Vetëm një marrëveshje armëpushimi në Gaza, midis Izraelit dhe Hamasit, do të pengonte Iranin nga hakmarrja për një sulm të drejtpërdrejtë kundër Izraelit. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve Reuters, e cila citon tre zyrtarë të lartë Iranian.
“Irani, së bashku me aleatët si Hezbollahu, do të fillonin një sulm të drejtpërdrejtë nëse bisedimet në Gaza dështojnë ose nëse ai mendon se Izraeli po zvarrit negociatat. Burimet nuk thanë se sa kohë Irani do të lejonte përparimin e bisedimeve përpara se të përgjigjej”, thonë burime për Reuters.
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha për mediat arabe, se lideri i ri i Hamasit, Yahya Sinwar dëshiron të ndalojë luftën dhe të arrijë një armëpushim në Rripin e Gazës.
Hamasi fajëson Izraelin se po e pengon këtë marrëveshje. “Sinwar mbështet armëpushimin, por duhet që forcat ushtarake të Izraelit të tërhiqen nga Rripi i Gazës. Ai dëshiron kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin e Gazës”, citohet të kenë thënë zyrtarë të lartë të Hamasit për mediat arabe.
SHBA ka bërë të ditur se bisedimet e paqes të planifikuara për të enjten të zhvillohen siç ishte planifikuar dhe se një marrëveshje armëpushimi është ende e mundur. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të niset për diskutime në Katar, Egjipt dhe Izrael.
Ndërkohë, sulmet ajrore izraelite vranë 19 palestinezë në Rripin qendror dhe jugor të Gazës gjatë 24 orëve të fundit, kanë bërë të ditur mjekët në Rripin e Gazës. Një sulm vrau gjashtë persona, duke përfshirë një nënë dhe foshnjat e saj binjake, ndërsa shtatë palestinezë të tjerë u vranë në një sulm në një shtëpi në kampin Al-Bureij.