Shkup, 12 korrik – Partitë dhe koalicionet politike tanimë i kanë caktuar emrat e eshalonit të dytë, respektivisht zv.ministrave me të cilët do të marrin pjesë në Qeveri. Koalicionit VLEN i takojnë shtatë zv.ministri. Siç njoftoi kreu i ASH-së Arben Taravari, nga partia e tyre Elfete Ismaili do të emërohet zv.ministre e mbrojtjes ndërsa Flakron Bexheti zv.ministër i bujqësisë.
“Për VLEN-in e di se ka shtatë zv.ministra. E di se Aleanca për Shqiptarët e ka bujqësinë dhe mbrojtjen. Unë i tregoj të Aleancës për Shqiptarët se i kemi kaluar në kryesi qendrore. Zv.ministre për mbrojtje do të jetë znj.Elfete Ismaili dhe zv.ministër për bujqësi do të jetë z.Flakron Bexheti”, tha Arben Taravari.
Më tej, në kuadër të VLEN, për zv.ministre të sportit është propozuar Safije Sadiki Shaini dhe për zv.ministër të arsimit, Lulzim Aliu, që të dy nga radhët e Alternativës. Lëvizjes Besa do t’i takojë vetëm një zv.ministri, ajo e Kulturës. Për atje është propozuar Sedat Sulejmani. Ndërkaq Lëvizja Demokratike ka marrë zv.ministrinë e Transportit dhe Lidhjes dhe Punëve të Brendshme.
“Brenda VLEN-it, dy zv.ministra i kanë takuar Lëvizjes Demokratike dhe kemi propozuar z.Muhamet Ameti për punë të brendshme dhe znj.Kaltrina Zekolli për në ministri të transportit”, deklaroi Mexhiti.
Në kuadër të zv.ministrave, Lëvizja Znam do të udhëheqë me ministrinë për Transformim Digjital dhe me ministrinë e Energjetikës dhe Minierave.
“Për zëvendësministër e Energjetikës dhe Minierave, z. Miroslav Labudoviq. z. Labudoviq ka një diplomë master në inxhinieri elektrike dhe teknologji informative. z. Radoslav Nastasieviq propozohet për zëvendësministër për transformim dixhital. z. Nastasieviq Varxhiski ka diplomë master në shkencat ekonomike”, tha Nikolla Memov, zëdhënës i ZNAM.
VMRO DPMNE ende nuk i ka bërë të ditur emrat, por burime partiake bëjnë të ditur se ish-kryetari i komunës së Prilepit, Marjan Risteski, do të jetë zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës, ndërsa ish-deputetja Ane Lashkoska është propozim për zëvendësministre të ekologjisë. Gjoko Velkovski me gjasë duhet të jetë zëvendësministër në Ministrinë e Politikës Sociale, ndërsa Zoran Dimitrovski nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit duhet të zërë postin e zëvendësministrit në MPJ.
Eshaloni i dytë pritet të votohet sapo të kthehet delegacioni qeveritar me në krye kryeministrin Hristijan Mickoski nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht nga 20 deri më 23 korrik.