Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën pasdite në Pekin me kryeministrin e Norvegjisë Jonas Gahr Store, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Presidenti Xi vuri në dukje se gjatë 70 vjetëve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Norvegjisë, të dy popujt e kanë respektuar dhe vlerësuar njëri-tjetrin, si edhe kanë mësuar nga njëri-tjetri, duke krijuar një miqësi të çmuar. Zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit miqësor kino-norvegjez është në përputhje me vullnetin e të dy popujve dhe interesat themelorë të të dy vendeve, si edhe me prirjen e përgjithshme të lidhjeve më të ngushta ndërmjet vendeve në mbarë botën. Kina është e gatshme të punojë me Norvegjinë për të promovuar zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit miqësor dypalësh.
Kreu i shtetit kinez theksoi në vijim se, duke i hedhur një vështrim historisë 70-vjeçare të marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Norvegjisë, vëren se miqësia dhe bashkëpunimi janë motivi kryesor. “Përvoja historike tregon që, për të ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve dypalëshe, gjëja më e rëndësishme është të respektojmë njëri-tjetrin dhe të kërkojmë gjuhën e përbashkët duke lënë mënjanë dallimet, duke përfshirë respektimin e interesave thelbësorë dhe përkujdesin për shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit,” theksoi ai.
Më tej Xi shtoi që Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Norvegjinë në platforma shumëpalëshe, si Kombet e Bashkuara, të praktikojë multilateralizmin e vërtetë dhe të promovojë një shumëpolarizim të barabartë dhe një globalizim ekonomik që krijon përfitime për të gjithë. Ai shprehu shpresën se Norvegjia do të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.
Nga ana e tij, kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Store nënvizoi se Norvegjia ishte një ndër vendet e para nordike që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Që nga vendosja e lidhjeve diplomatike ndërmjet Norvegjisë dhe Kinës, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë zhvilluar mirë dhe të dy palët kanë zhvilluar dialog e bashkëpunim me respekt të ndërsjellë. Norvegjia respekton sovranitetin e Kinës, i përmbahet politikës së “një Kine” dhe është e gatshme që, bashkë me Kinën, të vazhdojnë respektimin e interesave thelbësorë dhe shqetësimeve kryesore të secilit vend.
Norvegjia mbështet tregtinë e lirë dhe është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kinën në kornizat shumëpalëshe si G20, dhe mbështet forcimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Kinës, shtoi kreu i qeverisë norvegjeze.
Të dy palët shkëmbyen mendime për çështje të nxehta, si kriza e Ukrainës. Xi Jinping-u theksoi se Kina inkurajon dhe mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës dhe do të vazhdojë të këmbëngulë në promovimin e paqes dhe të bisedimeve, duke luajtur një rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes politike të krizës ukrainase. Ai shprehu shpresën që të gjitha palët do të punojnë së bashku për të krijuar kushte të favorshme për zgjidhjen politike të krizës nëpërmjet dialogut.
93