Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Zaev: Për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s

Shkup, 8 shkurt– Nuk ka alternativë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Me besimin për anëtarësim në NATO dhe BE, ne ndryshuam Kushtetutën tonë, me këtë edhe emrin tonë kushtetues. Në të vërtetë nuk ishte e lehtë, ishte një ndjenjë e hidhur, mund ta imagjinoni sa e vështirë është të shtoni diçka në emrin tuaj, por ne e bëmë atë për hir të të rinjve, për hir të fëmijëve dhe krijuam një miqësi të madhe me fqinjin Greqinë, tha kryeministri Zoran Zaev në debatin e sotëm onlajn të Këshillit Atlantik me temë “Maqedonia e Veriut në Pragun e Evropës”.

Ai potencoi se me vendim të Këshillit të BE-së në mars të vitit të kaluar për të filluar negociatat e anëtarësimit me vendin, ishte dashur të vijonte konferenca e parë ndërqeveritare, por kjo nuk ndodhi për shkak të vendimit të fqinjit tonë Bullgarisë.

“Bullgaria ka marrë qëndrim jo shumë miqësor, por unë fuqimisht besoj se kjo është për shkak se zgjedhjet janë shumë afër në Bullgari, kurse ne politikanët nuk jemi shumë pragmatikë kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Besoj se nëse vazhdoni të na ndihmoni, ne do të gjejmë zgjidhje menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari, sepse ky është një problem qesharak. Ne nuk duhet të mendojmë se si të bllokojmë ose ndalojmë dikë, por ta shikojmë të ardhmen dhe ta sigurojmë atë”, tha Zaevi.

Kryeministri deklaroi se midis Shkupit dhe Sofje do të ndërtohen edhe më shumë ura bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm.

“Është në interesin tonë të vazhdojmë dialogun, dhe jo të ngrijmë negociatat, por megjithatë ekzistojnë disa vija të kuqe që nuk mund t’i kalojmë. Bullgaria e kupton që ne kemi të drejtën e sovranitetit tonë dhe të drejtën e vetë-identifikimit, të ndjehemi si maqedonas, të flasim gjuhën tonë maqedonase. Ne këtu në Maqedoninë e Veriut i respektojmë të gjitha identitetet evropiane, por nuk kemi pretendime ndaj Bullgarisë apo ndonjë vendi tjetër në botë. Unë e konsideroj qëndrimin e tyre aktual si anakronik dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ne si vend do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të kapërcyer problemet, duke respektuar veten dhe të tjerët. Vendi ynë është Evropa me pak fjalë”, theksoi kryeministri Zaev.

Lidhur me prioritetet e brendshme shtetërore, kryeministri theksoi se të parët në listën e Maqedonisë së Veriut janë avancimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor, lufta kundër korrupsionit, si dhe arritja e të gjitha standardeve demokratike në përputhje me vlerat e BE-së për të justifikuar epitetin fener i demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur për ekonominë, kryeministri Zaev iu referua faktit se 10 kompani të reja, kryesisht nga vendet që janë aleatët tanë në NATO, investojnë në vendin tonë gjatë një krize globale të shkaktuar nga KOVID-19.

“Insistojmë në transformimin e ekonomisë sonë në një ekonomi të gjelbër, gjegjësisht i zëvendësojmë energjenset që helmojnë shoqërinë tonë siç është qymyri dhe konvertojmë kapacitet ekzistuese të energjisë për të punuar me energjinë diellore. Përmes këtij procesi, të cilin ne e quajmë ‘tranzicion i drejtë’,  gjithashtu sigurojmë paga dhe shëndet më të mirë për punonjësit në këtë lloj industrie. Me këtë proces, sigurojmë stabilitet shtesë të Maqedonisë së Veriut dhe shëndet për qytetarët tanë”, tha Zaev.

Paneli i organizuar nga Këshilli Atlantik, si pjesë e studimit me të njëjtin emër të përgatitur për vendin tonë nga ekspertë të kësaj organizate think tank amerikan, morën pjesë disa ekspertë njohës të situatës në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, lord Xhorxh Robertson, ambasadorët Robert Gelbart dhe Majkëll Karpenter, si dhe Xhejms O’Brajan i ekipit të tranzicionit të presidentit Xho Bajden dhe Damjan Marfi i Komitetit të marrëdhënieve të jashtme të Senatit të SHBA-së, me çrast kryeministri Zaev iu përgjigjur pyetjeve në disa tema kryesore të cilat u shtruan si pyetje nga ana e pjesëmarrësve në debat.

Lord Robertson në fjalimin në fillim të debatit, tha se Maqedonia e Veriut, në sajë të aspiratave të saj drejt NATO-s dhe BE-së, u vendos në hartën e atyre institucioneve dhe falë guximit të Zaevit dhe ish-kryeministrit grek Aleksis Cipras, dekada e mosmarrëveshjes për emrin përfundoi.

“Nga IRJM, doli Maqedonia e re e Veriut. Zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje dekadëshe mundi t’u kushtojë shtrenjtë këtyre dy politikanëve. Për shembull, Aleksis Ciprasi humbi pushtetin në Greqi, por Zoran Zaev arriti të mbetet kryeministër i Maqedonisë së Veriut”, tha Robertson.

Postime të ngjashme

Për një dekadë nuk është blerë asnjë zjarrfikëse e re

Z H

Zjarre edhe në Rakotinc dhe Kuçkovë të Shkupit

Z H

Shtabi i krizës në Kumanovë u bëri thirrje qytetarëve t’I respektojnë rekomandimet e Qeverisë

Z H

BE-ja dërgon pajisje dhe ndihmë për përballje me zjarret në Maqedoninë e Veriut

Z H

U ndanë 11 vendime për Kopshtin e fëmijëve “Fidani”

Z H

Prilep/ 11 qytetarë ngelin pa shtëpi, digjen dhe barakat sociale, shpëtohen 3 foshnje

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...