Agjencia Zhurnal.mk

Zbulohen mesazhet që Harry ia kishte dërguar babait të Meghan Markle para dasmës

Harry u përpoq në mënyrë të përsëritur të kontaktonte babanë e Meghan Markle, duke paralajmëruar se të folurit me shtypin do të bënte që ai dikur të sulmohej nga ata.

Princi Harry iu përgjërua vjehrrit të tij të atëhershëm, Thomas Markle, të ndalonte së foluri me gazetat dhe fajësoi mediat për prishjen e marrëdhënieve të Markle me çiftin mbretëror, sipas një seri mesazhesh me tekst të dërguara në prag të dasmës së tij me Meghanin, shkruan The Guardian.

Mesazhet, të zbuluara në dokumentet gjyqësore të paraqitura në gjykatën e lartë të hënën, tregojnë se Harry u përpoq në mënyrë të përsëritur të bënte kontakte në ditët para dasmës televizive mbretërore në maj të vitit 2018. Thomas Markle, i cili jeton në Meksikë, ishte pritur që ta shoqëronte vajzën e tij në altar në ceremoninë martesore të zhvilluar në Pallatin Windsor.

Në një mesazh, Harry u përpoq të shpëtonte situatën para dasmës. “Tom, Harry përsëri! Me të vërtetë duhet të flasim me ty. Ju nuk keni nevojë të kërkoni falje, ne i kuptojmë rrethanat por “bërja publike” do ta keqësojë situatën. Nëse e doni Meghanin dhe dëshironi ta bëni atë si duhet, ju lutem më telefononi pasi ekzistojnë dy mundësi të tjera që nuk ju përfshijnë juve që të flisni me mediat, të cilët rastësisht krijuan këtë situatë të tërë. Prandaj ju lutem më telefononi që të mund t’ua shpjegoj. Meg dhe unë nuk jemi të zemëruar, ne vetëm duhet të flasim me ju. Faleminderit”, ishte mesazhi që Princi Harry i dërgoi vjehrrit të tij pak para dasmës.

Ai shtoi: “Oh, çfarëdo që të flasësh për shtypin nuk do të ketë zgjidhje, më beso Thomas. Vetëm ne mund t’ju ndihmojmë, siç jemi përpjekur që nga dita e parë”.

Në vend që t’i përgjigjej thirrjeve dhe mesazheve të Harryt, pretendohet se Thomas Markle në vend të kësaj dha një deklaratë në uebfaqen e famshme amerikane TMZ duke thënë se ai kishte pasur një sulm në zemër. Meghan mësoi për shtrimin në spital të babait të saj, vetëm disa ditë para dasmës së saj, nga raporti i TMZ.

Meghan më vonë i shkroi mesazh babait të saj në spital për t’i ofruar mbështetjen e saj. “Unë kam qenë duke ju pritur juve gjatë gjithë fundjavës, por ju nuk jeni duke marrë ndonjë nga thirrjet tona ose duke iu përgjigjur ndonjë mesazhi … Shumë të shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë tënde dhe kemi ndërmarrë çdo masë për t’ju mbrojtur por nuk jam e sigurt se çfarë mund të bëjmë nëse nuk përgjigjeni… A keni nevojë për ndihmë? A mund ta dërgojmë ekipin e sigurisë përsëri? Më vjen shumë keq të dëgjoj se jeni në spital, por kam nevojë që ju të luteni të kontaktoni me ne … Në cilin spital ndodheni?”, ishte mesazhi i Meghanit.

Pasi Markle refuzoi ofertën e rojeve të sigurisë për ta mbrojtur atë nga ndërhyrja në shtyp, dokumentet e gjykatës thonë se Meghan i shkroi mesazh përsëri. “Harry dhe unë morëm një vendim më herët sot dhe po dërgojmë të njëjtët djem të sigurisë për të qenë në terren për t’u siguruar që të jesh i sigurt … ata do të jenë atje në dispozicionin tënd posa të kesh nevojë për ta. Të lutem telefono sa më shpejt që të mundesh. E gjithë kjo është tepër shqetësuese por shëndeti juaj është më i rëndësishmi”, shkruhej në mesazhin e radhës.

Në dosjen e gjykatës, Meghan tha se kontakti i fundit që ajo mori nga babai i saj ishte një telefonatë e humbur në orën 4:57 të mëngjesit të datës 19 maj 2018, mëngjesin e dasmës, dhe ata nuk kishin qenë në kontakt përveç letërkëmbimit.

Dukesha e Sussex-it ka hedhur në gjyq botimin Mail On Sunday në kuadër të tabloidit të famshëm britanik, DailyMail, për pretendime të cenimit të intimitetit, shkelje të së drejtës së autorit dhe keqpërdorim të të dhënave personale pasi tabloidi publikoi fragmente nga një letër që ajo më pas i dërgoi babait të saj duke u ankuar për trajtimin e saj.

The Mail On Sunday argumenton se si një anëtar i familjes mbretërore nuk kishte një pritje të arsyeshme të intimitetit dhe se nuk kishte asnjë marrëveshje me babanë e saj që letra të mbetej private.

Në përgjigjen e saj ligjore, Meghan tha se Mail On Sunday kishte kërkuar ta “sulmojë dhe frikësojë”. Ajo tha se nuk e kishte idenë që pesë nga miqtë e saj të ngushtë kishin zgjedhur të bashkëpunonin kolektivisht me revistën amerikane People për të ‘spiunuar’ në lidhje me marrëdhënien e saj me babanë e saj, e cila përfshinte referenca për letrën. Mail On Sunday më parë ka sugjeruar që ata po vepronin me miratimin e Meghanit, duke argumentuar se kjo do të thoshte që babai i saj kishte një të drejtë të ligjshme t’i përgjigjej pretendimeve në lidhje me letrën.

Avokatët e Meghanit sugjerojnë gjithashtu që Thomas Markle pretendoi të kishte bërë një intervistë nëntë orëshe me një reporter të Mail On Sunday në korrik të vitit 2018. Markle i tha vajzës së tij në një letër: “Ai [reporteri] tha disa gjëra që i thashë me besim, por 85 përqind ishin gënjeshtra dhe dëme! Unë e thirra dhe i thashë që ishte hajdut, gënjeshtar dhe frikacak! Unë nuk kam dashur ose nuk kam ndërmend t’i jap një intervistë dhe sigurisht që nuk do të bëja nëntë orë falas!”.

Dokumentet u dorëzuan në gjykatën e lartë të premten, pak para se çifti të dërgonte një letër për redaktorët e gazetave britanike, ku thuhej se ata tani do të miratonin një politikë të “angazhimit zero” me ta. Dyshja u larguan nga detyrat e tyre mbretërore në fillim të muajit dhe u transferuan kohët e fundit në Kaliforni.

Princi Harry ndërkohë është në një çështje gjyqësore me tabloidin e famshëm britanik, The Sun.

Seanca dëgjimore në lidhje me çështjen e The Sun do të zhvillohet me video konferencë të premten.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...