Vetëm 17 për qind e dibranëve paguajnë faturat e ujit

Shkup, 8 korrik  – Ndërmarrja publike komunale “Standardi” në Dibër dje filloi aksionin për zbulimin të lidhjeve ilegale në rrjetin për furnizim me ujë në qytetin e Dibrës. Qysh në ditën e parë të këtij aksioni janë zbuluar lidhjet ilegale në disa vendbanime të qytetit. Drejtori i ndërmarrjes komunale, Burim Kaba, tha se në orët e para në ditën e parë të aksionit për zbulimin e lidhjeve të egra janë zbuluar shtatë raste në vendbanimin “Konjarë”.

 

“Janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet ligjore ndaj familjeve të cilët kanë patur lidhje ilegale, respektivisht kyçje në rrjetin e ujit pa leje të ndërmarrjes komunale, e cila menaxhon me ujësjellësin Rosok-Dibër”, tregon Kaba dhe shton se sipas informatave jozyrtare, në këtë vendbanim por edhe në disa pjesë të tjera të Dibrës – në të kaluarën janë kryer shumë lidhje ilegale dhe përmendet një numër prej afër 2000 lidhjesh të egra.

Drejtori shton se pikërisht një situatë e këtillë ka shkaktuar probleme të shumta në furnizimin me ujë të pijshëm të Dibrës. Bashkëbiseduesi ynë, në lidhje me aktivitetet që do të vijojnë për tejkalimin e problemit, thotë se do të kontrollohet çdo familje dhe më në fund – do të ndërmerren aktivitete ligjore.

“Lidhjet e egra në rrjetin për furnizim me ujë faktikisht dëmtojnë ndërmarrjen në aspektin financiar meqë uji nuk evidentohet si i harxhuar dhe njëkohësisht uji që manipulohet drejtpërdrejt ndikon në problemin me furnizimin me ujë. Prandaj Dibra ka edhe restrikcionin katër orë të ujit për pije”, thotë drejtori Kaba. Atje ku do të kemi probleme, vijon më tej ai, do të asistojë edhe policia, por edhe institucionet e tjera. Kjo situatë e vendos Dibrën si qytet, krahasuar me numrin e banorëve, në vendin e parë në shtet për humbjen e ujit në rrjetin e ujësjellësit, shprehet Kaba.

Përveç lidhjeve të egra, një problem shumë i madh është edhe pagesa e vogël e amvisërive, por edhe e biznesit, për faturat e ujit. “Dibranët, të cilët përdorin ujin më të pastër dhe më kualitativ në Maqedoni – nga ujësjellësi Rosok-Dibër, vetëm 17 për qind i paguajnë faturat për ujë dhe mirëmbajtje të higjienës, gjë që nuk korrespondon me shërbimet që bën ndërmarrja komunale në Dibër”, tregon drejtori i ndërmarrjes “Standardi”. Kjo situatë, sipas tij, ka rritur edhe borxhet që ndërmarrja ka në drejtim të pagesës së kontributeve për shëndetësi dhe pensionimin e punëtorëve. Borxhi aktual që kjo ndërmarrje i ka Fondit Shëndetësor dhe Fondit Pensional arrin në mbi 1.5 milion euro.

Në situatë kur ujësjellësi Rosok-Dibër ka një largësi prej 22 kilometrash dhe kanë kaluar plot 33 vite nga ndërtimi i ujësjellësit, është normale që të kërkohet sanimi në tërësi, e sidomos në pusetat që janë nga burimet në fshatin Rosok e deri në rezervuarin e Dibrës. Por, borxhet e mëdha dhe pagesat e pakta të dibranëve, si dhe pa një përkrahje nga institucionet qendrore – problemet po shtohen me mungesën e ujit. Megjithatë, edhe në këtë situatë – punëtorët e ndërmarrjes janë korrekt, pastrojnë Dibrën dhe sa munden mirëmbajnë furnizimin me ujë. (koha.mk)

Related posts

Kacarska: Besoj në përparimin e punës së gjyqësisë, nuk do të lejoj askush të më tregojë si të punoj

D V

Sot 23 viktima dhe 464 raste të reja me coronavirus në Maqedoni

D V

Taseva: Nuk i bënë mirë shtetit fshehja e korrupsionit

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com