Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e përjavshme të zhvilluar me gazetarët në selinë blu, tha se PD nuk do të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që propozon mazhoranca pa u pranuar amendamenti i saj.
“Në qoftë se qeveria nuk do njohë dokumentet e identitetit të qytetarëve shqiptarë në vendet e huaja ku janë prodhuar, ne nuk votojmë amendamentet që kërkon qeveria. Pikë! Nuk i votojmë. Se ka kërkuar jo të lëvizin afatet, jo të bëhet kjo e ajo. Çfarë po kërkojmë ne? Që sa më shumë shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Këta po kërkojnë që sa më pak shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese”, tha Berisha.
Berisha tha se nëse mazhoranca “voton njohjen e dokumenteve, ne do votojmë kërkesën e KQZ për lëvizje të afateve”.
“Ne nuk shkelim Kushtetutën, përkundrazi. Pse po e kushtëzojmë ne? Që t’u mundësohet e drejta kushtetuese atyre. Këta nuk e pranojnë, duke shkelur të drejtën kushtetuese. Kushtetuta nuk thotë se është shtetas shqiptar ai që ka pasaportë shqiptare. Mund të kesh pasaportë greke, italiane dhe mund të jesh shtetas shqiptar”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se “ne, në kundërpërgjigje, nuk e votojmë këtë më datë 13, prandaj kanë kohë gjer më datë 13 të mendojnë si të duan”.
Por, Berisha theksoi se amendamentin që shtetasit shqiptarë të mos paguajnë për votën me postë do ta votojnë.
“Këtë amendament e votojmë ne. Nuk votojmë tjetrin ne, lëvizjen e afateve. Këtë që nesër, se është propozimi ynë, që emigrantët të mos paguajnë asgjë. Pse mos të paguajnë asgjë? Sepse qytetarët në Shqipëri nuk paguajnë asgjë, thjeshtë për efekt barazie. Kjo rrjedh nga ky vendim. Këta kanë kërkuar lëvizje afatesh burokratike. Këto nuk i votojmë ne, nëse ata nuk pranojnë të votojnë me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, emigrantët shqiptarë”, tha Berisha.