Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin të Gjermanisë, për të marrë pjesë në çeljen e Panairit të Turizmit, më i madhi në botë, ku Shqipëria është zgjedhur si vendi i nderit për vitin 2025.
Kryeministri ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të prezantuar turizmin dhe bukuritë e Shqipërisë, përmes një videoje ku Rama flet në disa gjuhë të ndryshme të botës, për të përcjellë atraksionet turistike të vendit tonë, nga detet me ujërat e kaltra, malet e larta dhe gastronominë.
Rama ka ndarë në rrjetet sociale videopërshëndetjen surprizë për Panairin e Turizmit në Berlin, ku Kryeministri shihet duke folur në disa “gjuhë që nuk i di fare”, ndërsa thotë se “duket sikur i di në mënyrë perfekte këto gjuhë, por është pak magji e Inteligjencës Artificiale”.
Në këtë panair do të jenë 190 vende pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozues , ndërsa Shqipëria turistike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare.