Presidenti kinez Xi Jinping u takua të premten në Pekin me mbretin e Tajlandës Maha Vajiralongkorn Phra Vajiraklaochaoyuhua, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Xi Jinping-u u shpreh se Kina i vlerëson lart kontributet e rëndësishme që ka dhënë familja mbretërore tajlandeze në promovimin e miqësisë Kinë-Tajlandë. Ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, vuri në dukje Xi, duke shtuar që, përgjatë këtij gjysmë shekulli, pavarësisht ndryshimeve në arenën ndërkombëtare, Kina e Tajlanda kanë qëndruar gjithmonë krah për krah dhe e kanë ndihmuar njëra-tjetrën, duke qenë vërtet të afërm, miq e partnerë të mirë. “Në këtë pikënisje të re, jam i gatshëm të punoj me Mbretin Vajiralongkorn për të udhëhequr ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Tajlandë, për arritjen e përparimeve më të mëdha në 50 vjetët e ardhshëm, duke shkruar së bashku një kapitull të ri në marrëdhëniet miqësore dypalëshe,” shtoi kreu i shtetit i Kinës.

Ndërsa mbreti tajlandez Maha Vajiralongkorn Phra Vajiraklaochaoyuhua shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Kinë. Ai vuri në dukje se erdhi përsëri në Kinë pas shumë vjetësh, duke dëshmuar ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur aty, të cilat shfaqin një Kinë moderne dhe të bukur. Mbreti i Tajlandës e përgëzoi Kinën për arritjet e rëndësishme në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe vuri në dukje që Tajlanda e Kina kanë miqësi të ngushtë dhe shkëmbime të ngushta njerëzore, ndërsa bashkëpunimi dypalësh është thelluar dhe zgjeruar. Ai theksoi se bashkëpunimi tajlandezo-kinez është si ai midis vëllezërve, duke shtuar që Tajlanda është e gatshme të mësojë aktivisht nga përvoja e zhvillimit të Kinës, të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme, të forcojë shkëmbimet njerëzore dhe të thellojë më tej miqësinë dypalëshe.


