Bisedimet e paqes në Ukrainë, të cilat do të vazhdojnë edhe sot në Berlin, nuk kanë qenë kurrë në një fazë më të rëndësishme sa tani, tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul për “Deutschlandfunk”.
“Përpjekjet për paqe në Ukrainë, ku janë përfshirë zyrtarë ukrainas dhe amerikanë, si dhe aleatët evropianë të Kievit – janë të konsiderueshme, por vetëm në fund të javës – do të bëhet e qartë nëse rezultati i tyre do të jetë i suksesshëm”, tha ai.
“Megjithatë, në këtë situatë historike, sigurisht që ia vlen çdo përpjekje – për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme”, theksoi diplomati më i lartë i Gjermanisë.
“Një pikëpyetje e madhe, mbetet qëndrimi i presidentit rus, Vladimir Putin dhe nëse ai ishte “serioz” për t’i dhënë fund pushtimit të nisur nga Moska gati katër vjet më parë”, tha Wadephul.
Rusia nuk është e përfshirë në negociatat në Berlin dhe e ka bërë të qartë se është gati të vazhdojë luftën nëse nuk plotësohen kërkesat e saj maksimaliste, duke përfshirë lëshimet territoriale nga Ukraina.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbërriti dje në Berlin – për të diskutuar propozimet e tij të fundit – në lidhje me planin e paqes së SHBA-së – që synon të sigurojë një armëpushim në Ukrainë.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, i cili kryeson delegacionin e SHBA-së, tha se është bërë progres në planin 20-pikësh për paqen – ndërsa diskutimet pritet të vazhdojnë sot në Berlin – me pjesëmarrjen e një numri udhëheqësish evropianë.

