Agjencia Zhurnal.mk
Kosovë

Vit i mbrapshtë, COVID-19 ‘ia mori frymën’ qytetarëve dhe ekonomisë së brishtë të Kosovës

Për shkak të pandemisë COVID-19, Prishtina, Kosova por dhe i gjithë planeti kanë përjetuar një pamje të shkretë.

Në 13 mars të vitit 2020 jeta për kosovarët nisi të ndryshojë.

I pari që u konfirmua me Covid-19 në Kosovë ishte Mëhill Gjergji, i kthyer me bashkëshorten e tij, Dranen, nga Italia, ku ishin në vizitë.

“Po them se mirë e kam ndier vetën. Sadokudo ecja pak më rëndë. Por e bëmë kontrollin në Viti e nga Vitia në Gjilan e prej Gjilanit në Prishtinë. Edhe nuk na bënin shumë merak mjekët, por e pashë që nuk jam kërrkund,” – u shpreh Mëhill Gjergji për Euronews Albania.about:blank

“Erdhëm nga rruga, na kontrolluan në Prishtinë, na panë doktorët, por nuk u pa se është ashtu shumë ligësht edhe pse të lodhur pak nga rruga. Por pas pesë ditësh është ligështuar shumë sepse ne erdhëm në shtëpi, u gëzuam, në shtëpinë tonë, vendin tonë,” – tregoi Drane Gjegji, bashkëshortja e Mëhillit.

Nga ajo ditë, spitalet e Kosovës filluan të mbushen me persona të prekur nga virusi që ngadalë filloi të marrë edhe jetë njerëzish. Pak kishte informacion për të, por kishte mjaft lajme për fillimin e përkeqësimit të situatës.

Qeveria filloi të marrë masa. Vendi hyri në karantinë të plotë. Sheshet ishin të boshatisura e qyteti dukej si fantazmë. U ndaluan edhe lutjet në objektet fetare. Ezani thirrej por pa besimtarë në xhami, e në kisha mbretëronte heshtja.

Njerëzit më shumë mund t’i shihje në oborret e spitaleve duke kryer teste, në çadrat e vendosura për të përballuar numrin e madh të testimeve. Tashmë shpëtimtarët ishin mjekët.

 “Problemi më i madh është se ne iu tregojmë se duhet të kesh udhëzime apo rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sepse duhet hyrë në listë. Kjo sepse ata duhet t’iu shkruajnë në e-maile apo numra telefoni që t’i thërrasin e t’i fusin në lista për termin. E kur janë me termin ne i thërrasim me emra e shkon shumë shpejt. Apo me udhëzime kur vijnë, i lus të gjithë qytetarët, që ata që vijnë me udhëzime të mbajnë radhën. Mund të qëllojë dikush por i kemi parasysh edhe ata dhe i kuptojmë,” – tha infermieri Muhamet Krasniqi.

Tashmë radhët dhe thirrjet e emrave të ndryshëm u bën rutinë për mjekët dhe infermierët. Shenjat e pritjet për qytetarët ngadalë po hynin në kulturën e përditshme të sjelljes, por lodhje nuk duhej të kishte. Ne kurrsesi nuk guxojmë as të lodhemi kur është në pyetje popullata jonë. Kështu që do të vazhdojmë derisa të mundemi. Edhe pse deri më tani jemi pak të lodhur. Do të vazhdojmë derisa të mundemi Muhamet Krasniqi Infermier

Përveç fëmijëve që në raste më të rralla i prekte virusi, të tjerët nuk i falte. Prandaj qëndrimi në karantinë ishte i vështirë, por jo edhe aq për ata që një fat të tillë të rëndë u ka rezervuar jeta.

 “Arsyeja e vetme përse nuk ka shumë të infektuar është sepse personat me aftësi të kufizuara, veçse kanë qenë në karantinë gjithë jetën dhe janë mësuar me karantinë, të izoluar brenda për mungesë të qasjes apo lëvizjes së lirë si të pavarur si qytetarët e tjerë që lëvizin lirshëm në vendin tonë,” – tregoi Afrim Maliqi, një person me nevoja të veçanta.

Megjithatë, jo të gjithë besuan se virusi ekzistonte, duke bërë që mjekët të përsërisin shumë herë apelin e tyre.

