Kosovë

Vetëvendosje në pritje të Kushtetueses për katër kërkesat e tyre

Zhurnal Ads

Vetëvendosje e ka me bindje se Hoti dhe ministrat e tij nuk ushtrojnë ligjshëm funksionet e tyre qeveritare meqë ata s’i morën votat e mjaftueshme kurrë. Kjo, sepse, sipas VV-së, një nga deputetët që votoi pro nuk do të duhej të ishte aty fare, por në burg. Një tjetër do të duhej të votonte kundër, por kishte presion. E mbi të gjitha, as që do vinte mundësia për ta votuar një formacion të ri qeveritar, po që se nuk do përzihej presidenti. Të gjitha këto shqetësime i kanë dërguar në Kushtetuese. Për asnjë nuk kanë marrë përgjigje.

Edhe pse muaj më parë u dorëzuan katër kërkesa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese lidhur me “anti-kushtetueshmërinë” e formimit të Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, kjo parti politike ende po pret një vendim të Gjykatës.

Kështu thonë për Gazetën Online Insajderi nga zyra për komunikim me media e Vetëvendosjes. Ata vazhdojnë të presin përgjigje, e cila nuk po jepet ende, për asnjë nga kërkesat e Lëvizjes.

Një nga ankesat e dorëzuara nga Vetëvendosje është edhe votimi nga tashmë i dënuari me burg i deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, votë kjo që po kontestohet pasi që pjesëmarrja e Arifit dhe votimi i tij për qeverinë aktuale e bën jolegjitim këtë ekzekutiv, meqë në kohën kur Arifi dha votën “pro”, ai ishte i dënuar.

“Kërkesa ndaj Presidentit Thaçi lidhur me thirrjet e tij për mosbindje civile dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë, kërkesa kundër vendimit të Kuvendit lidhur me pjesëmarrjen dhe votimin nga i dënuari me një vit e tre muaj burg të z. Etem Arifi, kërkesa kundër vendimit të pambështetur në Kushtetutë dhe arbitrar të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës dhe kërkesë kundër veprimeve jashtë kushtetuese dhe kundërkushtetuese të Presidentit në rastin e ndikimit mbi Haxhi Shalën për të votuar Qeverinë”, janë katër çështjet për të cilat Vetëvendosje kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të jetë “më efikase në shqyrtimin dhe nxjerrjen e aktgjykimeve”.

“Është bërë kohë mjaft e gjatë nga kur janë dorëzuar dhe deri më tani nuk ka ndonjë vendim përfundimtar. Janë ndjekur dhe njoftuar deputetët dhe palët tjera me paraqitjen e kërkesave dhe mundësinë e dhënies së komenteve, por vendimi përfundimtar nuk është marrë”, thuhet tutje në përgjigjen e VV-së drejtuar redaksisë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, i cili përfshihet në këto kërkesa të partisë më të madhe opozitare, sot është dorëzuar në organet e drejtësisë.

Këtë për Insajderi-n e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili tha se Arifi është lajmëruar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Arifi është dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione, derisa javë më parë edhe Gjykata Kushtetuese ia vlerësoi të pabazuar një ankesë të tij për këtë çështje.

Ky deputet për disa muaj ka qenë në arrati.

Nga Vetëvendosje argumentojnë se Kushtetuta e Kosovës është mjaft e qartë në atë se kur një deputet e humbet mandatin e tij. Situata e Etem Arifit thonë se është një nga këto raste të humbjes së ulëses së deputetit.

“Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes ku arsyetonin dërgesën e tyre në Kushtetuese.

Qeveria e Hotit u votua vetëm nga 61 deputetë. Sikur Arifi të ishte duke mbajtur dënimin e tij, hipotetikisht vota e 61-të mbase do mungonte dhe do pamundësonte marrjen e mandatit të ekzekutivit nga Parlamenti. Kjo është logjika mbi të cilën Vetëvendosje argumenton se Hoti, e rrjedhimisht kabineti i tij, paligjshëm janë pozicionuar në ndërtesën e Qeverisë.

Postime të ngjashme

Vetëvendosje: Hotit mund t’i ndihmojë Kosovës, të largohet nga pozita

admin

Osmani takon ambasadorin Rohde për nder të 30 vjetorit të bashkimit të dy Gjermanive

admin

Hoti: KFOR-i dhe Italia dëshmuan se janë në mbështetje të Kosovës

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...