Puna për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës vazhdon. Kështu tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Pavarësisht se si do të ndikojë mbajtja e paralajmëruar e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të planifikuara për gjysmën e parë të 2021-ës, në procesin e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit, Brukseli vuri në dukje se puna për dialogun vazhdon.
“Ne do t’i shpallim takimet e ardhshme kur të vijë koha”, shtoi Stano.
Pas rundit të fundit të bisedimeve në nivel të ekspertëve midis Kosovës dhe Serbisë më 10 dhjetor, të dyja delegacionet njoftuan takimin e ardhshëm në nivelin teknik për fillimin e janarit në Bruksel, raporton “Tanjug”, transmeton “Klan Kosova”.
Më 22 dhjetor 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi gjatë zgjedhjes së qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti.