Zelensky: Evropa nuk mund të garantojë sigurinë e Ukrainës pa Amerikën

nga D V

Nëse Donald Trump tërheq mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, Evropa e vetme nuk do të jetë në gjendje të mbushë boshllëkun.

Kështu ka paralajmëruar presidenti Volodymyr Zelensky, në prag të atij që mund të jetë udhëtimi i tij diplomatik më i rëndësishëm që nga fillimi i pushtimi të plotë nga Rusia, tre vjet më parë.

“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, dhe unë them gjithmonë jo”, ka thënë presidenti ukrainas gjatë një interviste për The Guardian në administratën presidenciale në Kiev, përcjell Telegrafi.

“Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, ka shtuar ai.

Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, por skeptikët kanë frikë se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të përfshijë detyrimin e Ukrainës që të kapitullojë ndaj kërkesave maksimaliste të Vladimir Putinit.

E Zelensky tha se ishte gati për të negociuar, por donte që Ukraina ta bënte këtë nga një “pozitë e forcuar” dhe tha se do t’u ofronte kompanive amerikane kontrata fitimprurëse rindërtimi dhe koncesione investimesh në përpjekje për të “tërhequr” Trumpin.

“Ata që po na ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të [kanë mundësinë ta] rinovojnë atë, me bizneset e tyre së bashku me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm t’i flasim në detaje”, tha ai.

Zelensky do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih më vonë këtë javë, ku ai pret të takojë zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, të cilin The Guardian e vlerëson si “një nga më armiqtë ndaj Ukrainës në rrethin e brendshëm të Trump”.

Siç thekson The Guardian, në konferencën e vitit të kaluar, Vance, në atë kohë senator, refuzoi të takonte Zelenskyn dhe ai më parë ka thënë se nuk i intereson vërtet se çfarë ndodh me Ukrainën, në një mënyrë apo në tjetrën.

Zelenskyy gjithashtu planifikon të takojë anëtarë të tjerë të ekipit të Trump, si dhe senatorë me ndikim në Mynih, por “ende nuk ka një datë” për ta takuar vetë Trumpin, tha ai, megjithëse ekipi i tij po punon për të rregulluar një të tillë.

Trump tha gjatë fundjavës se ai “ndoshta” do të takonte Zelenskyn këtë javë dhe është e mundur që presidenti ukrainas të mund të fluturojë në Uashington nga Mynihu.

“Ne shpresojmë që ekipet tona të caktojnë një datë dhe një plan takimesh në SHBA; sapo të merret vesh ne jemi gati, unë jam gati”, ka thënë më tej ai.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More