Shkup, 10 nëntor – Zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë kanë rikthyer në skenë një realitet të qartë Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht kritikave dhe vonesave për formimin e institucioneve qeverisese ka arritur të konsolidojë pozicionin e saj në nivel lokal. Për herë të parë që nga themelimi, VV fiton 7 komuna, duke dëshmuar se baza e saj elektorale jo vetëm që nuk është dobësuar por ka shënuar rritje të qëndrueshme, shkruan Zhurnal.
Mitrovica beteja simbolike e zgjedhjeve lokale –
Një nga garat më të forta në këto zgjedhje lokale në Kosovë u zhvillua në Mitrovicë, ku përballja mes PDK-së dhe VV-së ishte vendimtare. Në fund, qytetarët ia besuan mandatin Faton Pecit, kandidatit të VV-së, si shenjë e vlerësimit për punën dhe angazhimin e qeverisë së Albin Kurtit në atë zonë. Kjo fitore ka domethënie më të gjerë politike ajo tregon se Vetëvendosje po fiton besimin e qytetarëve edhe në komuna që tradicionalisht kanë qenë të forta për partitë rivale.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale vërtetojnë se, ndonëse qeveria është kritikuar për zvarritje në krijimin e institucioneve dhe për sfida në menaxhimin e disa proceseve, Vetëvendosje nuk ka pësuar rënie politike. Përkundrazi, fitoret e reja lokale tregojnë një valë të re mbështetjeje që mund të shërbejë si trampolinë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.
Në komunat ku VV ka fituar, ajo ka arritur ta kthejë popullaritetin ideologjik në besim praktik duke u parë si alternativë e besueshme për qeverisje lokale efektive.
Pasqyra e përgjithshme e rezultateve –
Në nivel të përgjithshëm zgjedhjet lokale prodhuan një hartë të larmishme politike.
- PDK ruajti statusin e partisë me më shumë komuna të fituara në total, në fakt aq sa edhe VV ka. Pra, PDK ka fituar 7 komuna në nivel vendi.
- LDK shënoi disa fitore të qëndrueshme, siç është fitorja në Prishtinë ku poashtu ishte një betejë e ashpër me VV-në dhe një garë e ngushtë. Por, sërish fitues doli LDK me Përparim Ramën pasi fitores në kryeqytet. Në total LDK ka fituar 6 komuna.
- VV arriti për herë të parë të fitojë 7 komuna, duke shtrirë ndikimin e saj në zona të reja dhe duke përforcuar bazën në qytete strategjike.
- AAK nga shumë analistë është cilësuar si fituesja e këtyre zgjedhjeve lokale pasi nga gjashtë komuna ku ka garuar, pesë i ka fituar.
- Srpska Lista mbetet dominuese në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
- PDKRLL e Ramiz Lladrovcit arriti të fitojë në Drenas, të mposht partinë e tij PDK dhe kundërtshtarët tjerë politikë.
Kjo shpërndarje e votës dëshmon se asnjë parti nuk e ka monopolin politik, por edhe se Vetëvendosje po arrin të forcohet gradualisht në gjithë territorin e Kosovës. Fitorja e VV-së në disa komuna është më shumë sesa sukses numerik është konfirmim politik se kjo lëvizje po arrin të rrënjoset në çdo nivel të pushtetit.
Qeverisja lokale ofron terren për të dëshmuar aftësi, transparencë dhe afërsi me qytetarët tre elementë që mund të kthehen në kapital elektoral për zgjedhjet e ardhshme kombëtare. Nëse VV arrin të administrojë me efikasitet komunat që tashmë i drejton, ajo do të hyjë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale me avantazh politik dhe moral, si forca që ka ditur të ruajë stabilitetin dhe besimin qytetar.
Megjithatë, zgjedhjet lokale 2025 treguan se Vetëvendosje është ende në ngjitje. Fitorja në 7 komuna, përfshirë Mitrovicën, është dëshmi se partia e Albin Kurtit mbetet faktori kryesor politik në vend. Ky rezultat është sinjal i qartë se elektorati nuk është zhgënjyer plotësisht, por pret rezultate konkrete në qeverisjen lokale e qendrore. Nëse VV e shfrytëzon me mençuri këtë momentum, ajo mund të hyjë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare si forca më e konsoliduar politike në Kosovë. /Zhurnal.mk
