Vrasja e Egli Progës në Pogradec, detajet “tronditëse” nga ngjarja

nga D V

Kush e vrau babain e dy fëmijëve, 42-vjeçarin Egli Proga mbrëmjen e së shtunës të datës 10 Gusht? A tentoi vërtet policia e Pogradecit për ta fshehur si ngjarje duke e raportuar fillimisht si aksidentale e pse priti pikërisht kjo polici për rreth 16 orë për të reaguar zyrtarisht qysh prej ngjarjes?

A janë të vërteta akuzat e motrës së viktimës, Jona Progës se ambulanca është vonuar me tepër se 30 minuta për të transportuar drejt spitalit bashkiak vëllain e saj e se sot viktima, Egli Proga mund të ishte gjallë. Euronews Albania ka zbardhur detaje nga dosja e plotë hetimore dhe do të përpiqet ta zbardhë atë.

“Një person i dehur i gjetur pa ndjenja në rrugë”- kjo ishte fjalia që mbizotëroi në vendngjarje nga njerëzit që ndodheshin përreth apo dhe nën zë nga policët e rendit të komisariatit të Pogradecit. U desh të lindte dielli përsëri që të ndriçonte vet media një pjesë të ngjarjes pasi policia gjatë gjithë kësaj kohe nuk pati asnjë reagim zyrtar.

Një ngjarje e cila fillimisht u raportua si aksidentale rezultoi të ishte një vrasje.

Në 10:10 të datës 11 Gusht drejtoria vendore e policisë së Korçës do të reagonte zyrtarisht duke u shprehur se kishte arrestuar 4 persona për këtë ngjarje, 29 vjecarin Denis Meçe nën akuzën e vrasjes me dashje e Voltan Shulkun, Arian Manellari e Leonidha Guçe, të tre nën akuzën e moskallëzimit të krimit

Në dosjen e plotë hetimore që Euronews Albania disponon, informacionet e policisë tregojnë se autori i dyshuar për vrasjen e Egli Progës, 29 vjeçari Denis Meçe menjëherë pas ngjarjes është larguar drejt fshatit Buçimas, ku në rrugë, nën efektin e alkoolit ka ndaluar makinën dhe ka fjetur për disa orë. Policia nuk mundi ta gjente. Vetëm në mesnatë, rreth orës 03:30 minuta Denis Meçe dorëzohet në komisariatin e Pogradecit

Ajo çka bie në sy është se në deklarimin e tij ai nuk pranon të ketë goditur me grusht në asnjë moment Egli Progën

“Rreth orës 15:30 jam ulur jashtë në lokal” Stropcka” me Klodi Guçe për të pirë një birrë. Ai ishte me një kushuri të tijin. Më pas pas 30 minutash na u bashkua Arjani taksixhiu. Pas 3 orësh vjen ky djali (Egli Proga) emrin nuk ja dija por e njihja si fytyrë, na ka përshëndetur dhe ka hyrë në lokal. Në një moment më mbaruan cigaret, i kam kërkuar Volit (pronari i lokalit) por atje ky djali (Egli Proga) me ka thënë; “Ja se ta dredh një unë”. Unë mora cigaren, sa ktheva kurrizin më shau me fjalët ; “ta q* rracën). Nuk ja vura veshin dhe u ula në tavolina ime. Ai vazhdonte më shante madje e shau dhe Klodin nga e ëma por as ai nuk ja vuri veshin. Ai vazhdonte nga brenda shante dhe unë hyra e pyeta përse shante dhe i thashë;” Ajde dalim pak jashtë të flasim” – e ai me tha; “Po hajde se çfarë do me besh” dhe kemi dalë jashtë “,-kështu ka deklaruar Denis Meçe.

“Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por sa i jam afruar kam ngritur dorën, ai është rrëzuar në tokë e nuk u ngrit më. “

Denis Meçe në deklaratën e tij të dhënë para forcave oficerëve të policise gjyqësore ka pranuar se është larguar nga vendi i ngjarjes drejt fshatit Buçimas, ku për disa orë ka fjetur brenda në makinë.

I pyetur për disa herë nga forcat blu se a mund të sqaronte momentin e rrëzimit të Egli Progës, 29 vjeçari Meçe është shprehur se nuk e kujtonte pasi ka qënë shumë i dehur.

Por disa orë më vonë, komunikim ka patur midis Denis Meçes dhe avokatit të tij, ku ky i fundit për Euronews Albania pranon se klienti që ai mbron e ka goditur Egli Progën.

Nga komunikimi jashtë kamerave që Euronews Albania ka patur me zotin Eduard Muci i cili është avokati mbrojtës i Denis Meçe, ai shprehet se klienti i tij në asnjë moment nuk ka patur për qëllim për të vrarë 42 vjecarin, babai e dy fëmijëve Egli Progën. Nga ana tjetër ai pranon se klienti i tij ka goditur njëherë me grusht Egli Progën e ky i fundit fillimisht është përplasur me një makinë të parkuar në vendin e ngjarjes e duke rënë në kokë në asfalt.

