Shkup, 3 nëntor – Pas rezultateve të fundit të zgjedhjeve lokale skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në një fazë të re dhe të pazakontë për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, një forcë politike shqiptare, koalicioni VLEN, ka fituar pushtetin pothuajse të plotë në nivel lokal dhe qendror. Diferenca e qartë 10 komuna nën drejtimin e VLEN kundrejt vetëm 4 komunave rurale të mbetura nën ndikimin e Aleancës për Integrim (AKI) tregon jo vetëm një fitore në numra, por një ndryshim të thellë politik dhe psikologjik në trupin elektoral shqiptar, shkruan Zhurnal.
Një mandat për ndryshim, VLEN-in e presin punë të shumta –
Kjo fitore nuk është thjesht rezultat i strategjisë elektorale apo zhgënjimit me qeverisjen e kaluar. Ajo është një mandat për ndryshim të vërtetë, për rikthim të besimit se politika shqiptare mund të prodhojë rezultate konkrete, të matshme dhe të ndershme. VLEN, që tashmë mban në duar edhe levat e pushtetit qendror, ka dalë nga roli i opozitës kritike dhe ka hyrë në një fazë ku nuk mund të fshihet më pas justifikimeve për bllokada apo mungesë kompetencash.
Kur një forcë politike zotëron pothuajse gjithë pushtetin në dy nivele lokal dhe qendror ajo nuk ka më luksin të kërkojë arsyetime. VLEN tani nuk mund të fajësojë askënd tjetër për dështime çdo ngecje në reforma, çdo projekt i parealizuar, çdo keqmenaxhim në komuna, do të bjerë direkt mbi supet e saj. Pikërisht ky realitet e kthen fitoren në një barrë të madhe morale e politike pushteti absolut është test i përgjegjësisë, jo trofe fitoreje.
Për herë të parë, komunat shqiptare dhe përfaqësimi qendror janë në duar të një strukture të vetme politike. Kjo krijon një mundësi të rrallë për koordinim të politikave nga planifikimi urban, arsimi, infrastruktura e deri te zhvillimi ekonomik rajonal. Nëse VLEN arrin të shfrytëzojë këtë sinkroni për të krijuar politika zhvillimore mund të shndërrojë komunat shqiptare në modele administrimi modern dhe efikas.
VLEN fitoi bindshëm në 10 komuna, duke qenë në pushtet ndryshimi duhet të ndodhë në terren –
Fitues absolut të zgjedhjeve lokale janë koalicioni, VLEN, arritën të fitojnë 10 komuna kundrejt AKI-së që ngelën vetëm me 4 komuna rurale. Në këtë drejtim ndryshimi që duhet të ndodhë duhet të jetë i prekshëm në terren.
Megjithatë, fitorja e madhe sjell edhe rrezikun e vetëkënaqësisë. Populli që votoi për ndryshim do të kërkojë shpejt rezultate konkrete rrugë të ndërtuara, institucione që funksionojnë, arsim cilësor, menaxhim transparent dhe trajtim të drejtë të qytetarëve. Retorika e opozitës nuk do të mjaftojë më. Ajo që do të mbetet në kujtesë do të jetë aftësia për të transformuar pushtetin në progres real.
Humbja e BDI-së dhe nevoja për reformë –
Në anën tjetër të medaljes, BDI përjetoi një prej disfatave më të rënda në historinë e saj politike. Humbja në shumicën e komunave shqiptare dhe tkurrja e ndikimit qendror tregojnë se votuesit kërkuan fundin e një epoke të gjatë monopoli politik. Partia që dikur udhëhiqte agjendën shqiptare, sot përballet me një krizë të thellë identiteti dhe legjitimiteti. Për BDI-në, koha e vetëkënaqësisë ka mbaruar për të mbijetuar si forcë relevante, ajo duhet të kalojë nëpër reforma të thella organizative, ideologjike dhe kadrovike, duke rikthyer lidhjen me bazën qytetare dhe me realitetin e ri politik që ka krijuar VLEN.
Kujtojmë që, VLEN sot mban në duar një shans historik për të dëshmuar se shqiptarët mund të qeverisin me përgjegjësi, unitet dhe efikasitet. Fitorja nuk është fundi i betejës politike, por fillimi i një periudhe ku çdo vendim do të matet me standarde të reja të llogaridhënies. Nëse e kupton këtë barrë si mundësi për ndryshim, jo si privilegj, VLEN mund të bëhet shembull i ri i lidershipit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk
