Shkruan: Muhamer Pajaziti
Festa e flamurit shqiptar në Maqedoni tregoi potencialin e fuqishëm dhe atdhedashurinë e rinisë sonë.
Politika është xheloze se s’mund ti grumbulloj asnjëherë ashtu, me entuziazëm dhe eufori.
Por, festa e flamurit tregon se kjo rini dhe shqiptaria për më shumë se 20 vite, janë të përjashtuara nga ky shtet.
Asnjë elementë shqiptar në flamurin, në stemën, në himnin e Maqedonisë dhe elementet tjera të shtetit.
Zgjidhjet gjysmake ishin: gjuha e 20 përqindshit, flamuri shqiptar për një të tretën më i vogël se ai maqedonas dhe shumë deformitete tjera.
Ky është realiteti në terren, de fakto dhe de jure është kështu dhe kjo nuk mund të mbulohet me luftë hibride, duke e përfshirë kryesisht dezinformimin dhe kaosin.
Partitë shqiptare, duhet ti hapin këto tema dhe të avansohet statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve.
Ndryshe do të vazhdojmë të sillemi në një rreth vicioz ku vjen Hasani e shkon Hyseni.
Hyseni shkon pasi ka bërë milionat, Hasani vjen për ti bërë milionat!
Boll më! Ja kemi borxh rinisë tonë të punojmë me nder e përkushtim.
Çështja shqiptare në këtë vend duket sikur një makinë e vjetër, e prishur që ka ngecur në një skaj e mbuluar nga pluhuri dhe asesi nuk ndizet.
E keqja është se këto halle të mëdha i dëgjojnë dhe i përjetojnë vetëm shqiptarët, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, Tirana por edhe Prishtina i mbyllin veshët dhe vazhdojnë avazin e vjetër.
E në anën tjetër, partitë politike shqiptare nuk arrijnë të organizohen e mobilizohen në rezistencë ndaj pushtetit maqedonas për qëllime politike, për ta avansuar statusin e tyre juridiko-kushtetues.
Sipas projeksionit maqedonas shqiptarët duhet të jenë këtu vetëm për të paguar taksa, tatime e jo si qytetarë të barabartë që do të duhej ti gëzonin të drejtat e tyre themelore e shtetë-formuese.
Ata me gjasë duhet të ndjekin rrugën e baballarëve të tyre për të ikur nga vendi e për të punuar si “gastrabajter” në Gjermani e vende tjera evropiane.