Zana Krasniqi, një nënë model me 4 fëmijë, e bukur dhe në formë, vjen në një rrëfim të jashtëzakonshëm

nga Xh M

Zana Krasniqi një nga ikonat e bukurisë shqiptare, muza e fotografit Fadil Berisha, sot nënë e katër fëmijëve me një jetë krejt ndryshe nga ajo e pasarelave vjen si një kartolinë urimi këtë fundvit në Living për të na treguar më shumë rreth përditshmërisë së saj.

Kush është Zana sot dhe a i mungon ai ritëm jete i shfrenuar, ku setet fotografike ia zinin vendin njëra tjetrës e ku udhëtimet për punë ishin të shpeshta? Sot, gruaja e bukur me të cilën fytyra e emri sinkronizohen në mënyrë harmonike ka një qasje tjetër ndaj jetës. Në takimet tona të këtyre ditëve për realizimin e kësaj kopertine fundviti, ajo më tregon që gjëja më e rëndësishme që ka bërë gjatë këtyre “viteve të fshehura” ka qenë gjetja e ekuilibrit shpirtëror, duke investuar fort në të brendshmen, në atë të brendshme që quhet SHPIRT, me të vetmin synim për të ardhmen: paqen e brendshme.

Me nostalgji, ajo kujton momentin kur nga Miss Kosova shkoi të merrte pjesë në Miss Universe International, kompeticionin e nivelit më të lartë. Konkursi i bukurisë zhvillohej në Vietnam e, në atë kohë ajo ishte shumë e re dhe shumë e papapërgatitur emocionalisht. Zana ishte Miss-i i parë që po përfaqësonte Kosovën si shtet pas shpalljes të Pavarësisë në vitin 2008. Ishte hera e parë që po e shihte flamurin e Kosovës të ngritur në mesin e 86 shteteve dhe kjo ishte një ngjarje mjaft e rëndësishme dhe emocionuese në jetën e saj.

– “Për ato tri javë qëndrimi në Vietnam titulli im u politizua shumë, kishte shumë ngacmime dhe kërcënime nga shtetet fqinje, saqë edhe m’u kufizua dhe qëndrimi me kë do të shoqërohesha nga vajzat pjesëmarrëse. Një barrë që në atë moshë nuk është se e menaxhoja dhe aq mirë.

Pra, unë shkova si “zanë e bukur” dhe përfundova duke u marrë me çështje shumë të mëdha. Çdo gabim në ndonjë përgjigje ose veprime gjykohej shumë, shtoi kësaj edhe thënien e famshme që “femrat e bukura çalojnë për nga mençuria”. Erdhi vërtet një moment që po e përjetoja si barrë titullin e Miss-it. Më dhemb që as nuk e kam shijuar ndonjëherë. Tani, kur kthehem pas në kohë dhe e kujtoj ndiej keqardhje për veten që nuk kam ditur ta shijoj”.

E kur e pyes rreth industrisë së modës sot, thotë që ka shumë vajza të bukura, por jo modele të mirëfillta. Ka prurje interesante, por duhet një diversifikim promovimi ndryshe, në mënyrë që ato të bëhen sa më të dukshme dhe të vlerësohen tamam. Vetë Zana nuk është se ka ndonjë shtëpi mode të preferuar. I pëlqen marka Chanel, jo për të sfiluar, por si stil bashkëkohor dhe pa kohë.

Sot, gruaja e bukur me tipare të ngjashme me aktoren Angelie Jolie është shkëputur pothuajse fare nga jeta publike duke iu dedikuar tërësisht jetës familjare si një nënë shembullore dhe bashkëshorte e devotshme. Një zgjedhje kjo që erdhi në mënyrë organike. Gjatë setit fotografik, ajo tregon se arriti në një pikë ku jeta private po i shkatërrohej vetëm për shkak të vëmendjes së madhe mediatike që kishte.

–“Sot po e vë re se çfarë ndikimi kanë komentet në psikologjinë tonë. Në kohën time nuk diskutohej fare presioni psikologjik, vetëm paragjykoheshe. Erdha në një pikë ku nuk po e duroja dot më dhe doja vetëm të shpëtoja veten duke jetuar thjesht dhe shëndetshëm. Tani modelingun mund ta bëj edhe për qejf, ndërsa dikur jetoja me këtë gjë”.

Përveç rrugëtimit të saj dhe karrierës, ajo është vajza e këngëtarit të mirënjohur Naim Krasniqi, e rritur në një ambient të rrethuar me art e ku rregullat në shtëpi i kanë pasur të thjeshta dhe të qarta.

-“Veshi dhe syri duhen edukuar. Jo çdo lloj muzike kemi pasur të drejtë ta dëgjonim dhe jo çdo film kemi pasur të drejtë ta shikonim. Kjo ka ndikuar që dhe në këtë moshë të kem shumë kujdes se çfarë dëgjoj e shikoj. Kjo është përparësia që kemi pasur ne si fëmijë duke u rritur nga një artist me vlera si babai im. E atë çfarë vërtet kam trashëguar nga babi është shpirti artistik, të cilin mundohem ta mbaj gjallë”.

