Kosovë

Vlora Çitaku presidente si objekt i pazareve apo zgjedhje e merituar?!

NGA ARIFE MORINA

Në mars të këtij viti, Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konujfca, konfirmoi largimin nga posti gjashtë ambasadorë, mes tyre edhe Vlora Çitaku. Konjufca lajmëroi se tërheqja nga posti i ambasadorëve është bërë sepse kanë mbaruar mandatin katër vjeçar.

I menjëhershëm ishte reagimi i ish-ambasadores së Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku e cila tha se do ta respektoj vendimin e Qeverisë së Kosovës, ndonëse ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës.

Pas shtatë muajve nga largimi i detyrës, Vlora Çitaku, pranoi vendimin e presidentit Hashim Thaçi, që të kthehet në Kosovë nga misioni diplomatik në SHBA. Kthimi i Çitakut në Kosovë, në këtë kohë ka ngritur dyshimet për një kandidim të mundshëm nga ajo, për postin e Presidentes së Kosovës.

Kjo pasi, ditëve të fundit, po flitet se PDK pritet të hyjë në koalicion me LDK-në, për të zgjeruar koalicion e tanishëm. Në këtë mënyrë, kushti i PDK-së për futjen në koalicion është posti i presidentit dhe Vlora Çitaku është kandidatja potenciale për këtë post.

Bytyçi: Vlora mund të udhëheqë shtetin

Lidhur me mundësinë e kandidimit të Vlora Çitaku, si Presidente e ardhshme e Kosovës, profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” deklaroi se beson se ajo ka aftësi të udhëheqë në çdo pozicion në piramidën e shtetit të Kosovës.

Image

“Lirimi i zonjës Vlora Çitaku nga detyra e ambasadores së Kosovës në OKB ishte e pritshme, po të kemi parasysh zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Personalisht mendoj se ajo ka dëshmuar se është e aftë dhe e përkushtuar për çdo pozicion në piramidën e shtetit të Kosovës. Performanca e saj në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, ku është diskutuar për Kosovën, Çitaku ka dhënë maksimumin, ka shprehur me profesionalizëm dhe vendosmëri, qëndrime në interes të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Madje ka ndihmuar që anëtarët e Këshillit të Sigurimit si dhe shtete të tjera anëtare të OKB-së të kuptojnë që problemi në Ballkan nuk është Kosova, por Serbia”, deklaroi Bytyqi.

Profesori bëri edhe dallimet në mes Thaçit dhe Çitaku ku sipas tij, kjo e fundit nuk ka “hipotekë” ndaj Serbisë si Presidenti aktual.

“Vlora nuk ka asnjë hipotekë ndaj Serbisë, siç kishte dhe ka Thaçi.

Më duhet të them se sikur performanca e Vlorës të ishte shfaqur te presidenti i Republikës, ai nuk do të rrëshqiste në pistën e projektit serb të ndarjes së Kosovës”, tha ai.

Mirëpo, lidhja e ngushtë Thaçi – Çitaku, ëstë arsya që e bënë Bytyqin të ndihet i rezervuar në këtë çështje.

“Për këtë arsye rezerva ime ka të bëjë thjesht me lidhjet e ngushta të ambasadores Çitaku me Hashim Thaçin. Nëse ajo vjen në Prishtinë për t’u bërë presidente e vendit me propozim të presidentit aktual në ikje, këtë duhet ta kundërshtojnë të gjitha partitë politike, përveç Partisë Demokratike”, tha profesori.

Mirëpo sipas tij, është në dorën e Vlora Çitakut të dëshmoj që nuk është në linjë politike me Hashim Thaçin dhe është kundër pikëpamjeve, ideve dhe vizioneve të tij.

“Largimi i Hashim Thaçit nga detyra e kreut të shtetit është dhe mbetet një lajm fantastik. Por emërimi në këtë detyrë i një persononaliteti politik të linjës politike të Thaçit e zbeh këtë lajm, bën që qytetarët e Kosovës të jenë mosbesues ndaj pasuesit të tij. A mundet që Vlora Çitaku të mos jetë pasuese e Hashim Thaçit?!

E vërteta është se dy persona ashtu si dy objekte nuk janë dhe nuk mund të jenë e njëjta gjë në asnjë rast. Por ka njerëz dhe objekte të ngjashme. Vlora deri tani e ka performuar veten si e ngjashme me Hashimin. A mund të dalë nga lëkura e tij? Është në dorën e saj. Paraprakisht ajo ka shansin të dëshmojë se nuk është Hashimi, duke u deklaruar kundër ideve, pikëpamjeve, vizioneve dhe madje edhe veseve të Thaçit. Kur them veseve, kam parasysh rrenën, mashtrimin, trupimin, demagogun, të gjitha këto si shumë të dëmshmë për një vend në rrugën e shtet-forimimit siç është Kosova”, deklaroi Bytyqi.

