Agjencia Zhurnal.mk
Kosovë

Von Cramon: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Me 50 vota për, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.

Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Para se të votohej për raportin si tërësi, ishte votuar për amendamentet e veçanta të prezantuara nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”, ka thënë Von Cramon teksa ka komentuar votimin për raportin për Kosovën.

Ajo ka thënë se edhe BE-ja ka “detyra të shtëpisë” për të bërë.

“Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane.

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Postime të ngjashme

Kosova shpreson në tërheqjen e investimeve amerikane

N E

Vdes një persona si pasojë e nje aksidenti në Prishtinë

N E

Enver Hoxhaj: Ambiciet për kryetar do t’i them në kryesi

N E

Analizë / Përmes aderimit të Iranit në SCO, Rusia do ta realizojë ëndrrën e saj për krijimin e një OPEC-u të gazit natyrorë

R Zh

Albin Kurti: Vetëmohimi i familjes Jasharaj është një shembull botëror i flijimit për liri në çdo cep të botës

N E

Besnik Bislimi takoi ambasadorin e Austrisë në Kosovë Christoph Weidinger

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...