Agjencia Zhurnal.mk

Virusi korona, shënon rritje numri i të prekurve në rajon

Shkup, 20 mars, zhurnal.mk – Rritje e të prekurve nga virusi Korona në rajon dhe botë. Me 6 raste të reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 70.

“Numri i atyre që janë të konfirmuar, në total, sot ka mbërritur në shifrën 70. Në Tiranë janë 50 qytetarë, në Durrës janë 5, në Lushnjë 2, në Elbasan 2, në Fier 7, në Rrogozhinë 2 dhe në Kavajë poashtu 2 qytetarë”, tha Mira Rakacolli, Zv/ministre e Shëndetësisë.

Autoritetet shqiptare vendosën që shkollat, kopshtet dhe çerdhet të qëndrojnë të mbyllura deri më 3 prill. Ndërkaq mbeten në fuqi rregullat e reja për ndalim të qarkullimit nga ora 10:00 deri në 16.00. Në Kosovë deri tani kanë rezultuar pozitiv 21 persona. Janjeva e Lipjanit nga mbrëmë ka hyrë në karantinë, që kur rezultoi pozitiv 46 vjeçari i kthyer nga Berlini më 11 mars, për shkak se i njëjti nuk ka respektuar masën e vetë-izolimit.

“Për shkak të historisë së udhëtimit ka pasur rekomandimin e doktoreshës që e ka kontrolluar që të vetë-izolohet në një periudhë të caktuar, ashtu siç kanë qenë këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për vetëizolim derisa nuk shfaqen simptoma. Mirëpo, pacienti nuk ka respektuar këto rekomandime dhe ka shëtitur”, pohoi Agim Krasniqi, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Të gjitha shtetet e rajonit tashmë kanë regjistruar raste të reja, ndërsa qeveritë vazhdimisht po vendosin masa të ashpra për të ndaluar përhapjen e infeksionit. Nga sonte të gjitha vendkalimet kufitare rrugore e hekurudhore në Serbi do të mbyllen. Serbia me 103 të infektuar tashmë ka ndërprerë trafikun ajror. Momentalisht, Bullgaria ka 112 të infektuar dhe 3 të vdekur, Greqia 464 të infektuar dhe 6 të vdekur, Bosnjë- Hercegovina 69 të infektuar ndërsa Mali i Zi 13. Në 24 orët e fundit, pos në Itali situata është përkeqësuar në Gjermani, me mbi 2000 raste të reja, në Spanjë me mbi 1 900 raste të reja dhe 171 vdekje si dhe në Iran me mbi 1 200 raste të reja dhe 149 vdekje në 24 orët e fundit. OBSH ndërkohë i bën apel Afrikës të jetë vigjilente ndaj kërcënimit të Koronavirusit, pasi në rast të shpërndarjes së infeksionit, sistemi i shëndetit publik do të mbingarkohej shpejtë. Në nivel global, COVID 19 ka prekur mbi 254 700 persona, prej të cilëve mbi 89 900 janë shëruar, ndërsa 10 447 kanë vdekur.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...