Sot, Zana është mami i Nolit, Duas, Diellit dhe Hënës. Mëmësia duket që është një rol i rëndësishëm në jetën e saj, i cili, përpos vështirësive që mund të ketë, e ka përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme. Por, para se të ndihet e përmbushur me fëmijët i është dashur të punojë shumë që fillimisht të ndihet e përmbushur me veten. Mundohet shumë të jetë një mami e ëmbël dhe e kuptueshme, por është e pamundur t’i menaxhojë disa situata pa qenë dhe e kundërta, e rreptë dhe mjaft e vendosur. Përtej bukurisë, që është aseti i saj, ajo është shumë e kujdesshme ndaj shëndetit, duke iu afruar natyrës dhe të katërt fëmijët është munduar t’i ushqejë me qumësht gjiri dhe këtë pjesë e ka shijuar tej mase.

– “Nëse e shikoj edhe nga ana shpirtërore mendoj që nënë-fëmijë është lidhja më e bukur dhe më e fuqishme. Unë kam shembullin më të mirë të mundshëm nga nëna ime. Më duhet ta cilësoj se jam rritur nga një nënë që na ka falur shumë dashuri. Mami nuk e ka kursyer dashurinë dhe përkujdesjen për rritjen tonë. Kjo ka ndikuar që të mbjellë një farë të mirësisë tek unë. Për të, si djemtë dhe vajzat kanë vështirësitë e tyre për t’u rritur. Tani po bëhet akoma më e vështirë qasja e saj me djalin e madh, i cili sapo ka hyrë në hapat e parë të fazës së paraadoleshencës dhe këtë rrugëtim të ri po e sheh si një sfidë të vërtetë që sapo ka nisur.

Nga një mami me plot kuptimin e fjalës “e zënë”, duket se është dhe një bashkëshorte tepër e kujdesshme. Qesh dhe duke biseduar thotë se asnjë martesë nuk është e përsosur, dhe sipas saj të rëndësishme për një raport të mirë janë ekuilibri dhe dashnija, siç shprehet Zana. – “Njerëzit ndryshojnë me kalimin e viteve, por unë mendoj që është e rëndësishme t’i pranojmë ndryshimet dhe ta pranojmë njëri-tjetrin bashkë me ato thinjat e reja e të gjitha ndryshimet që vijnë nga përvojat e jetës”. Me kohë kanë planifikuar një martesë në jug të Shqipërisë, por me sa duket shton ajo “Uroj mos të ndodhë kur të bëhem gjyshe”.

Nuk është se jepet shumë pas jetës virtuale, por në postimet e saj në Instagram nuk nguron të ndajë me ndjekësit e saj aspekte të një jetese të shëndetshme e një regjimi ushqimor të mirëorganizuar. Matcha, pilates, joga, xhiro me biçikletë e një prezencë natyre e pambarimtë. Ajo është e parimit se “një nënë e lumtur, rrit fëmijë të lumtur” dhe pa dashur të tingëllojë shumë egoiste kujdesi për veten e lumturon shumë. Nuk planifikon të ardhme, por mundohet të shijojë momentin.

Si fëmijë, gjithmonë ka qenë shumë kureshtare dhe tejet telepatike, gjë që për një kohë të gjatë e ka vënë në dyshime me veten e të mendojë që diçka nuk është në rregull. Shumë pyetje të sajat filluan të merrnin kuptim në natyrë. “Ne jemi vetë natyra, prandaj lidhja me natyrën është lidhja me veten.

E vetmja e përbashkët e të gjitha krijesave është natyra. E si prind, vërtet brengosem shumë se çfarë po u lëmë fëmijëve tanë, çfarë ajri do thithin e çfarë ushqimi do të hanë! Jemi dhënë shumë pas gjërave materiale dhe po harrojmë që trashëgimia e përbashkët, e vërteta e jona është veçse natyra. Krahas saj jemi të vegjël dhe të pafuqishëm, e prapë nuk bëjmë asgjë që ta ruajmë”.

E për ta mbyllur këtë intervistë me nuanca festive të gjithë duam të dimë se si festohen festat në shtëpinë e saj. Kohët e fundit (dy javë përpara setit fotografik, këtu kuptojmë dhe sa e disiplinuar është) ajo ka qenë në një regjim ushqimor, pa sheqer dhe pa brumëra.

Ndërkohë që tani, mezi po pret këto ditë për një “cinnamon roll” me verë të nxehtë. Pjatën kryesore do ta ketë përgatitur shefi i kuzhinës, bashkëshorti i saj, një traditë familjare kjo që gëzon çdo pjesëtar të kësaj familjeje.

Fotografia: Erjon Beshiri

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More