Shkup, 24 korrik – Nëse për BDI-në reformë është që Zejd Rexhepi ta zëvendësoj Artan Grubin duket që nuk e kanë synim reformimin por rifundimin. Dje, në ditën kur Qeveria u kompletua pasi u votuan edhe zëvendës ministrat ka pasur polemika të shumta nga foltorja e Kuvendit mes deputetëve shqiptarë. Fatkeqësisht, blloku opozitar shqiptarë kësaj radhe përbëhet kryesisht nga deputetë papërvojë të duhur me fjalë të tjera nuk shquhen për aktiv e të zëshëm. Tani në mesin e tillë me pak zë reflekton se po bën nam, e pikërisht këtë situatë po e shfrytëzon më së miri ish deputeti i Lëvizjes Besa, ish deputeti i Alternatives, ish deputeti i pavarur, e tani deputet i Frontit Evropian, pra po flasim vetëm për një person por që ka një të kaluar të komplikuar e me shumë kthesa, fjala është për Zejd Rexhepin, shkruan Zhurnal.
Zejd Rexhepi duhet të shpallet “Doctor honoris causa” nga selia e BDI-së–
Mbase është e kuptueshme për deputetin Rexhepi që ta merr fjalën në Kuvend nga pozicioni i deputetit kur mbi të ndodhet ish kryetari i partisë së tij në pozitën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Por, xhelozia nuk ka vend në politikë sepse pastaj humb sensi i politikbërjes, dhe politika nga arenë e shërbimit publik shndërrohet në arenë zilie e lufte për të marrë pozitën e tjetrit.
Pozita e deputetit Rexhepi është e rëndë saqë nuk arrin dot ta menaxhojë as vet ai. E kjo po dëshmohet që i kanë dalë prej kontrollit edhe fjalimet e tij në Kuvend, harron plotësisht votuesit e paktë të tij dhe për një moment shndërrohet në avokat të BDI-së. Mbase, mund ta ketë pritur gjatë këtë moment që të kthehet në gjenezën e tij në shërbim të këtij subjekti politik, por çështja është delikate për faktin se të qenurit anëtarë në një parti politike cila do qoftë ajo është akt legjitim por vetëm se duhet të bëhet publikisht.
Tani me fjalimet e tij të zjarrta në mbrojtje të BDI-së duket që synon titullin Doctor honoris causa nga selia e BDI-së. E nëse pyesim a meriton këtë titull ose çfarë ka bërë që ta meritoj? Përgjigja mund të jetë fare e lehtë. Nëse bëjmë një analizë kronologjike të veprimtarisë së tij politike kuptohet qartësisht që derisa Zejd Rexhepi ka qenë në bllokun opozitar opozita nuk ka arrit dot të bashkohet, në momentin që Rexhepi largohet/përjashtohet nga opozita shpejt, lehtë dhe fare mirë pa kurrfarë pengese bashkohet opozita shqiptare që falë atij bashkimi sot janë pjesë e pushtetit dhe mund të realizojnë premtimet e tyre për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo mund të jetë edhe rastësi, por çfarë do që është tingëllon bukur kur dëgjohet e të bënë të mendosh thellë kur lexohet.
Skandaloze: “nuk kemi nevojë të presim 100 ditë” tha Rexhepi nga foltorja e Kuvendit, por brenda të njëjtit fjalim justifikoi 22 vitet e pushtetit të BDI-së, “punët që nuk janë bërë duhet të bëhen”
Zejd Rexhepi i zemëruar dhe i frustruar me prezencën e VLEN-it në përbërjen e re qeveritare numëron 30 ditët e para të qeverisë dhe kërkon rezultate konkrete për shqiptarët. Skandali më i madh është për faktin që brenda të të njëjtit fjalim me lehtësi dhe thjeshtësi pa kurrfarë pengese justifikon qeverisjen e BDI-së për 22 vite. Pra, në të njëjtin fjalim ai thotë që nuk i presim VLEN-in as të bëhen 100 ditë u kërkon llogari çfarë kanë bërë për 30 ditë, ndërkaq nga ana tjetër për 22 vitet e BDI-së thotë që ato punë që nuk janë bërë duhet të bëhen.
Kjo përpos që është tentim tallje me vetëdijen e qytetarëve është edhe fyese për secilin qytetarë që e dëgjon. Çdokush që ka tentuar të tallet me popullin shqiptarë ka dështuar dhe përgjigjen e merituar ka marr. Mbase, prezenca e Rexhepit nën ombrellën e Ahmetit e bënë të ndihet i sigurt që një mandat deputeti do ta ketë të sigurt kurdoherë, por mundësia për të dalë lirshëm para qytetarëve është e vështirë t’i jepet.
Ai brenda fjalimit të tij përmend vizitën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, në Koliçan në një takim krejtësisht normal dhe si kërkesë e nevojë për mbështetje të qytetarëve të asaj zone, edhe këtë takim e ndërlidh me temën e konsumuar të legjitimitet. Nëse analizohet fjalimi i tij kuptohet qartë që e filloi me shprehjen e zilisë për kryetarit e Kuvendit, Afrim Gashi, vazhdoi me shprehjen e lavdeve dhe rolin e “autoparlantit” të BDI-së, e asesi nuk e harroi kryetarin e ASH-së, Arben Taravari, ta fus pjesë të fjalimit të tij më shumë banal sesa përmbajtësor, për faktin që i gjithë Fronti Evropian kanë urrejtje patologjike ndaj Taravarit, pasi pozicionimi i këtij të fundit i dha kahje dhe orientimin e duhur zhvillimeve politike në vend.
“Atë që se ka bërë BDI-ja, sot do e bëjë Fronti Evropian”
Skandalet e Zejdit brenda atij fjalimi katastrofal nuk kanë të ndalur ai në një pjesë potencoi këtë frazë që “atë që se ka bërë BDI-ja, sot do ta bëjë Fronti Evropian” e kjo është tallje me vetën e tij sepse Fronti Evropian është BDI-ja dhe BDI-ja është Fronti Evropian. Të tjerët janë më tepër si “dekor” për reflektim të një koalicionit multi-etnik e për të cilin u penduan qysh ditën e parë pas zgjedhjeve sepse pritshmëritë ishin tejet të larta.
Pra, nëse Zejd Rexhepi mendon që populli e beson që Fronti Evropian do të bëjë më shumë seç ka bërë BDI e ka gabim, sepse gjithë qytetarët që e votuan Frontin Evropian reflekton që e kanë bërë për BDI-në e asesi për ndonjë subjekt tjetër politik. Pra, të gjithë partnerët e koalicionit i besuan BDI-së dhe mbetet të shihet nëse do t’i besojnë akoma.
Partia që ka udhëhequr 22 vite me vendin kur tani kalon në opozitë ka nevojë të padiskutueshme për reforma. Nëse për këtë parti reformë është që bajrakun e Gurbit ta merr Rexhepi e kanë gabim. Edhe pse Zejd Rexhepi ka shumë të përbashkëta me Artan Grubin. Por, në thelb reforma apo ndryshimi kanë kuptim rifreskimin e partisë me prurje të reja e jo me figura që kanë shërbyer qoftë prej jashtë apo brenda partisë. /Zhurnal.mk