Shkup, 15 dhjetor – Protesta e 13 dhjetorit në Shkup, e organizuar nga OVL në mbrojtje të krerëve të luftës së UÇK-së përballë Gjykatës Speciale në Hagë, shënon një moment domethënës jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rolin e përfaqësuesve shqiptarë në pushtetin ekzekutiv të Maqedonisë së Veriut. Kalimi i saj pa asnjë incident, pa tensione dhe pa ndërhyrje është një dëshmi e qartë se kur shqiptarët janë pjesë reale e vendimmarrjes shtetërore, e drejta demokratike për protestë garantohet në praktikë dhe jo vetëm në letër, shkruan Zhurnal.
VLEN-i me fakte vulosi ndikimin e tyre në ekzekutiv –
Nëse kjo protestë do të ishte shoqëruar me ndonjë incident qoftë minimal, shigjetat politike dhe publike do të drejtoheshin menjëherë ndaj përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, veçanërisht ndaj VLEN-it. Mirëpo, fakti që gjithçka kaloi qetë, në mënyrë të organizuar dhe të sigurt, u prit me heshtje nga kritikët kronikë. Askush nuk e artikuloi të vërtetën e thjeshtë se me VLEN-in në qeveri, shqiptarët protestojnë lirshëm, dinjitetshëm dhe pa frikë.
Natyrisht, një pjesë thelbësore e meritës i takon organizatorëve të protestës, të cilët dëshmuan pjekuri qytetare, moderim dhe kulturë politike në përcjelljen e mesazhit. Protesta nuk u shndërrua në turmë të pakontrolluar, por në një akt simbolik dhe të qëllimshëm solidariteti. Megjithatë, pa garancinë institucionale për sigurinë, mosarrestimin arbitrar dhe menaxhimin korrekt të rendit publik, asnjë organizim nuk do të mjaftonte. Pikërisht këtu qëndron pesha reale e rolit të VLEN-it në pushtet.
Deklaratat e Hysni Gucatit, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, janë tregues konkretë të kësaj përgjegjësie shtetërore. Kufijtë e qetë, kontrollet rutinore, mungesa e listave ndaluese selektive dhe prania e doganierëve e policëve shqiptarë në pikat kufitare, nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i komunikimit politik, i marrëveshjeve institucionale qoftë edhe verbale dhe i një vullneti të qartë për të mos kriminalizuar qytetarin shqiptar që ushtron një të drejtë kushtetuese.
Gucati e pohoi që garanca ishte Izet Mexhiti –
Fakti që Gucati konfirmon kontaktin e drejtpërdrejtë me kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti, dhe garancitë e dhëna për qarkullim të lirë, e nxjerr në pah një realitet të ri politik përfaqësuesit shqiptarë nuk janë më dekor qeveritar, por faktor aktiv që ndërhyjnë për të mbrojtur interesin kolektiv. Kjo është fuqia reale e pushtetit jo në retorikë, por në rezultate konkrete.
Kjo protestë pa incidente duhet të shërbejë si precedent dhe standard. Ajo dëshmon se stabiliteti dhe dinjiteti nuk janë kundërthënie, por bashkëjetojnë kur ka vullnet politik dhe përfaqësim të drejtë. Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por barazi në ushtrimin e të drejtave demokratike dhe 13 dhjetori tregoi se kjo është e mundur.
Kujtojmë që, heshtja e kritikëve është po aq domethënëse sa qetësia e protestës. Ajo tregon se suksesi shpesh nuk sulmohet, por anashkalohet. Megjithatë, faktet mbeten protesta kaloi pa incidente, kufijtë ishin të hapur, qytetarët të sigurt dhe mesazhi u përcoll. Kjo është dëshmi se përfaqësimi shqiptar në qeveri, në këtë përbërje, po jep rezultate konkrete dhe të matshme. Por, megjithatë, VLEN nuk bëri mrekulli thjesht e ka bërë atë duhej ta bënte secili përfaqësues shqiptar në ekzekutiv. Meqë veç e kanë bërë meriton respekt dhe konsideratë. /Zhurnal.mk