Por janë dy deklarata kontradiktore me njëra-tjetrën të personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja Voltan Shulku pranon se ndodhej vetëm pak metra larg dy djemve, por thotë se nuk kishte dëgjuar asgjë dhe kamerat e lokalit të tij çuditërisht nuk ishin në gjendje të regjistronin.

“Nuk kanë bërë asnjë lloj debati apo konflikti midis tyre dhe ka ndejtur shumë pak kohë pasi vetëm gjysmën e birrës ka pirë dhe është ngritur ka shkuar në tualet. Kur doli jashtë kanë thirrur njerëzit me zë të lartë që kërkonin ujë dhe kam dalë me të shpejtë jashtë dhe e pashë atë të shtrirë në tokë, e ngrita për t’i dhënë ndihmë deri sa erdhi ambulanca që e mori. Kamera që kam unë tek lokali e kam kontrolluar dhe nuk regjistronte fare por vetëm sa sheh në moment dhe asgjë më tepër”,-u shpreh pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Por vetëm 30 metra larg vendit të ngjarjes, gjithçka e pa edhe Ardian Bego, i afërm i viktimës i cili deklaron se:

“Kam parë një person i cili u godit nga një person tjetër me grushta në pjesën e kokës dhe ra në tokë në pjesën e asfaltit. Unë nuk jam afruar por kam parë nga larg që nga lokali ka dalë pronari me emrin Voli, I është afruar personit të rrëzuar në tokë dhe po i jepte ndihmë. Aty dikush me tha qe ishte kushuriri im Eglantin Proga që ishte goditur. Kam kërkuar ndihmë rreth e rrotull, pas 10 minutash erdhi ambulanca dhe e çoi në spitalin e Pogradecit. Në ambulance kushuriri nuk po reagonte fare. Në ambientet e spitalit mjeku me lajmëroi se kushuriri I’m ndërroi jetë. Theksoj se Egli ka një lokal 30 metra larg ku ndodhi ngjarja ”

Pra, Voltan Shulku rrëfen se nuk ka patur sherr e debat ndërsa Ardian Bego nga ana tjetër tregon se ka patur grushta.

Por çfarë thonë dy të akuzuarit e tjerë për moskallëzim krimi?

” Unë nuk e kam parë kush e ka goditur Eglin pasi nuk kam qenë i vëmendshëm në atë moment, kam qenë në gjendje të dehur. Kam parë vetëm atë momentin kur bërtiste ajo gruaja që i solli ujë për të njoftuar ambulancën, kam parë edhe që pronari i lokalit po i hidhte ujë Eglit i cili ishte shtrirë mbas makinës sime e cila ishte e parkuar në rrugë para tavolinës ku isha ulur për të pirë “,-tha Leonidha Guçe.

” Ai qëndroi me ne dhe sa më kujtohet ai hyri brenda dy tre herë dhe në fund kur ndodhi ngjarja që erdhi policia nuk e pashë më. Jashtë në lokal kishte e njerëz të tjerë por nuk e mbaj mend kush ishte. Unë nuk kam parë gjë fare sepse isha ulur me kurriz”,- deklaroi Arian Manellari.

Vetëm pak orë pasi kishte varrosur të vëllain, Jona Proga ngriti akuza të rënda se ngjarja u tentua të manipulohej.

“Pyes çfarë ka ndodhur dhe me thonë se është rrëzuar, është rrëzuar goxha por nuk erdhi askush që po mblidhnin prova. Që po merrnin kamerat, dëshmitarët. Policia ka lëvizur vonë. Kanë qenë ne lëvizje nga të tjerët për t’u sjellë kështu. Asnjë gjë, akoma. Mirë që nuk lexoja mediat që thoshin vdiq në gjendje të dehur. Dallohej qartë që ishte i dhunuar dhe askush nuk e thoshte. Askush nuk thoshte që ishte bërë një vrasje, e kanë vrarë e masakruar në rrugë. E kanë lënë. Ambulanca nuk vinte. Ambulanca është vonuar gjysmë ore, që për dy minuta arrihej. Ai ishte gjallë e mund të shpëtonte”,është shprehur motra e Egli Progës, Jonida Proga.

Euronews Albania disponon ekskluzivisht skedën e urgjencës së Pogradecit, në të cilën thuhet se ambulanca u nis në orën 19:16, duke mbërritur në vendin e ngjarjes në 19:20. Në 19:22 ambulanca është nisur drejt spitalit bashkiak të Pogradecit ku ka mbërritur në 19:28. Pra, sipas këtij dokumenti gjithë itineraari nisje – mbërritje e ambulancës ka qënë 12 minuta.

Skedën e përforcon me dëshminë e tij në një prononcim për mediat edhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj, i cili thotë se situata u menaxhua për 20 minuta.

