Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka vendosur të marrë masa disiplinore kundër klubeve Voska Sport dhe Gostivari për shkak të ndeshjeve të paluajtura në dy xhirot e fundit të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut, njofton Telegrafi.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor të FFM-së, Voska Sport dënohet me heqjen e nëntë pikëve dhe gjobë prej 25.000 eurove për moszhvillimin e ndeshjes së xhiros së 29-të. Për mos luajtjen e ndeshjes në xhiron e 30-të, klubi nga Ohri mori dënim me nëntë pikë tjera minus dhe një gjobë shtesë prej 25.000 eurosh.
Nga ana tjetër, klubi i Gostivarit u dënua po me nëntë pikë minus dhe 25.000 euro gjobë për moszhvillimin e takimit të xhiros së 30-të. Po ashtu, për mos paraqitjen në xhiron e 31-të, pason një dënim identik – nëntë pikë të tjera minus dhe një gjobë të njëjtë.
Ndërkohë, FFM ka njoftuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikuperuar shumën prej 150.000 eurosh, të cilat Voska Sport i kishte përfituar më 10 prill 2025 nga skema e solidaritetit për sezonin aktual 2024/25. Këto masa të rënda pasqyrojnë qëndrimin e prerë të Federatës kundër shkeljeve të disiplinës dhe organizimit në garat zyrtare. Zbritja nga liga dhe përjashtimi nga sezoni i ardhshëm janë një sinjal për klubet që mosangazhimi dhe mungesa e seriozitetit nuk do të tolerohen në futbollin profesionist.