Zaev: Marrëveshja e Ohrit solli frymë të re në drejtimin e politikave që ndërtoјnë ura, së bashku zhvillohemi si shtet anëtar i NATO-s dhe anëtar i ardhshëm i BE-së

Shkup, 27 korrik – Marrëveshja kornizë e Ohrit solli frymë të re të drejtimit të politikave që ndërtojnë ura, ndërsa nuk i prishin  ato, politika që bashkojnë qytetarët dhe nuk i ndajnë ata në rrugën e sigurimit të së ardhmes së vendit tonë në shtëpinë e përbashkët euroatlantike së bashku me popujt tjerë. Me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, shteti ynë është më i qëndrueshëm dhe më i sigurt, me tolerancë të garantuar ndëretnike dhe kohezion më të fortë social. Së bashku ne jemi duke u zhvilluar si një vend në të cilin shanset e prosperitetit janë të barabarta për të gjithë, si anëtare e NATO-s dhe anëtare e ardhshme e BE-së.

 

Këtë e deklaroi kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në seancën solemne kushtuar 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit.

Ai nënvizoi se ky përvjetor i rëndësishëm  përputhet edhe me 30 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, me 80 vjetorin e kryengritjes popullore dhe me 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim,  si hap i yni i parë në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me këtë rast theksoi përkushtimin e Qeverisë aktuale në rrumbullakimin e Marrëveshjes Kornizë me miratimin e Ligjit për gjuhët.

“Një nga prioritetet e para në listën që Qeveria e sapoformuar në vitin 2017 ishte rrumbullakimi i pjesës normative që rezultonte nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Amendamenti 5 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qeveria e atëhershme, në të cilën ministra ishin edhe një pjesë më e madhe nga kjo, përbërje aktuale e pushtetit ekzekutiv, e plotësoi detyrimin që pa nevojë zgjatej nga të gjitha Qeveritë e mëparshme dhe e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si dhe me të gjitha ndryshimet e tjera ligjore dhe akte nënligjore për përfshirje të drejtë, u rrumbullakuan dispozitat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 dhe me të cilën iu dha fund konfliktit dhe e cila ishte e pranueshme si garanci që të gjitha çështjet me interes të komuniteteve në vendin tonë do të zgjidhen përmes dialogut dhe përmes institucioneve”, tha kryeministri Zaev.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, shtoi ai, i dha fund konfliktit i cili me vete mori edhe viktima dhe e cila parandaloi që atdheu ynë i përbashkët të bëhet vend i konfliktit të vazhduar dhe i një shoqërie pa shpresë për një jetë të qetë.

“Megjithatë, Në çaste kur bashkëjetesa dhe toleranca ndëretnike u vendosën në testin më të rëndësishëm, treguam se ne problemet do t’i zgjidhim përmes sistemit institucional dhe assesi ndryshe.  Treguam se dëshirojmë të jetojmë në pajtim dhe të bashkuar, për të përparuar të gjithë së bashku. E gjithë kjo ishte arritur në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe OSBE-në.  Sot kjo është edhe histori e tyre e suksesshme të cilën e shënojmë bashkërisht. Me detyrimet për respektimin e plotë të parimeve të mos-diskriminimit, barazisë dhe drejtësisë për të gjitha bashkësitë etnike, filloi ndërtimi i Maqedonisë së Veriut si një shoqëri për të gjithë mbi themele të forta, të dakorduara mes të gjitha bashkësive etnike dhe me mbështetjen e të gjithë qytetarëve”, tha Zaevi.

Ai theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit, në thelbin e saj, ka dialogun, mirëkuptimin dhe krijimin e një atmosfere miqësore si vlera themelore për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, ishte udhëzim edhe për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Mbi vlerat e atyre marrëveshjeve, Maqedonia e Veriut bëri një kthesë historike në ndërtimin e një shteti sipas standardeve evropiane.

“Prandaj sot Republika e Maqedonisë së Veriut njihet si shoqëri e përbashkët dhe e barabartë për të gjithë qytetarët. Koncept në të cilin besojmë fuqishëm. U përcaktuam për politika të cilat e ndërtojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut si shtet qytetar i të gjithëve që jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vlleh, romë, boshnjakë dhe të gjitha komunitetet e tjera.  Pranuam që maqedonasit, si popull shumicë në vendin tonë, kanë përgjegjësi të krijojnë politika dhe atmosferë për ruajtjen, mbrojtjen dhe avancimin, afirmimin dhe mbështetjen e përdorimit të të gjitha gjuhëve të tjera të pjesëtarëve që jetojnë në vendin tonë. Përcaktimi ynë është që të ndërtojmë dhe të ruajmë shoqërinë në mënyrë të barabartë për të gjithë, qëllimi ynë është që të ndërtojmë një shoqëri civile, njëkohësisht me respekt ndaj dallimeve sociale, etnike, nacionale, fetare dhe kulturore – është veçantia dhe thelbi i bashkësisë sonë. Kjo bashkësi që u ndërtua me shekuj, për ne paraqet detyrim për ardhmërinë tonë të përbashkët”, porositi Zaevi.