Edhe babai i Egli Progës akuzon se i biri u vra qëllimisht e se vdekja nuk i erdhi nga pija.

“Vrasje, jo gjoja reshktii se ishte pirë. Djali u godit e u vra nga njerëz maskarenj, kriminale. Të pashpirt. Unë nuk e njoh Denisij, nuk e mbaj mend të ketë ardhur në lokal. Kam dëgjuar se ka qenë problematik në qytet, i keq, një gangster, ka qenë më precedentë penalë, kjo ditë erdhi që mosveprimi i shtetit e te bënte me keq aq sa më vrau djalin. Instusfuomer shtetërorë të insistojnë të merren masa për atë që vrau djalin. Nuk u rrëzua djali, e vranë. Të dalë e vërteta. Të mos mbulohet e vërteta. Mos mbrohet nga këto institucione”,-tha Nazmi Proga.

Pas akuzave nga familjarët, dy ditë pas ngjarjes, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar nisjen e hetimeve brenda policisë së Korçës, për të kuptuar gjithë veprimet e personelit dhe se a ka patur vërtet një tentativë për fshehje të ngjarjes.

Akuza të shumta për manipulim të ngjarjes ka edhe ndaj Elton Halilit, i cili është shef i komisariatit në qytetin e Pogradecit. Ky i fundit në një komunikim jashtë kamerave për Euronews Albania shprehet se policët e komisariatit të Pogradecit kanë bërë kryer vetëm rrethimin e vendit të ngjarjes dhe këqyrjen momentale të kamerave, dhe gjithë veprimet hetimore i ka marrë përsipër drejtoria vendore e policise se Korçës. Kjo e fundit u desh plot 16 orë për të reaguar zyrtarisht se çfarë kishte ndodhur në atë ngjarje.

Euronews Albania u drejtua zyrtarisht me një kërkesë për informacion pranë drejtorisë vendore të policisë Korçë se përse u deshën 16 orë për të reaguar për çështjen, por nuk mori një përgjigje.

Në një seancë me dyer të mbyllura, prokurorja Vasjana Postol çoi para gjyqtares Luljeta Kola kërkesën per masën e sigurisë” Arrest me burg “për Denis Meçen, por këtë herë jo për akuzën e vrasjes me dashje por nga pakujdesia. Gjykata pranoi kërkesën ndërsa tre personat e akuzuar për moskallëzim krimi lanë qeline e paraburgimit pasi ndaj tyre u vendos masa e sigurisë detyrim paraqitjeje.

Kjo solli rritim tek të afërmit, duke akuzuar se vëllai i tyre po vritej përsëri nga drejtësia

“Po flisni padrejtësi që nisi në policinë e shtetit, çdo akt e shoqëroi e gjykatën. U lanë të lirë vrasësit. Po flasim për padrejtësi të menjëhershme në bashkëpunim. Po flasim për banda të bëra bashkë. Është vrasje, ca janë këta te tjerët qe lihen detyrim paraqitje? Po vritet Egli me çdo veprim e mosveprim që është duke u kryer, kjo është vrasje për herë të tretë. Është vrasje me dashje në bashkëpunim, e u lëshuan nje tufë huliganësh”,-tha Jona Proga.

” Këta njihen shumë mirë për gjobëvenie, jam pa fjalë. Dua që drejtësia të vihet në vend. Jam pa fjalë. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundur ose përndryshe, nuk çfarë të them. Ata janë kriminel në bashkëpunim”,-u shpreh një tjetër I afëm i viktimës.

E sikur mos mjaftonte kjo, në komunikimin që familjarët kanë patur me gazetarin e Euronews Albania në Korçë Xhensil Shkëmbi, ata kanë akuzuar prokuroren Vasjana Postol si të blerë nga avokati Budjon Hoxha, i cili në foton e dërguar nga familjarët shihet të jetë mik me Ervin Xhihani, bashkëshortin e prokurores në fjalë. Budjon Hoxha është avokati mbrojtës i Voltan Shulkut, pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja, i akuzuar për moskallëzim krimi.

5 ditë pas ngjarjes, drejtori i përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku reagoi zyrtarisht duke u shprehur se nga hetimet e kryera brenda drejtorisë vendore të policisë Korçë nuk ka patur asnjë tentativë për fshehje apo manipulim të çështjes.

Familjarët kanë bërë thirrje për protesta pranë ministrisë së drejtësisë të mërkurën e 14 Gushtit ndërsa sot Egli Proga nuk jeton më. Autori i dyshuar do të vazhdojë të jetë në burg deri në përfundim të hetimeve ndërsa akuzat ndaj policisë nga opinioni publik vijojnë. Një grua mbeti e ve, dy fëmijë ngelën pa baba, një prind ngeli pa bir e një qytet sot po hesht, teksa rënkon për një 42 vjeçar i cili u vra, me apo padashje.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More