 “Coronavirusi ekziston. Duhet patjetër t’i respektojmë të gjitha masat të cilat jepen nga institucionet shëndetësore si bartja e maskave dhe distanca sociale. Ne duhet të mësohemi me këto masa dhe t’i respektojmë këto masa për arsye se Covid-19 është duke vazhduar të ekzistojë dhe ndoshta duhet të adaptohemi e të kemi kujdes,” – tha Lindita Ajazi Berisha, Drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Adaptimi me masa të reja ishte i rëndë. Vendimi i qeverisë që të vendoset maskë gjatë gjithë  kohës bëri që policia për katër muaj nga vendosja e kësaj mase, të vendosë rreth 120 mijë gjoba në vlerë të përgjithshme prej 4.2 milion euro.

Në anën tjetër, ato që po vuanin masat e vendosura kundër pandemisë, ishin edhe bizneset. Gastronomia rezultoi si një nga sektorët ekonomik që pësoi humbjet më të mëdha. Kufizimet për shkak të COVID-19, si ajo e ndalimit të muzikës nga ora 21:00 e më pas edhe masa të tjera shtrënguese, bën që përfaqësuesit e tyre të ankohen dhe kërkojnë ndihmë nga qeveria.

 “Kur i krahasojmë qarkullimet vjetore të vitit 2019 në tremujorësh, atëherë e shohim se në tremujorin e parë kemi minus 9%, në tremujorin e dytë kemi 64 % rënie kur u mbyllëm totalisht, në tremujorin e tretë raportohet 51% humbje dhe duke parë këtë trend të lëvizjes mund të konstatojmë se deri në 58% do të kemi rënie në tremujorin e katërt po të vazhdohet njësoj,” – sqaroi Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

E mungesa e qarkullimit financiar, solli edhe mbetjen pa punë të mijëra personave. Nga 341 mijë të regjistruar si punëtorë aktivë 7.6% apo rreth 27 mijë prej tyre janë punëtorë të gastronomisë. Dëmi dihet tashmë edhe me shifra që është shumë i lartë dhe me çdo vendim jemi konsideruar si një ishull i veçantë se si jemi trajtuar me vendime nga Qeveria e Kosovës. Arian Vranica Shoqata e Gastronomëve të Kosovës

Sidoqoftë, humbjet në ekonomi që solli virusi Corona ishin edhe më të mëdha.

 “Ne kemi, sigurisht mbi 1 miliard euro të qarkullimit në ekonominë tonë krahasuar me vitin e kaluar. Po e shohim se kemi efekte edhe te buxheti i vendit për shkak se dogana nuk ka arritur ta përmbushë planin që e ka pasur apo nëse e krahason me vitin e kaluar, njësoj është edhe tek mbledhja e tatimeve. Gjithashtu kemi edhe shumë vende të punës që veçse kanë filluar të shuhen për shkak se ka rënë kërkesa në përgjithësi,” – tregoi Berat Rukiqi, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Buxheti i Kosovës mbushet kryesisht nga doganat. E ky institucion, për shkak të pandemisë, më shumë se të ardhurat, sivjet numëron mungesën e parave që do të derdhë në arkën e shtetit, rreth 100 milion euro më pak.

 “Mund të themi se nëse vitin e kaluar deri në këtë fazë që flasim kemi pasur deri në 720 milion euro të mbledhura në buxhetin e Kosovës, gjatë këtij viti kemi 630 deri 640 milion. Pra është një ulje e theksuar,” tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës.

Në anën tjetër, pandemia vazhdonte të përhapej. Paralelisht, edhe institucionet vazhdonin me masat.

 “Nga ora 19:00, mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve në këto komuna. Praktikisht është orë policore nga ora 19:00. Edhe e dyta, ndalohen hyrje-daljet nga këto komuna nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit,” – bëri me dije kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ndërkohë një deklaratë u mor dhe nga Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë.

 “Vlerësimi i situatës epidemiologjike bëhet në baza ditore. Vlerësimin javor e kemi edhe me vendim edhe me orientim profesional nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Bordi Këshill dhënës i cili më jep mua këshilla të drejtpërdrejta,” – tha Zemaj.

Betejën me virusin, mes shumë vështirësive, në mënyra të ndryshme, e fituan edhe shumë pacientë.

 “Ende vazhdon trajtimi për këtë sëmundje, por gjithmonë nën përcjelljen e profesionistëve shëndetësorë për shkak të analizave dhe terapisë që vazhdoj ta marr, ndonëse janë bërë më shumë se dy muaj që tashmë e kam kaluar infeksionin,” – tregoi Jehon Zhitia, një e shëruar nga COVID-19.

