Inkursioni ushtarak i Ukrainës në Kursk synon të krijojë një “zonë tampon” për të parandaluar sulmet ndërkufitare nga forcat e Moskës.
Kështu ka thënë të dielën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa trupat e tij hodhën në erë një urë të dytë në rajonin kufitar rus, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Forcat ukrainase po shkojnë përpara në Kursk mes luftimeve pas nisjes së operacionit të tyre ushtarak të befasishëm atje gati dy javë më parë.
Ofensiva e Kurskut e ka lënë Rusinë të përballet me vështirësi për të mbrojtur territorin e saj.
Dhe një ndihmës presidencial ukrainas tha se inkursioni – ndër tjerash – kishte për qëllim sigurimin e një procesi negocimi “të drejtë”.
Për herë të parë, Zelensky deklaroi të dielën ambiciet strategjike të operacionit, duke thënë: “Tani është detyra jonë kryesore në operacionet mbrojtëse në përgjithësi: të shkatërrojmë sa më shumë potencialin luftarak rus dhe të kryejmë veprime maksimale kundërsulmuese”.
Ato përfshijnë “krijimin e një zone tampon në territorin e agresorit”, tha presidenti në fjalimin e tij të fundit.
“Gjithçka që i shkakton humbje ushtrisë ruse, shtetit rus, kompleksit të tyre ushtarako-industrial dhe ekonomisë së tyre, ndihmon në parandalimin e zgjerimit të luftës dhe na afron drejt një fundi të drejtë të këtij agresioni”, tha Zelensky.
Baza e Kievit në Kursk po “bëhet më e fortë” me trupat që përforcojnë pozicionet e tyre, sipas Zelensky. Kievi thotë se kontrollon rreth 1,000 kilometra katrorë të territorit rus dhe si Rusia ashtu edhe Ukraina u kanë kërkuar banorëve që të evakuohen nga zonat ku luftimet e ashpra po vazhdojnë.
Si pjesë e përpjekjeve për të gjymtuar aftësitë logjistike të Moskës dhe për të ndërprerë rrugët e furnizimit, forcat ukrainase thanë të dielën se hodhën në erë një urë tjetër mbi lumin Seym në rajonin Kursk, me “sulme ajrore precize”.
Sulmi vjen dy ditë pasi forcat ukrainase shkatërruan një urë të parë mbi Seym.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Ukraina kishte përdorur raketa perëndimore për të kryer atë sulm, të cilat me gjasë ishin HIMARS të prodhuara nga SHBA.