“Vlen” paralajmëroi ngritjen e procedurave ligjore për keqpërdorime të pozitës zyrtare për vendime të jashtëligjshme lidhur me lojërat e fatit

nga D V

Shkup, 16 gusht – Zëvendëskryeministri i parë dhe një nga liderët e Koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti sot në konferencë për media paralajmëroi ngritjen e procedurave adekuate ligjore për dëshmimin e keqpërdorimeve të pozitës zyrtare të të gjithë kompetentëve të cilët morën pjesë në miratimin e vendimeve të jashtëligjshme lidhur me organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit.

“Falë vendimeve të gabuara, të papërgjegjshme dhe korruptive të ministrave të BDI-së, përmes hapjes së tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit në internet, lojërat e fatit përmes pajisjeve mobile dhe kompjuterëve hynë në shtëpi, duke i bërë të rinjtë një objektiv edhe më të lehtë për këtë dukuri jashtëzakonisht devijuese. Për këtë arsye, paraqitëm Kërkesë për interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me qëllim që të marrim një interpretim të saktë nëse vendimi i Qeverisë së mëparshme dhe drejtuesve të Lotarisë Shtetërore për lojërat e fatit në internet ka bazë ligjore. Interpretimi autentik është miratuar nga shumica e deputetëve dhe parashikon që lojërat e fatit në internet mund të organizohen vetëm mbi bazën e një licence të vlefshme. Duke marrë parasysh se të gjitha kompanitë që në kohën e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit morën pjesë në thirrjen publike dhe u zgjodhën për të organizuar lojëra të fatit në internet nuk kanë licenca, kjo do të thotë se menjëherë dhe pa vonesë do të largojmë lojërat e fatit si një e keqe shoqërore nga shtëpitë e qytetarëve tanë”, tha Mexhiti.

Ai potencoi se tashmë janë duke punuar dhe brenda një afati të arsyeshëm, Qeveria do t’i propozojë Kuvendit një ligj të ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili do të përmbajë një sërë dispozitash me të cilat janë të sigurt se numri i objekteve ekzistuese për lojërat e fatit do të zvogëlohet të paktën përgjysmë.

“Brenda koalicionit qeverisës ekziston vullnet politik që ky plan të realizohet plotësisht. Kalojmë në veprim!”, tha Mexhiti.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More