Profesori universitar ngrit edhe një hiptozë se Thaçi ka dëshirë ta pasojë Citaku pasi nësë ai shpallet i pafajshëm pas disa viteve në Gjykatën Speciale, kthehet dhe bëhet prap President.

“Jam i bindur se Hashim Thaçi ka dëshirë që atë ta pasojë Vlora Çitaku, madje me shpresën se ajo mund të dorëhiqet, nëse Thaçi pas dy ose tri vitesh fiton pafajësinë në Gjykatën Speciale, për t’ia lëshuar vendin përsëri atij. Por edhe nëse jo për këtë arsye, presidenti aktual do ta donte në krye të shtetit një persona, i cili garanton trashëgiminë e tij në institucionin më të lartë të vendit. Kjo për shkak të vazhdimësisë së politikave, por edhe për shkak të shkeljeve ligjore që presidenti aktual ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Një pasues tjetër e jo një mik i Thaçit do të zbulonte këto shkelje dhe do t’i publikonte ato. Ndërkohë që nuk do të ndiqte linjat pro-serbe të tij”, u shpreh ai.

Bytyqi tha se nëse Vlora bëhet presidente do të ia mbulonte shkeljet ligjore të paraardhësit e saj.

“Nëse bëhet Vlora presidente e Kosovës do të bënte kompromise me vijën politike të paraardhësit të saj dhe të të mbulonte çdo shkelje ligjore të tij. Megjithatë besoj se ajo në strategji nuk do ta kopjonte pikë për pikë shefin e saj politik”, nenvizoi ai.

Profesori në fund, shtoi se PDK do ta ketë postin e presidentit vetëm nëse bënë kolicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ndryshe nuk e sheh që Partia Demokratike ta ketë postin e presidentit.

“Skenari i ngritjes së Vlora Çitakut në postin e presidentit është aty. Po a mund të zërë ajo këtë post?! E shoh si shumë të vështirë. Thjesht për faktin se për këtë investohet Thaçi vështirësohet zgjedhja e saj. Ndërkohë nuk dihet si janë përcaktuar postet midis Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike. Vetëm nëse ndodh ndonjë marrëveshje midis Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike, atëherë mundet që PDK të mbajë postin e presidentit dhe VV atë të kryeministrit. Ndryshe nuk shoh arsye që postin e presidentit ta ketë Partia Demokratike. Kjo do të thotë se as Vlora Çitaku të mos e ketë shansin në fjalë”, përfundoi Bytyqi.

Zogaj: Shpresojë se Çitaku të mos jetë pjesë e pazareve

Poashtu, në lidhje me kthimin e Vlora Çitakut në Kosovë për gazetën “Bota sot” foli edhe njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj. Ai tha se lirimi nga detyra e ambasadorës Çitaku erdhi pas një pune të suksesshme për Kosovën.Image Skender Zogaj

“Lirimi nga detyra e ambasadores Vlora Çitaku në SHBA, është me rëndësi se ka ardhur pas një pune të suksesshme dhe shumë të dobishme për Kosovën, e cila është përfaqësuar mirë në SHBA dhe në rrethin e zyrave të tjera diplomatikë që i ka kontaktuar ambasadorja jonë në Amerikë”, u shpreh Zogaj.

Analisti politikë në vazhdim deklaroi se Kosova mund të llogaritë në Çitakun për detyra të reja dhe të rëndësishme për vendin.

“Pra, Vlora Çitaku kthehet dinjitetshëm në Kosovë dhe padyshim që e meriton të jetë e logaritur për detyra të tjera të rëndësishme, që kemi arsye të besojmë se don, din dhe mundet t’i kryej me sukses! Kjo mendoj se është gjëja kryesore, ndërsa skenarët dhe llogaritjet e tjera janë interesa të të tjerëve, që domosdo që do të synohen, jo vetëm me Vlorën por me të gjithë zyrtarët e Republikës së Kosovës”, tha Zogaj.

Ndër të tjera, tha se zgjedhja e mundëshme e Çitakut si Presidente e Kosovës, varet nga marrëveshjet partiake. Ai shpreson se zgjedhja e presidentit të ri nuk do të jetë objekt i pazareve por zgjedhje e merituar.

“A mund të jetë Vlora Çitaku presidente e vendit, kjo është pyetje hipotetike, sepse, zgjedhja e presidentit të ri është çështje e zhvillimeve të reja politike, është çështje e marrëveshjeve të reja partiake varësisht nga elektorati i tyre dhe i interesit të vendit, për mënyrën dhe personin që mund të konsiderohet i duhuri për postin e kreut të vendit! Kjo çështje është kruciale dhe, uroj që të mos jetë objekt i pazareve, por zgjedhje e merituar”, përfundoi Zogaj.

Related posts

Sami Lushtaku tregon kushtet për të hyrë në Qeveri

admin

Këshilltari i Hotit: Nuk ka normalizim të raporteve Kosovë – Serbi pa njohje reciproke

admin

Arrestohet një inspektor i komunës së Prishtinës për marrje ryshfeti, kapet në flagrancë

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...