar se studentët kanë zë. Mbase, pas një kohe të gjatë lëvizje të tilla në këtë drejtim po vërehen.
Kujtojmë që, studentët fund vitin që lamë pas kanë protestuar përballë Kuvendit, me kërkesa shumë të qarta e të nevojshme. Studentët kërkuan tërheqjen e propozim-amandamenteve të Ligjit për ushqime të subvencionuara të studentëve, sipas të cilëve bëhet ndarje e studentëve të cilët mund ta shfrytëzojnë subvencionin, dhe rritje e vaktit nga 120 në 150 denarë. Këto ishin kërkesat kryesore por nuk ishin të vetmet.
Ndërkaq, tani studentët kanë paralajmëruar edhe protesta më masive dhe në forma tjera, jo sikurse ajo e herës së fundit që ishte marsh protestues, tani ato paralajmërojnë protesta dhe bllokada nëpër Shkup, gjë që nuk zhbën rezistencën e tyre. Vetëm sa rrit edhe më shumë madje ndryshojnë edhe mjetet dhe format e shprehjes së rezistencës.
Të jesh student në Maqedoninë e Veriut është sfidë e dyfishtë, në të njëjtën kohë përballesh me probleme të shumta arsimore për sa i përket sistemit arsimor dhe cilësisë në arsim, ndërkaq në anën tjetër përballesh edhe me probleme të ndryshme për sa i përket mbulimit të shpenzimeve që kanë kosto të lartë. Për fat të keq në këtë vend studentët nuk e kanë fatin e mundësinë që edhe të studiojnë edhe të punojnë, prandaj një pjesë e tyre pushimin veror e shfrytëzojnë për të punuar jashtë shtetit.
Por, problemet e tilla veçse trashen dhe shtohen asesi nuk mënjanohen përderisa studentët qëndrojnë duarlidhur duke qenë subjektet kryesore, prandaj zëri studentor duhet të dëgjohet, duhet të dëshmohet se studentët kanë organizim fuqi dhe potencial të ngrihen në këmbë të kërkojnë e marrin atë që e meritojnë, madje studentët po deshën mund të rrënojnë edhe pushtete. /Zhurnal.mk