 “Kam pasur pak probleme. Në ditët e para kam pasur simptomat më të forta, si temperaturë, ethe, kam pasur dhimbje të mëdha të trupit, ishte e çuditshme saqë nuk e di nëse kur të rreh dikush a të dhemb ashtu. Por të gjitha këto kanë zgjatur nga pesë deri në gjashtë ditë. Tani po ndihem shumë më mirë,” – u shpreh Erjona Gjikolli, një tjetër fituese e betejës me COVID-19.

Kostoja e shërimit nga ilaçet e përdorura, ishte gjithashtu e ndryshme. Varej shumë  nga imuniteti i personit.

 “Nuk i kam llogaritur të gjitha por mendoj se kanë kaluar shifren prej 500 euro,” – tregoi Jehona.

 “Jo, terapia ka qenë e lirë për shkak se nuk kam pasur shumë probleme, por besoj se po të kisha më shumë probleme, do të kushtonte shumë më shumë,” – tha Erjona.

Institucionet u munduan të vendosin kontroll duke qenë se numri i personave të prekur me virusin COVID-19, vazhdonte të rritej çdo ditë më afër vjeshtës.

Avdullah Hoti deklaronte vazhdimisht se kishim të bënim më një situatë praktikisht, lufte.

Në gjithë këtë situatë, ndonëse me shumë mangësi, qytetarët ndjenë dorën e kujdesit. Por a ishte e mjaftueshme?

 “Duke pasur parasysh se COVID-19 ka caktuar rregullat e gjithë kësaj situate, ka qenë e pamundur të veprohet ndryshe për faktin se është dashur që shteti të mobilizohet për të mbrojtur fillimisht qytetarët por pastaj edhe stafin mjekësor. Nuk ka mundur të jetë ndryshe për shkak se ka pasur mungesë të materialeve mbrojtëse, siç janë maskat, veshjet për stafin mjekësor, dezinfektuesit, barnat, aparaturat e nevojshme por edhe numri i stafit mjekësor, kryesisht infermiereve, ishte në mungesë dhe vazhdon të jetë mungesë fatkeqësisht, kështu që për t’i ruajtur tërë këto kapacitetet dhe mundësuar furnizimin në kohë emergjente me materiale të nevojshme është dashur patjetër të ketë një mbyllje,” – u shpreh Bujar Vitia, Drejtor i gazetës “Shneta”. Çfarë ka qenë shumë e mirë është se unë çdo dy ditë jam kontaktuar nga dikush qoftë nga policia apo ndonjë zyrtar nga Instituti për të parë nëse po rri në shtëpi dhe a kam ndonjë problem. E kjo më ka bërë të ndihem shumë mirë Erjona Gjikolli Ish-e prekur nga COVID

Sigurisht, se pandemia, përveç karantinës, lajmeve për vdekjet e ato për të shëruarit, solli edhe shumë efekte të tjera. Shkollat e mbyllën më herët dhe u hapën më vonë se zakonisht. Shumë prej tyre kaluan në mësim online. Njerëzit nuk shkonin më në rregull në punë. Prandaj, i gjithë ky ndryshim në normalitetin jetësor, pritet të sjellë pasoja e madje jo vetëm afatshkurtra.

Tani kur Kosova po shënon rreth 1200 të vdekur nga COVID-19, kur shkollat sërish janë mbyllur më herët e do të hapën më vonë në janar, kur bizneset janë në prag të falimentimit, kur ligjvënësit miratuan me vështirësi pakon për rimëkëmbjen ekonomike, vendi sërish po shkon drejt një mbyllje të plotë në fund të vitit, ashtu siç ishte në fillim të tij.

 Mbetet të shihet nëse viti 2021 do të na çlirojë nga makthi i pandemisë.

Postime të ngjashme

Votat e Enver Hoxhajt si kandidat për kryeministër

S.B.

Vazhdon rritja e rasteve me COVID-19, për 24 orë shënohen shtatë vdekje dhe 591 raste të reja

S.B.

NISMA nuk e kaloi pragun, ky është numri i votave që mori Fatmir Limaj

S.B.

Sa u votuan partitë në zgjedhjet e vitit 2019 dhe 2021 – dallimi në vota, përqindje dhe ulëse

S.B.

Kosovë/ Ministri i Shëndetësisë: Ka pasur rritje të rasteve me COVID-19, të respektohen masat

S.B.

Adriana Matoshi siguron ulëse në Kuvend të Kosovës duke lënë pas disa ish-deputetë

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...