Agjencia Zhurnal.mk

Ylber Sela në Konferencën Shkencore “Gjuha dhe Shkolla Shqipe në Maqedoninë e Veriut”

Shkup, 24 shtator – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u realizua konferenca shkencore me titull “Gjuha dhe shkolla shqipe në Maqedoninë e Veriut”, që kishte për synim të bëjë një skanim të gjendjes gjuhësore të shqipes standarde në shkollën shqipe në vendin tonë dhe të ndihmojë në ngritjen e nivelit të përdorimit të saj.

Konferencën e hapi drejtori i ITSHKSH-së, Dr. Skender Asani, i cili vuri në pah rëndësinë që ka kjo konferencë jo vetëm për gjuhën standarde shqipe, por në përgjithësi për shkollën shqipe në vendin tonë.

Fjalë përshëndetëse patën edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Dr. Ylber Sela, dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tetovës, Dr. Berton Sulejmani, dhe shefi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, Dr. Ismet Osmani.

Pas kësaj vijoi leximi i kumtesave, ndër të cilat ishin edhe veteranët e arsimit dhe pedagogët e njohur, prof. Avzi Mustafa dhe prof. Xhemaludin Idrizi. Në këtë konferencë morën pjesë studiues të Universitetit të Tetovës, të Universitetit të Evropës Juglindore, të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, si dhe nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Konstatimi i përgjithshëm i konferencës ishte se niveli i përdorimit të gjuhës standarde në shkollë nuk është në nivel të kënaqshëm dhe kjo na imponon një mobilizim më të madh të më shumë strukturave shoqërore, siç janë familja shqiptare, shkolla, institucionet botuese të librave shkollorë, por edhe institucionet e arsimit të lartë që përgatisin kuadro për mësimdhënien e gjuhës shqipe në shkollat tona.

“Më lejoni t’ju përshëndes dhe të shpreh kënaqësinë time të veçantë që ndodhem në këtë ngjarje kulturore e shkencore për gjuhën shqipe.
Tanimë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës është bërë krah i djathtë i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në aktivitetet e ndryshme që i organizon, sidomos në ato që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë ne ecim drejt një qëllimi të përbashkët duke dhënë ndihmesën tonë dhe duke i plotësuar zbrazëtirat që janë krijuar në periudha të ndryshme. Gjuha shqipe është detyrimi ynë kryesor kombëtar, por tanimë është bërë edhe detyrim ligjor dhe institucional, për arsye se me miratimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, janë hapur dyert që edhe kjo të gjejë vendin e vet në përdorim zyrtar. Ne bëjmë çmos që ta realizojmë këtë në praktikë, duke mbështetur e ndihmuar institucionet shtetërore, si dhe duke sensibilizuar e ndërgjegjësuar qytetarët për këtë të drejtë themelore. Prandaj, bashkëngjitja e AZGJ-së në këto aktivitete është një punë e zakonshme dhe e natyrshme. Duke iu përgjigjur ftesës për të marrë pjesë këtu, ne konsiderojmë se është edhe pjesë e jona. Gjuha shqipe është preokupim dhe vizion i përbashkët. Ne çdo ditë e më tepër e plotësojmë mozaikun e saj në jetën tonë shqoqërore. Duke u nisur nga kjo, uroj që kjo frymë e bashkëpunimit dhe mbarëvajtjes të vazhdojë edhe më tej, duke e nderuar dhe lartësuar gjuhën shqipe si trashëgimi të rëndësishme të identitetit tonë”, është shprehur Sela.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...