Zaev: Tragjedia në Tetovë të mos përdoret për përfitime politike

Shkup, 20 shtator – Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev në duelin e sotëm televiziv me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski në Kanal 5 edhe njëherë përsëriti se do t’i presë rezultatet nga hetimi për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës, e madje më pas do të sjellë vendim për dorëheqjet e ministrit Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij.

Zaev theksoi se ekspertiza do të jetë vetëm një input në sjelljen e vendimit të tij.

Ai e dënoi kërkesën dhe insistimin e vazhdueshëm të opozitës për dorëheqje të Filipçes, duke cekur se është motivuar vetëm nga dëshira për pushtet dhe grumbullim të pikëve politike. Konfirmoi edhe se për lëshimin në përdorim të spitalit modular në Tetovë ishin përmbushur të gjitha parakushtet ligjore. Për objekte të tilla, theksoi, bëhet  pranim-dorëzim, nuk jepet leje e përdorur.

“Ndodhi tragjedi e tmerrshme, humbje e madhe. Dorëheqjet janë parashtruar për shkaqe morale, ndërsa përgjegjësia e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë është e madhe. Dëshiroj t’i di hollësitë nga hetimi, t’i dëgjojmë shkaqet e sakta – nga se u shkaktua zjarri, a ka pasur dobësi dhe kush është përgjegjës, që ta sjell vendimin”, tha Zaev.

Ai përmendi edhe se në kushte të pandemisë, Filipçe dhe zëvendësi i tij kanë punuar shumë dhe mjaft me seriozitet, janë përballur me të gjitha sfidat, ndërkaq pandemi akoma ka dhe do të ketë, për ç’shkak, duhet pasur kujdes shumë ndaj vendimeve.

“Siç thashë, do t’i pres analizat dhe hollësitë për ta sjellë vendimin përfundimtar, por ai është vetëm një input në vendimin, këtu është edhe përgjegjësia tjetër – vazhdimësia, sepse fillimisht do të kemi sfida serioze. Unë jam kryeministër dhe si Qeveri është shumë me rëndësi se çfarë vendime sjellim sepse jemi përgjegjës për sistemin, qytetarët dhe shtetin”, tha Zaev.

Pasi që Mickoski gjatë duelit e akuzoi për tragjedinë duke cekur se spitali modular ishte lëshuar në përdorim pa dokument adekuat dhe duke cekur se nuk nevojitet vetëm përgjegjësi morale, por edhe penale, si dhe përgjegjësi politike, Zaev iu kundërpërgjigj se ato janë gënjeshtra të thëna kryesisht për përfitime politike.

Dëshira për pushtet ta bëjë njeriun aq përfitues politik ju ngjan vetëm ju. Ju jeni edhe hetues edhe gjykatës edhe prokuror”, i tha Zaevi Mickoskit.

“Literalisht nga mënga ‘nxirrni’gjëra të cilat janë larg çdo të vërtete të mundur. Spitalet modulare janë bërë si në të gjitha vendet, është zbatuar procedura në pajtim me ligjin, ndërsa ne nuk duhet të komentojmë pjesë të hetimit. Gjithçka është sipas ligjit, janë respektuar të gjitha rregullat. Aq shumë të jeni politikisht i orientuar për dëshirë të madhe për pushtet dhe për përfitim politik ta keqpërdorni këtë tragjedi, ju ngjan vetëm juve. Të keqpërdoret për qëllime politike kjo tragjedi e tmerrshme është e tejdukshme dhe atë qytetarët e shohin. Të gjithë ndjejmë keqardhje, por çështja është si paraqiteni si njeri me përgjegjësi. Përgjegjësia tek unë është e madhe sepse jam kryeministër. Vendosëm kontejnerë modularë paraprakisht të përpunuar në fabrika dhe për objekte të tilla bëhet pranim-dorëzim, nuk jepet leje e përdorur. Objektet janë vendosur në mënyrë që të mos na ndodhë skenari italian, si çdokund në botë. Keqpërdorimin e kësaj tragjedie për qëllime politike populli e njeh”, theksoi Zaevi, duke iu drejtuar liderit të VMRO-DPMNE-së.

Për tragjedinë, nënvizoi, do të jepen përgjigje në të gjitha pyetjet e mundshme. “Është banale nëse dikush mund ta zëvendësojë Zaevin në LSDM, prandaj thashë se është banale sepse askush nuk është i pazëvendësueshëm, e as Zaevi”, sqaroi Zaevi.

Ky është dueli i tretë i liderëve të dy partive më të mëdha, Zaev dhe Mickoski. 

Related posts

Halili: “Ballkani i Hapur” nuk është punë produktive

D V

MPJ me reagim për videoklipet joadekuate parazgjedhore në Bullgari

Z H

Editorial/ Me çka do të ankohen partitë për humbjen e zgjedhjeve pas sigurimit të fingerprintëve?

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More