Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

“Vetot kulturore”, një kërcënim i ri për anëtarësimin e Ballkanit në BE

Shkup, 23 shkurt – Politika e Evropës Juglindore ka qenë prej kohësh e kërcënuar nga vetot dhe kërcënimet për vendosjen e tyre. Përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian u pengua nga Greqia për shkak të kontestimeve të emrit të saj gjatë viteve 1991-2019. Në vitin 2009, Sllovenia bllokoi negociatat e Kroacisë me BE-në, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe mbi kufirin detar në Gjirin Piran.Në prillin e vitit 2016, Kroacia bllokoi procesin e Serbisë fqinje,bazuar në shqetësimet e Zagrebit mbi trajtimin e pakicës kroate në Serbi, bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, dhe në lidhje me juridiksionin e gjykatave serbe mbi krimet e luftës të kryera në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, kështu vlerësojnë në analizën e tyre të fundit për EuObserver, Luke Bacigalupo studiues i pavarur, i përqendruar në historinë dhe politikën e Ballkanit dhe George Kyris, politolog në Universitetin e Birminghemit, Angli.

“Shpesh këto veto janë pasqyrë e marrëdhënieve të këqija ndërmjet vendeve të Ballkanit. Gjithsesi, një nga kërcënimet më të fundit me veto, ai i Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, nuk bazohet aspak në konsiderata politike ndërkombëtare, por më tepër në ato kulturore. Një veto e tillë nënvizon faktin se marrëdhëniet fqinjësore, mund të jenë goxha të vështira, nëse kulturës nuk i jepet e njëjta rëndësi si çështjeve të tjera si për shembull irredentizmi territorial, që tradicionalisht shihet si një kërcënim më i drejtpërdrejtë për paqen në rajon. Vetoja aktuale bullgare e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE, fokusohet pjesërisht tek rebelët e shekullit XIX-të që luftuan kundër sundimin osman në zonën e njohur atëherë si Maqedoni, e cila përfshinte Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të Bullgarisë dhe Greqisë moderne”, shkruan në analizë, përcjell Zhurnal.mk

Historianët bullgarë, shkruan më tej në analizë, kanë argumentuar prej kohësh se këta rebelë ishin bullgarë në etni dhe gjuhë, ndërsa për Maqedoninë e Veriut ata janë artikuluesit më të hershëm të identitetit të sotëm maqedonas.

“Vija ndarëse midis identitetit bullgar dhe maqedonas, ishte e paqartë gjatë shekullit XIX-të. Ideja për të dhënë një përgjigje përfundimtare nëse ata ishin bullgarë apo maqedonas, në një kohë kur Bullgaria ishte një shtet shumë i ri, dhe kur Maqedonia nuk kishte qenë kurrë një vend i pavarur, është jashtëzakonisht e vështirë. Gjithsesi, kjo dilemë ka hyrë tashmë në debatet e sotme politike, duke shkaktuar veton e mundshme bullgare kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Polemika të ngjashme shoqërojnë edhe çështjen e gjuhës, ku Bullgaria kundërshton referencat për “gjuhën maqedonase” gjatë negociatave me Bashkimin Evropian. Prandaj, me gjithë marrëdhëniet e përgjithshme të mira midis Sofjes dhe Shkupit, narrativat historike janë bërë një pengesë për çështjen kryesore strategjike të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo ndodh kryesisht edhe për shkak të problemeve të brendshme që ka sot Bullgaria, teksa qeveria aktuale synon të garantojë mbështetjen midis votuesve nacionalistë në mesin e protestave të mëdha anti-korrupsion dhe zgjedhjeve të afërta parlamentare në muajin prill. Përdorimi i vetos nga Bullgaria pasqyron faktin që ndërsa çështjet jetike të kontestimeve territoriale midis 2 vendeve janë zgjidhur, mosmarrëveshjet e thella historike dhe kulturore nuk janë trajtuar kurrë sa dhe si duhet”, theksohet në analizë. (AbcNews/Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Zhurnal mëson / Afaristi i mirënjohur, Argëtim Saliu kandidat për kryetar komune i koalicionit ASH – AAA për Strugë?

Bexhet Musliu

Bilall Kasami dhe gjithë funksionarët e Lëvizjes Besa bëjnë thirrje për Regjistrim të popullatës

T E

“Shtetësia”, janë paraqitur rreth 1 000 persona

T E

Hoxha: Deri më 31 mars do të prolongohet afati për blerjen e edhe 1.500 tonë duhan

Bexhet Musliu

Izraeli lider në botë, Serbia ndër të parat, ja në cilat vende kryesojnë me programet e imunizimit

T E

Arrestohen dy shtetas britanez në aeroportin e Shkupit me test PCR të falsifikuar

T E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...