Zaev: Të drejtat e qytetarëve tanë garantohen me Kushtetutë pavarësisht grupeve etnike

Shkup, 25 korrik – Bllokimi nga Bullgaria i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE dhe censusi i ri janë disa nga sfidat pët të cilat flet në intervistë me “DW”, kryeministri Zoran Zaev.

 

“Procesi i ngadaltë i marrjes së vendimeve dhe kjo nevojë konsensuale për vendime, janë një problem i madh. Por përmes dialogut dhe diplomacisë arritëm të zgjidhim çështje 30-vjeçare, si kjo e mosmarrëveshjes për emrin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Dhe ne i tregojmë botës se ka shumë stil dhe sjellje europiane këtu në Europën Juglindore, madje edhe nga vendet kandidate si Maqedonia e Veriut. Por ne jemi gjithashtu një nga demokracitë funksionuese shumë të rralla multi-etnike dhe multi-fetare, duke dhënë një shembull kundër të gjithë kësaj ideje të kufijve etnikë. Por së fundmi Bullgaria u bë problem për integrimin tonë. Dhe unë besoj se sa më shpejt që Bullgaria të rikonfirmojë parlamentin dhe të zgjedhë qeverinë, aq më shpejt ekziston një mundësi për zgjidhje”, tha Zaev.

Në pyetjen nëse Shqipëria ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin eurointegrues, Kryeministri tha se Çdo vend meriton sistemin e vet të meritës.

“Çdo vend meriton sistemin e vet të meritës. Dhe me të vërtetë, ju uroj fat fqinjëve tanë perëndimorë, Shqipërisë, që të vazhdojnë rrugën, nëse ekziston një mundësi për t’ia dalë, përtej bllokimit të vazhdueshëm nga Bullgaria. Normalisht, fqinjët tanë meritojnë të vazhdojnë në rrugën e tyre europiane dhe nuk ka nevojë ‘të lidhen’ me vendet e tjera.

Bazuar tek arsyet praktike, Bashkimi Europian e lidhi Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, sepse dy vjet më parë, anasjelltas, edhe Maqedonia e Veriut ishte e lidhur me Shqipërinë. Dhe duke pasur parasysh këtë, ata besojnë fort se vendimi nga Këshilli Europian do të jetë më i lehtë për të dy vendet, sesa po të ndahen. Por sigurisht, nëse nuk ndodh një zhbllokim nga Bullgaria, i uroj Shqipërisë sukses dhe fat”, tha Zaev.

Në pyetjen se nëse të drejtat dhe privilegjet e rëndësishme, veçanërisht për pakicat, varen nga rezultatet e censusit të ri, Zaev tha se të drejtat e qytetarëve tanë nuk varen nga censusi, sepse ekziston një garanci kushtetuese për pakicat.

“Kam shumë besim, sepse më është premtuar edhe nga opozita e vendit tonë – nga tri partitë më të mëdha opozitare. Shtyrja në momentet e fundit në muajin prill ndodhi, sepse kërkuam një garanci nga opozita, që ajo të merrte pjesë. Kështuqë i gjithë muaji shtator është muaji ku do të kryhet censusi, pasi ne jemi ndër vendet e rralla që s’ka pasur census për rreth 20 vite. Pikërisht për këtë arsye, ne besojmë se censusi do të jetë shumë i suksesshëm. Por sigurisht, të drejtat e qytetarëve tanë nuk varen nga censusi, sepse ekziston një garanci kushtetuese për pakicat, për të gjitha të drejtat që ata kanë. Dhe ka të drejta dhe detyrime plotësisht të barabarta për të gjithë. Dhe ne jemi shumë krenarë për këtë, sepse projekti “One society for all” (Një shoqëri, për të gjithë) është një projekt shumë i suksesshëm. Të gjithë këtu në rajon e konsiderojnë atë si një projekt të suksesshëm dhe ai mund të jetë një shembull vërtet i mirë për Maqedoninë e Veriut”, shtoi Zaev.

Zaev gjithashtu tha se të drejtat e qytetarëve tanë, nga grupet etnike shqiptare, garantohen me Kushtetutë. Ashtu si këto të drejta u garantohen me Kushtetutë maqedonasve ose grupeve të tjera etnike, më të vogla. Pra nuk varet nga shifrat, sepse kjo është e garantuar me Kushtetutë. Dhe duke pasur parasysh këtë,Marrëveshja e Ohrit ishte për zgjidhjen e problemit mes grupeve të ndryshme etnike dhe fetare në vendin tonë./DW/

Related posts

Editorial: Themelimi i partisë së re nga Cërvenkovski, bie qeveria “Zaev2”!

R Zh

Analizë: Maqedonia e Veriut peng i krizës politike në Bullgari

Redaksia

Mbi 130 kompani dhe 500 ekspozues vendorë të përfshirë me pakon e pestë masash për industrinë për organizimin e ngjarjeve

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More