Në një postim në “Facebook” ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se sot ka nënshkruar aprovimin edhe për dy udhërrëfyes të rinj klinikë.
Sipas tij, dy udhërrëfyesit e nënshkruar janë Udhërrëfyesi për diagnostikimin dhe menaxhimin e tuberkulozit ekstrapulmonar dhe Udhërrëfyesi klinik për menaxhimin e infeksionit latent të tuberkulozit.
Zemaj theksoi se këta udhërrëfyes do t’u shërbejnë profesionistëve të tri niveleve të kujdesit shëndetësor që të bëjnë menaxhimin më të mirë të infeksioneve me tuberkuloz, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi.
“Me këta dy udhërrëfyes klinikë të aprovuar sot numri i tyre ka arritur në 19. Prej fillimit të hartimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, MSH-ja ka hartuar dhe aprovuar gjithsej 8 udhërrëfyes klinikë, ndërsa vetëm gjatë mandatit tim janë hartuar dhe aprovuar 11 udhërrëfyes klinikë. Falënderoj grupet punuese për hartimin e udhërrëfyesve klinikë, Komisionin për Vlerësim dhe Këshillin Kosovar për Udhërrëfyes dhe Protokolle Klinike për punën e tyre në nxjerrjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme për menaxhimin klinik të sëmundjeve të ndryshme”, ka shkruar Zemaj.
Po ashtu Zemaj theksoi se sot është formuar edhe grupi punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të lëmenjve gjegjës.
“Ky është një hap para për fuqizimin e menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit COVID-19.
Presim që grupi punues brenda afateve të përcaktuara ligjore ta finalizojë protokollin në fjalë”, ka shkruar ai.