Zanatet e vjetra drejt zhdukjes!

nga I.A

Shkup, 9 tetor – Hulumtimi i tregut dhe përcaktimi i profesionit janë hapat kryesore dhe shumë të rëndësishëm që duhet të ndërmarrin studentët e ardhshëm. Por, maturantët e kanë të pamundur të bëjnë hulumtim të tregut, prandaj institucionet përgjegjëse janë atë që duhet ta marrin këtë çështje përsipër dhe të hulumtojnë tregun për të parë nevojat, dhe pastaj për të stimuluar pikërisht këto profesione që të jenë në fokus të të rinjve. Vetëm përmes kësaj forme mund të plotësohet mungesa e fuqisë punëtore në treg si dhe ikja e të rinjve si pasojë e papunësisë. Përndryshe, drejtimet deficitare po rrezikojnë të mbesin pa student si dhe shkollat pa mësimdhënës, që në realitet për një periudhë të shkurtë kohore paraqiten problematike shumë të mëdha. Nuk qëndron gjendja më mirë as me zanatet e vjetra ku interesimi i të rinjve është nën nivelin e duhur për tu marrë me zanate , shkruan Zhurnal.

Zdrukthëtaria, drejt zhdukjes, të rinjtë të pa interesuar –

“Para njëzet vitesh kishte edhe fitim më shumë dhe një familje mundej të ekzistonte nga ky zanat. Ndërsa tani është problem. Materialet kanë çmim shumë të lartë. Mandej tek ne s’është si në perëndim. Në perëndim çmohet puna e dorës e tek ne aspak. Dikur ka pas shumë, mbi 25 zdrukthtarë ndërsa tani vetëm unë jam. Të rinjtë interesim nuk kanë aspak. Ka 20 vite që nxënësit dhe të rinjtë nuk kanë interesim aspak. S’kam as çirak, asnjë nuk vjen dhe më vjen keq sepse ky zanat është i vlefshëm, dhe i shëndetshëm por për fat të keq s’ka. Njëjtë problem kemi edhe për punëtor, andaj kanë ngrit edhe çmimin e mëditjes”, tha Lulzim Osmani, marangoz.

Osmani thotë se shteti nuk ndihmon aspak. Subvencionet për vetëpunësim që lëshohen nga Ministria e Ekonomisë, e që janë rreth 5 mijë euro, ai thotë se janë shumë pak për të nisur një biznes.

“Shteti ka filluar me subvencionet. Tash ka nisur para dy muajsh. Ministria e Ekonomisë ka dhënë për këta që hapin firma të reja u japin nga pesë mijë euro, por nuk është e kënaqshme aspak. Nuk mjaftojnë për zejtar këto mjete, por vetëm për berberin dhe për frizerin. Minimal 20.000 euro duhet të ndahen për zejtarët”, shtoi Lulzim Osmani, marangoz.

Ndryshe në rajonin e Pollogut janë të regjistruar rreth 700 zejtar, por vetëm 7 për qind e tyre aplikojnë për fondet që ndan Ministria e Ekonomisë për zhvillimin e zejtarisë. Shkaku për numrin e ulët, sipas Ministrit të Ekonomisë, është i panjohur.

“Nuk e dimë arsyen përse në rajonin e Pollogut ka kaq pak interesim për aplikime në këto fonde andaj do takojmë gjithë zejtarët dhe odat ekonomike të kësaj zone, për tu njohur nga afër me hallet e tyre dhe për të bashkëbiseduar se përse nuk aplikojnë për këto fonde”, deklaroi për Alsat, Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Zejtarët po ashtu kërkojnë nga Ministria e Ekonomisë që fondi prej 5 apo 6000 euro të rritet, sepse me kaq para thonë zejtarët, mund të blejmë vetëm materialin, por jo edhe makinat e nevojshme për punë.

Drejtimet deficitare drejt zhdukjes –

Nëse pyesim se përse sot të rinjtë nuk po studiojnë drejtime deficitare për të cilat kuadro ka nevojë vendi ynë, përgjigja do të jetë e kësaj natyre. Përderisa mungon motivimi mungon edhe interesimi, sot studentët janë më pak të interesuar të studiojnë drejtime që janë deficitare në vend e për të cilat nuk dihet nëse të ardhmen do të punësohen. Nga ana tjetër tregu ka mungesë të profesionistëve të fushave të ndryshme dhe kjo mungesë veçse shtohet çdo ditë e më shumë. Mungojnë numër i madh i anesteziologëve në vend, specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, kimistë, fizikanët e matematicient të shumtë.

Kjo pasi mungon përkrahja e duhur financiare nga institucionet përgjegjëse, duhet edhe më shumë jo vetëm përmes bursave, që në realitet bursat duhet të jenë edhe më të larta që të mbulojnë këta studentë shpenzimet tashmë me krizën e thellë ekonomike. Pastaj, përpos përkrahjes financiare institucionet duhet të garantojnë punësimin e tyre pas diplomimit, që studentët e ardhshëm mos të kenë hamendje se çfarë pas diplomimit.

Por, siduket institucionet e vendit aq që brengosen për këtë pjesë janë në qetësi absolute, vetëm se kur të paraqitet nevoja e të ndjehet mungesa thellësisht atëherë krijohet situatë kritike që nuk mund të zgjidhet as brenda natës e as brenda ditës, pasi shkaku i problemit daton më herët por kundrejt këtij problemi tani për tani askush nuk po ndërmerr masa.

Megjithatë, përderisa ekziston hendeku mes tregut të punës dhe profesionit, një mospërputhje e pakuptimtë që në realitet nuk duhet të ekzistojë fare, krijohet kjo katrahurë që të rinjtë diplomojnë në drejtime të njëjta si mjekësi, juridik, ekonomi, administratë publike, e të tjera, ndërkaq nga ana tjetër ka mungesë të madhe në sociologji, psikologji, kimi, fizik, ndërtimtari, gjeodezi, e të tjera.

Kujtojmë që, tregu i punës RMV vuan nga aktiviteti i ulët, nivelet e ulëta të punësimit, papunësia e lartë dhe mospërputhja midis kërkesës dhe ofertës së punës. E kjo nuk vjen rastësisht, por pikërisht nga mungesa e përgjegjësisë së institucioneve që janë të ngarkuara për ta mbuluar këtë pjesë. Dhe sa më shumë që zgjat ky mos interesim pasojat do të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen jo shumë të largët. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More