Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Vota e fermerëve amerikanë në zgjedhje

Ndërsa sondazhet e fundit kombëtare tregojnë një rënie të mbështetjes për Presidentin Trump, ai vazhdon të gëzojë përkrahjen e fuqishme të shumicës së fermerëve të Amerikës, të cilët favorizojnë marrëveshjet e reja tregtare dhe ndihmat masive të qeverisë për sektorin e bujqësisë.

Së bashku me pandeminë e koronavirusit, ndihmat dhe tregtia janë në mendjet e shumë fermerëve ndërsa ata përgatiten të votojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Në fillim të 2020-ës, Ron Moore po përgatitej për një vit tjetër pasigurie tregtare me Kinën, një nga blerëset më të mëdha të bimës së sojës, që ai kultivon në fermën e tij në rrethinat e shtetit Illinoi.

Por, ajo që nuk e priste ishte pandemia globale e koronavirusit, që tronditi zinxhirin e furnizimit me ushqime, uli çmimin e shitjeve me shumicë të bagëtive dhe të lëndëve ushqimore për to.

“Pandemia uli kërkesën për drithërat që sigurojnë ushqimin për bagëtinë, ” thotë fermeri i Ilinoit, Ron Moore.

Gjatë luftës tregtare, mes 2014-ës dhe 2019-ës, Departamenti amerikan i Bujqësisë njoftoi se çmimet e sojës ranë 35 për qind, edhe para se pandemia të ulte më tej blerjet nga Kina.

“Ishte një goditje e dyfishtë”, thotë zoti Moore, fermer në Illinoi.

Çmimet e misrit, një nga kulturat kryesore në fermën e Wendell Shauman-it, ranë 44 për qind mes vitit 2014 dhe 2019. Ai nuk ka parë një kthim të çmimit në nivelet e mëparshme.

“Ka qenë një vit i vështirë përsa i përket çmimeve. Shumica e prodhimeve që kam shitur kanë qënë poshtë çmimit që kam shpresuar,” thotë fermeri Wendell Shauman.

Kjo është arsyeja që dy fermerët Moore dhe Shauman thonë se pagesat nga “Programi i Lehtësimit të Tregut” nga Departamenti amerikan i Bujqësisë, që nga viti 2018 i kanë ndihmuar të mbijetojnë ndërsa Administrata Trump negocionte marrëveshje të reja tregtare.

“Ishte një ndihmë e madhe. Jam i sigurt që ka njerëz që nuk do të mund të mbijetonin pa të”, thotë Wndell Shauman.

“Ishte një ndihmë e madhe që na lejoi të kalojmë vështirësitë. Kemi nevojë për më shumë përfitime financiare dhe tregje më të mira për të kaluar këto vështirësi,” thotë Moore.

Departamenti i Bujqësisë njoftoi një paketë ndihme prej 19 miliardë dollarësh në fillim të këtij viti, ndërsa pandemia kufizoi furnizimin me ushqim të vendit. Një raund tjetër ndihmash bujqësore prej 14 miliardë dollarësh pasoi në shtator. Drejtori i Asamblesë Kombëtar të Byrosë së Fermerëve të Illinoit, Adam Nielsen, thotë se shpenzimet e qeverisë që kapin shifrën e afro 100 miliardë dollarëve që nga viti 2016 kishin një ndikim pozitiv.

“Arritëm të frenojmë valën e falimentimeve të fermave. Ndërsa kanë mbajtur ulur shpenzimet, fermerët kanë qenë në gjendje të paguajnë për ushqimin për kafshët dhe plehrat kimike për të mbjellat,” thotë zoti Nielsen.

Wendell Shauman thotë se ndihma e qeverisë në këtë nivel nuk mund të vazhdojë pafundësisht:

“Nuk ka para të mjaftueshme që qeveria të vazhdojë t’u japë të gjithëve ndihmë.”

Ai megjithatë vlerëson Presidentin Trump për përparimin e bërë në çështjet tregëtare dhe shpreson që Amerika të arrijë një marrëveshje të përhershme me Kinën.

“Mënyra se si ai i trajtoi fermerët dhe na mbajti gjallë – nuk ishte i detyruar ta bënte. Është goxha e habitshme që një njeri që ka jetuar në Nju Jork dhe di shumë pak për bujqësinë, të jetë kaq mbështetës. Më pëlqen ajo që ka bërë. Nuk më pëlqen mënyra se si ai flet ndonjëherë. Kjo më zhgënjen. Mund të sillej më mirë”, thotë Wendell Shauman.

Kjo është arsyeja që mesazhi për bashkëpunim dypartiak, i kandidatit demokrat për president Joe Biden gjithashtu pëlqehet nga fermeri Shauman.

“Duhet të bësh kompromise. Duhet që njerëzit të punojnë së bashku”, thotë Wendell.

Një sondazh në fund të shtatorit në zonat rurale të Amerikës tregoi se Presidenti Trump ka një epërsi prej 17 pikësh krahasuar me zotin Biden.

Në të njëjtin sondazh 59% e fermerëve thanë se do të kishin vështirësi financiare pa Programin e Lehtësimit të Tregut nga Departamenti i Bujqësisë dhe Programi për Ndihmë Ushqimore për shkak të koronavirusit.

“Pavarësisht nga disa rezultate apo mënyra sesi njerëzit duan ta shohin, mendoj se Presidenti Trump e ka përqëndruar vëmendjen tek Amerika rurale, ku ndoshta nuk ka qenë më parë”, thotë Evan Hultine, fermer në Illinoi.

Popullariteti i Presidentit Trump në zonat rurale vazhdon të jetë i qëndrueshëm në një kohë kur shifrat në sondazhet kombëtare për të, janë ulur.

Ndërsa shumë fermerë të Illinoit shprehin mbështetje për Presidentin Trump, sondazhi më i fundit në këtë shtet, përfshi qytetin e tretë më të madh të Amerikës, Çikagon, i jep zotit Biden një epërsi prej 25 pikësh (61% në 36%).

Postime të ngjashme

Rritja e rasteve mund ta ngufasë shëndetësinë

T E

Çfarë pritet pas tërmeteve që tronditën Greqinë, paralajmërimi i sizmiologut!

S.B.

Sanksionet nga SHBA, Moska paralajmëron: Do t’i befasojmë së shpejti

S.B.

Pamje: Blindohet Bagdadi, Papa Françesku pritet me nderime të larta në Irak

S.B.

Ekspertët e OBSH pritet “të copëtojnë” raportin e përkohshëm në Wuhan

S.B.

Universiteti turk: Vaksina Sinovac e Kinës 83.5% efektive

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...