Viti shkollor nuk nisi në Zhitoshë të Dollnenit, shkolla rindërtohet që nga janari

nga Xh M

Zhitoshë, 9 shtator – Mbi 200 nxënës të Zhitoshës në Dollnen nuk iu gëzuan fillimit të vitit shkollor. Shkolla e tyre ndonëse ka filluar në rindërtohet nga muaji janar ende nuk është gati. Nxënësit akoma nuk dihet se ku do ta zhvillojnë mësimin, ndërsa punimeve nuk iu shihet fundit. Alsat këtë shkollë e vizitoi edhe gjatë muajit shkurt, në kohën kur paralelisht me punimet ndërtimore zhvillohej edhe procesi mësimor. Sikurse edhe atëherë as tani nuk ka kushte për zhvillimin e mësimit në këtë objekt.

“Mbi 200 nxënë të fshatit Zhitoshë të komunës së Dollnenit akoma nuk kanë nisur vitin e ri shkollor 2024/25. Kjo për faktin se në shkollën ku ata duhet të ndjekin mësimin po vazhdon rikonstruimi i shkollës që ka nisur më 24 janar të këtij viti dhe akoma nuk ka përfunduar pavarësisht afatit që ishte diku nga mesi i muajit qershor. Fëmijët mbeten në shtëpi për një afat të pacaktuar derisa drejtoria e shkollës të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit se si duhet të veprojë më tutje, të vazhdoj mësimin “online” ose fëmijët t’i transferoj në gjimnazin e fshatit”, raporton Melihate Rustemi, gazetare.

Drejtori i shkollës fillore “Liria”, Besnik Jusufovski tha për Alsat se në vazhdimësi ka njoftuar Ministrinë e Arsimit se rrezikohet nisja e mësimit në këtë shkollë për shkak të punimeve ndërtimore. Madje, ai kujton se njoftimeve me shkrim drejtuar dikasterit të Arsimit u janë bashkangjitur edhe video për të dëshmuar gjendjen në shkollë. Sipas Jusufovskit, zgjidhja e përkohshme është transferimi i nxënësve në gjimnazin e fshatit ku mësimi do të zhvillohej në tre turne.

“Më 29 korrik e kemi informuar ministrinë se kontraktori i cili i punon punët nuk mund të arrijë në 1 shtator të fillojmë me punë. Më 30 korrik kemi përgjigje nga ministria se kontraktori garanton se do i mbarojë punimet deri më 1 shtator por për fat të keq ende nuk janë punimet të mbaruara. Pastaj, përsëri më 29 gusht ne kemi lajmëruar edhe me video, me inçizime se me të vërtet kushtet janë të jashtëzakonshme të fillojnë këtu nxënësit me mësim”, deklaroi Besnik Jusufovski, drejtor i sh.f “Liria” Zhitoshë.

Mbikëqyrësi i punimeve, Hristijan Zabërçanec tha se punimet ndërtimore u zgjatën për shkak të realizimit të punimeve paralelisht me zhvillimin e procesit mësimor.

“Momentalisht nuk kemi pengesa në punë. Në fillim kishte edhe mësim, kishim pengesa dhe nuk arritëm të punojmë me instalimin e ujësjellësit dhe energjisë elektrike. Lart duhej të hiqeshin dyshemetë, nuk kishim mundësi këtë ta punojmë. Tashmë nuk ka pengesa, nuk ka nxënës, do ta kryejmë me kohë”, tha Hristijan Zabërçanec, mbikqyrës i punimeve.

Ndërkohë që shkolla vijon të jetë në një kaos të vërtet, nxënësit e fshatit gjejnë mënyra të ndryshme për të kaluar pushimin e detyrueshëm. Tashmë që janë furnizuar me libra thanë se kanë nisur të shfletojnë mësimet e para që duhet mësuar.

“Ne i kemi marr librat para kohe por ende s’kemi nis me shkollën. Lexojmë matematikë, gjuhë shqipe, biologji e të tjera. Këto ditë çka keni bë, si e keni kaluar ditën pasi që akoma nuk jeni në shkollë? Kemi dal në fshat, kemi punuar duhan. Fletoret i ke ble, je bë gati për shkollë? Krejt i kam në shtëpi edhe çantën, vetëm duhet të nisim në shkollë”, u shpreh një nxënës.

“Klasa e gjashtë ndoshta do të jetë më e vështirë por do të mundohem të mësojë shumë. Cilat libra i ke marr? Matematikë, Shkenca dhe Gjuha Shqipe. Keni dëshirë të filloni mësim sa më shpejtë? Po, kemi dëshirë. Ndoshta do të fillojmë te gjimnazi që mos të humbim kohë”, tha një tjetër nxënës.

Shkolla fillore “Liria” është ndërtuar në vitin 1965. Sipas drejtuesve të shkollës për 60 vjet nuk nuk është investuar as edhe një gozhdë në këtë shkollë. Rikonstruimii shkollës po bëhet me investim të Ministrisë së Arsimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More