Në seancën solemne mori fjalën edhe zëvendëskryetari i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive, Artan Grubi, i cili theksoi rëndësinë e shënimit të këtij përvjetori jubilar të Marrëveshjes Kornizë si një dokument i rëndësishëm që cili solli paqe, ndryshoi Kushtetutën dhe shoqërinë dhe na çeli perspektivat  euroatlantike.

Motoja e kremtimit është “Përtej Ohrit”, ndërsa programi fillon sonte me ekspozitë në Malla Stanica (Stacioni i vogël) në Shkup me vepra të artistëve nga të gjitha bashkësitë në vend, do të vijojë një shfaqje teatrore. Është planifikuar edhe seancë e Kuvendit, konferenca në tre universitete, koncerte, përfshirje të  bashkësive jo-shumicë dhe organizatave joqeveritare, ngjarje në Strugë, Kërçovë dhe Çair si komuna që janë rezultat i drejtpërdrejtë i implementimit të marrëveshjes… Programi do të përfundojë më 13 gusht me një konferencë në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia në Nju-Jork, me pjesëmarrjen e kreut të shtetit, por edhe miqtë nga bashkësia ndërkombëtare, NATO, BE, OSBE dhe SHBA-ja dhe mysafirë që ndihmuan në tejkalimin e krizës dhe Marrëveshjen Kornizë, si dhe me koncert ekskluziv nga Ram Lahaj me filarmoninë tonë dhe prani. Për më të rinjtë jemi duke planifikuar koncert në mbrëmje në shesh.

“Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me këshilltarë të angazhuar nga BE-ja, që punojnë në riorganizimin e administratës shtetërore, është përpiluar Propozim ligj për punën e Ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, i cili do të jetë ndërtuar në një ministri të vogël efektive që do të kujdeset për të drejtat e të gjitha bashkësive, jo vetëm etnike, por edhe të të gjitha përkatësive të mundshme. Tekstin do ta paraqesim së shpejti për sugjerimet tuaja. Së bashku i sistematizuam të gjithë të punësuarit sipas programit K5 pas më shumë se 10 viteve përpjekjesh dhe siguruam shtëpi për të gjithë të punësuarit dhe të gjitha bashkësitë dhe institucionet e lidhura në një vend dhe gjitha këtë në gjashtë muajt e parë të kësaj Qeverie”, informon Grubi.

Në seancën u drejtua edhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani i cili theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një margaritar politik që kaloi të gjithë kufijtë te ne, por ishte edhe forcë e brendshme që na përgatiti të përballemi me sfidat e jashtme, ndërsa ishte edhe bazë për nënshkrimin e dy marrëveshje të tjera me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës me Greqinë. Në këtë mënyrë, theksoi Osmani, krijohet kjo histori autentike që çdo ditë gjithnjë e më shumë pranohet brenda te ne, por bëhet edhe shembull në botë dhe ky është një shembull që është argument dhe bota e përdor.

Sipas ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, forca e Marrëveshjes së Ohrit është se përkundër dispozitave kushtetuese dhe detyrimeve ligjore që u jepnin të drejta bashkësive, ajo arriti të krijojë një klimë politike të bashkimit dhe të një shteti që ka kohezion të brendshëm.

Zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane Nikolla Dimitrov theksoi se në kuadër të kremtimit të jubileut 20 vjeçar, kulmi është më 13 gusht me një ngjarje të përbashkët me Universitetin Kolumbia, në të cilën do të vijnë shumë nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në qetësimin e krizës dhe ndërtimin e kësaj shtëpie të përbashkët . Një nga shtyllat është pikërisht Marrëveshja e Ohrit, tha Dimitrovi.

Related posts

Zëvendësministri Agim Nuhiu, uron Kurban Bajramin

R Zh

Dy zjarrfikës kanë mbetur të lënduar gjatë shuarjes së zjarrit në spitalin modular të Tetovës

N E

Këto vendime solli kryesia qendrore e ASH-së

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More