Xhaferi: Çështjet e hapura zgjidhen vetëm me besim

Brdo, 27 shtator – Jam i bindur se edhe në takimin e sotëm do t’i vërtetojmë përpjekjet për të cilat u zotuam së bashku gjatë takimit tonë të fundit në Samitin e organizuar nga Kryetari Sasoli, se do të punojmë me përkushtim në përforcimin dhe avancimin e demokracive tona parlamentare dhe rolin tonë si institucione për dialog inkluziv ndërpartiak, në ndërtimin e konsensusit për reformat kryesore evropiane dhe do të kontribuojmë në pajtimin, paqen dhe stabilitetin në rajon, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi në Mbledhjen e kryetarëve të parlamenteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor “Roli i parlamenteve në kthimin e besimit në BE”, në Bërdo të Kranjës.

“Jemi të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian aktualisht po përballet me shumë sfida që lidhen me reformën e institucioneve dhe funksionimin e tij në të ardhmen, të cilat duhet ta bëjnë atë më të fortë, më konkurrues dhe më të sigurt në botën globale. Pjesë e kësaj është edhe procesi i zgjerimit me metodologjinë e re, që pritet të kontribuojë në proces më efektiv të negociatave, në të cilin ne si vende kandidate do të jemi vazhdimisht përgjegjës për rezultatet e arritura në nivel të lartë, ndërsa vendet anëtare do të kenë argument plus para publikut të tyre vendas për të mbrojtur qëndrimin mbi nevojën e zgjerimeve të ardhshme me shtetet e reja anëtare, sepse ne jemi të vetëdijshëm se ka mendime të ndara për këtë çështje”, potencoi Xhaferi, transmeton pres-shërbimi kuvendor.

Si vend, thotë kryetari Xhaferi, tanimë jemi prononcuar në lidhje me metodologjinë për të cilën konsiderojmë se do t’i japë dimension më të madh politik procesit, do ta bëjë më dinamik, më të parashikueshëm dhe më autentik dhe do të ketë besueshmëri më të madhe, kuptohet, nëse e respekton sistemin e meritave dhe përmbushjen e premtimeve të dhëna nga pala evropiane ndaj vendeve kandidate për reformat e zbatuara.

“Në këtë kontekst dhe me atë besim, në vitet e fundit kemi bërë një sërë reformash në fushën e sundimit të së drejtës, jurisprudencës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sektorit të sigurisë dhe lirisë së medies. E tejkaluam kontestin shumëvjeçar me Republikën e Greqisë ndërsa paraprakisht nënshkruam edhe Marrëveshjen me Republikën e Bullgarisë. Këto hapa shtetërorë nuk do të ishin realitet, nëse nuk do të kishte konstruktivitet dhe dialog politik në Kuvend, sepse pjesa më e madhe e zgjidhjeve të nevojshme ligjore kërkonin sigurimin e shumicës prej dy të tretave. Të gjitha partitë parlamentare u bashkuan në miratimin e tyre, të vetëdijshme për peshën dhe përgjegjësinë që e marrin mbi vete, megjithatë, të bindura se në këtë mënyrë e zbatojnë vullnetin e qytetarëve tanë, përkatësisht përmbushjen e reformave për hyrjen në fazën tjetër të procesit të integrimit, fillimin e negociatave deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, tha Xhaferi.

Fatkeqësisht, për momentin, kontesti i sapoimponuar me Republikën e Bullgarisë, si politikanë, na vë në pozitë të palakmueshme për të kërkuar një shpjegim të arsyeshëm për qytetarët se ka një kërkesë të re, e cila nuk ishte pjesë e kërkesave të mëparshme për vendosjen e datës për fillimin e negociatave, për të cilat kemi punuar me përkushtim dhe pa u lodhur për shkak të premtimit se pas realizimit të tyre, do të pasojë data e shumëpritur për negociata.

“Bëjmë përpjekje maksimale, por duke pasur parasysh faktin se anketat e fundit dhe kontaktet tona të drejtpërdrejta me qytetarët kanë një nuancë të dozës së madhe të zhgënjimit dhe mosbesimit se ky proces ndonjëherë do të ketë përfundim të suksesshëm dhe se gjithmonë do të ketë kërkesa të reja, entuziazmi edhe tek qytetarët edhe politikanët mund të zbehet”, potencon ai.

Ai potencon se çështjet e hapura zgjidhen vetëm përmes besimit reciprok, dialogut, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

“Sinqerisht i përshëndesim përpjekjet e kryesimit të mëparshëm për vendosjen e bazave të caktuara mbi të cilat mund të vazhdohet me zgjidhjen e problemit, gjithashtu edhe të kryesimit të Sllovenisë. Është e qartë se zgjidhja e këtij problemi do të reflektohet në zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura në rajon dhe për këtë arsye, nëse perspektiva afatgjate evropiane e rajonit është qëllim përfundimtar i përbashkët i të gjitha palëve të prekura, nevojitet diplomaci e jashtëzakonshme dhe e gjithanshme, taktikë dhe pragmatizëm. Njëkohësisht, kemi shpresa në tejkalimin e krizës politike në Bullgari sa më shpejtë. Si vend, vazhdojmë me procesin e reformave me Agjendën e re “Evropa në shtëpi”, për të vendosur vlerat dhe standardet evropiane në vend, në institucionet dhe shoqërinë tonë, që ta përmirësojmë dhe lehtësojmë jetën e qytetarëve tanë. Dhoma ligjvënëse, si edhe deri tani, do të vazhdojë me shqyrtimin dhe miratimin e legjislacionit të parashikuar për reforma, duke mbajtur llogari për avancimin e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit me përfshirje më të madhe të sektorit civil, megjithatë, kemi nevojë për impuls pozitiv në këtë proces, posaçërisht për zgjidhje të cilat nuk janë gjithmonë të mirëpritura për publikun, të cilat do të pranoheshin më lehtë nëse anëtarësimi i ardhshëm në Bashkimin Evropian do të ishte rezultat i qartë dhe i natyrshëm”, tha ai.

Xhaferi beson se mesazhi nga Forumi i dialogut të Prespës i mbajtur kohë më parë në Ohër se “Ballkani Perëndimor është pjesa që i mungon Evropës së bashkuar” do të jetë ylli i mëngjesit që do të çojë në kompletimin e mozaikut.

Related posts

Salihu: Edhe partizanët e Shkupit ishin më gjithëpërfshirës sesa “Qyteti i Gjelbër Human”

Z H

Maqedonia e Veriut do të pranojë vaksina Johnson & Johnson

D V

Deputeti i VMRO Mucunski pozitiv në Covid 19

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More