Kreu i diplomacisë kineze Wang Yi ,gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, në kuadër të Konferencës së Sigurisë të Mynihut theksoi që Kina është një forcë për paqen dhe qëndrueshmërinë, duke shtuar se Kina është vendi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së me numrin më të madh të paqeruajtësve dhe kontribuesja e dytë më e madhe në operacionet paqeruajtëse të OKB-së.
Kryediplomati kinez shprehu shpresën që Rutte ta inkurajojë NATO-n të mbajë një qëndrim racional dhe pragmatik ndaj Kinës.
Duke vënë në dukje se konfliktet gjeopolitike vijojnë të përshkallëzohen, Wang shprehu shpresën që NATO-ja të ruajë rolin dhe funksionin e saj si një organizatë mbrojtëse rajonale dhe të luajë një rol konstruktiv për paqen botërore e rajonale.
Nga ana e tij, Rutte deklaroi se NATO-ja, si një organizatë mbrojtëse rajonale, nuk ka asnjë synim të zgjerohet drejt Azisë. Ai shtoi që NATO-ja është e gatshme të forcojë dialogun e komunikimin me Kinën për të forcuar mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë.
Të dyja palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi krizën në Ukrainë. Rutte theksoi se NATO-ja i kushton një rëndësi të madhe ndikimit dhe rolit të Kinës dhe shpreson që Kina të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë sa më shpejt.
Gjatë takimit, Wang shpjegoi parimet dhe qëndrimin e Kinës, duke shprehur gatishmërinë e palës kineze për të vazhduar bashkëpunimin me të gjitha palët e tjera për të luajtur një rol konstruktiv në promovimin e një zgjidhjeje politike të krizës dhe në krijimin e një kornize sigurie evropiane të ekuilibruar, efektive e të qëndrueshme.