Zanatet e drejtimet deficitare drejt zhdukjes!

nga Redaksia

Shkup, 11 janar – Hulumtimi i tregut dhe përcaktimi i profesionit janë hapat kryesore dhe shumë të rëndësishëm që duhet të ndërmarrin studentët e ardhshëm. Por, maturantët e kanë të pamundur të bëjnë hulumtim të tregut, prandaj institucionet përgjegjëse janë atë që duhet ta marrin këtë çështje përsipër dhe të hulumtojnë tregun për të parë nevojat, dhe pastaj për të stimuluar pikërisht këto profesione që të jenë në fokus të të rinjve. Vetëm përmes kësaj forme mund të plotësohet mungesa e fuqisë punëtore në treg si dhe ikja e të rinjve si pasojë e papunësisë. Përndryshe, drejtimet deficitare po rrezikojnë të mbesin pa student si dhe shkollat pa mësimdhënës, që në realitet për një periudhë të shkurtë kohore paraqiten problematike shumë të mëdha. Nuk qëndron gjendja më mirë as me zanatet, dita ditës Çarshia e Shkupit po rrezikon të mbetet pa zejtarë, shkruan Zhurnal.

Zejtarët nën hijen e teknologjisë –

Çarshia e Vjetër e Shkupit në Maqedoninë e Veriut dita-ditës po humb edhe zejtarët e fundit, të cilët me shumë sakrifica kishin arritur t’i mbijetojnë zhvillimit të teknologjisë, krizës ekonomike, migrimit, por edhe mosinteresimit të shtetit për të ruajtur shumë zanate të trashëguara brez pas brezi. Në mesin e tyre është edhe Riza Bajrami, një nga tre farkëtarët e fundit në Çarshinë e Vjetër.

Ai thotë për REL se me këtë profesion ka nisur të merret që në moshën 17-vjeçare dhe përgjatë 40 vjetëve të ushtrimit të këtij profesioni, ka kaluar nëpër duart e tij disa tonelata hekur duke i shndërruar në sëpata, çekanë e vegla të tjera pune për nevojat e njerëzve, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete tjera të Maqedonisë së Veriut.

Me këtë profesion, Bajrami thotë se ka arritur të sigurojë ekzistencën për familjen e tij 5-anëtarëshe. Por, tani gjërat kanë ndryshuar, thotë ai, pasi me punën që bën nuk arrin të mbajë as veten e tij, e të mos flasim për familjen, e cila kërkon burime të tjera për mbijetesë.

“Nga kjo punë më parë mund të mbijetonin deri në tri familje. Kishte shumë punë, kishte gjallëri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Nuk kishte zejtar që nuk kishte punë. Tani, jemi në gjendje shumë të rëndë, asnjëherë më keq nuk kemi qenë. Punojnë sa për të thënë se po punojnë. Ndodh që brenda një muaji të punojnë vetëm një javë, por edhe më pak”, thotë Riza Bajrami, farkëtar.

“Koha ka bërë të veten dhe njerëzit gjithnjë e më pak kërkojnë shërbimet e tona, edhe pse veglat e gatshme që ata blejnë, nuk janë të cilësisë që ne ofrojmë”, shprehet ai. Bajrami thotë se zanatet në Çarshinë e vjetër po zhduken edhe për shkak të mosinteresimit të të rinjve për të vazhduar traditat e prindërve të tyre.

“Nuk do të ketë kush ta trashëgojë këtë zanat. Djali im nuk do, por nuk ka as të tjerë të interesuar pasi shumica kanë ikur jashtë vendit. Këtu nuk ka perspektivë, nuk ka kushte për të mbijetuar”, thotë Bajrami.

Drejtimet deficitare drejt zhdukjes –

Nëse pyesim se përse sot të rinjtë nuk po studiojnë drejtime deficitare për të cilat kuadro ka nevojë vendi ynë, përgjigja do të jetë e kësaj natyre. Përderisa mungon motivimi mungon edhe interesimi, sot studentët janë më pak të interesuar të studiojnë drejtime që janë deficitare në vend e për të cilat nuk dihet nëse të ardhmen do të punësohen. Nga ana tjetër tregu ka mungesë të profesionistëve të fushave të ndryshme dhe kjo mungesë veçse shtohet çdo ditë e më shumë. Mungojnë numër i madh i anesteziologëve në vend, specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, kimistë, fizikanët e matematicient të shumtë.

Kjo pasi mungon përkrahja e duhur financiare nga institucionet përgjegjëse, duhet edhe më shumë jo vetëm përmes bursave, që në realitet bursat duhet të jenë edhe më të larta që të mbulojnë këta studentë shpenzimet tashmë me krizën e thellë ekonomike. Pastaj, përpos përkrahjes financiare institucionet duhet të garantojnë punësimin e tyre pas diplomimit, që studentët e ardhshëm mos të kenë hamendje se çfarë pas diplomimit.

Por, siduket institucionet e vendit aq që brengosen për këtë pjesë janë në qetësi absolute, vetëm se kur të paraqitet nevoja e të ndjehet mungesa thellësisht atëherë krijohet situatë kritike që nuk mund të zgjidhet as brenda natës e as brenda ditës, pasi shkaku i problemit daton më herët por kundrejt këtij problemi tani për tani askush nuk po ndërmerr masa.

Megjithatë, përderisa ekziston hendeku mes tregut të punës dhe profesionit, një mospërputhje e pakuptimtë që në realitet nuk duhet të ekzistojë fare, krijohet kjo katrahurë që të rinjtë diplomojnë në drejtime të njëjta si mjekësi, juridik, ekonomi, administratë publike, e të tjera, ndërkaq nga ana tjetër ka mungesë të madhe në sociologji, psikologji, kimi, fizik, ndërtimtari, gjeodezi, e të tjera.

Kujtojmë që, tregu i punës RMV vuan nga aktiviteti i ulët, nivelet e ulëta të punësimit, papunësia e lartë dhe mospërputhja midis kërkesës dhe ofertës së punës. E kjo nuk vjen rastësisht, por pikërisht nga mungesa e përgjegjësisë së institucioneve që janë të ngarkuara për ta mbuluar këtë pjesë. Dhe sa më shumë që zgjat ky mos interesim pasojat do të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen jo shumë të largët. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More