Zbrazja e vendit vazhdon, duhet të merren masa për reduktim të eksodit masiv

nga I.A

Shkup, 9 korrik – Në sezonën e verës kur fluksi i diasporës që vijnë për pushime shtohet kuptohet qartësisht se sa i madh është numri i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Braktisja e vendlindjes nuk është fare e lehtë e thonë ata që veçmë kanë qenë të detyruar pa rrugëdalje tjetër të lëshojnë vendin, nga ana tjetër institucionet e vendit kanë qëndruar duarkrqyq karshi kësaj dukurie negative dhe me pasoja afatgjate, shkruan Zhurnal.

Vendi zbrazet, institucionet vazhdojnë me avazin e neglizhencës –

Maqedonia e Veriut nuk ka pasur strategji të mirëfilltë për parandalimin e largimit të fuqisë punëtore nga vendi. Kështu deklaron drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore, Durim Zekiri, në lidhje me shifrat alarmante që i publikoi Enti Shtetëror i Revizionit. Sipas raportit Maqedonia e Veriut ndodhet në top 5 vendet me migrim masiv të kuadrit të arsimuar.

“Sa i përket lëvizjes së fuqisë punëtore në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan, mendoj se është trend i cili është duke ndodhur, por ja që shteti nga shtet ndryshon mbi atë se çfarë qasje ka pasur mbi këtë fenomen. Këtu duhet të jemi të sinqertë që të themi të vërtetën se Maqedonia e Veriut nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë e cila do ta parandalonte apo së paku ta minimizonte këtë efekt që në shikim të parë, mbase duket ndoshta ndonjëherë pozitiv, por që në plan afatmesëm dhe afatgjatë migrimi dhe kjo normë e lartë e migrimit dhe fuqisë punëtore në përgjithësi, ka efekte negative në ekonomikë dhe mirëqenien e të gjithë atyre që do të ngelin në vend”, tha Durim Zekiri, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së për Alsat.

Sipas Zekirit, për të parandaluar emigrimin e fuqisë punëtore, shteti duhet të ndërmarrë masa për funksionimin e institucioneve dhe shtetit të së drejtës me qëllim që të krijohen parakushte të tjera për të zhvilluar ekonomi dhe biznes.

“Duhet të kemi parasysh se ky problem është shumë kompleks dhe nuk trajtohet shumë lehtë ashtu siç dëgjojmë dita ditës. Mendoj që Oda Ekonomike e Maqedonisë Perëndimore është institucioni i vetëm i cili, përpos që ka bërë identifikimin e problemit, ka dhënë edhe solucionin e saj, për të njëjtin problem. Ku ne si Odë, kemi kërkuar së pari të kemi institucione të shëndosha, të mirëfillta të cilët kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet dhe më pas kemi kërkuar që shteti legjislativ, gjegjësisht gjyqësori të jetë i pavarur dhe të funksionojë, të ketë sundim të ligjit e më pas janë elementet tjera siç janë, shëndetësia, arsimi, siguria në përgjithësi”, u shpreh Durim Zekiri, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së.

Sipas Entit të Revizionit, prej vitit 2013-të deri në vitin 2021, Maqedonisë së Veriut i kanë ikur mesatarisht nga 2.500 persona në vit me arsim të lartë, për të cilët, shteti ka investuar rreth 725 milionë euro. Sipas hulumtimit, masat e ndërmarra nga shteti për të parandaluar këtë fenomen, nuk kanë qenë efektive. Nga ana tjetër, sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion për vitin 2020, Maqedonia e Veriut ndodhet në top 20 vendet në botë për emigrim më masiv jashtë vendit, ndërkaq sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, thuajse 40% e kuadrove me arsim të lartë e kanë lëshuar shtetin.

Numri i shkollave fillore në rënie, 15 shkolla te mbyllura

Në një vit, numri i shkollave fillore në Maqedoni është ulur me 15, ndërsa numri i mësuesve është rritur me 283. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjithsej 14 shkolla fillore të rregullta janë mbyllur brenda një viti, duke ulur totalin nga 976 në 962. Një shkollë fillore speciale gjithashtu është mbyllur sipas të njëjtave burime.

Në të njëjtën kohë, numri i paraleleve në një vit ka pësuar një rënie të vogël, nga 11.057 në 10.997, ndërsa numri i nxënësve është zvogëluar nga 184.910 në 182.245. Megjithatë, është vlerësuar se numri i mësuesve në arsimin fillor është rritur, duke shkuar nga 19.326 në 19.609.

Ndërsa në arsimin e mesëm, numri i nxënësve u zvogëlua për 2700 dhe numri i klasave për 49 në të njëjtën periudhë. Kjo tendencë tregon ndryshime në strukturën e arsimit në Maqedoni, me një fokus të qartë në rregullimin dhe optimizimin e rrjetit shkollor në vend.

Kujtojmë që, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, numri i nxënësve në të gjitha shkollat fillore të vendit ishte 185.099, që paraqet një rënie prej 0.8% krahasuar me vitin shkollor paraprak 2021-2022.

Shkollat shqiptare po boshadisen gjithandej, kryesisht në numër më të madh dhe shqetësues, nga Tetova, Kumanova, Likova, Gostivar, Kërçovë, Dollnen, Veles, si dhe nga kryeqyteti Shkup.

Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More