Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Zëri i Amerikës: Biden nxjerr emrat e parë të stafit, kush janë ish-zyrtarët e administratës Obama që i bashkohen në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden i shtoi stafit të ndihmësve kryesorë katër ish-zyrtarë të administratës Obama-Biden, ndërsa vazhdon punën për formimin e ekipit të tij të Shtëpisë së Bardhë.

Cathy Russell, ish-shefe e stafit të zonjës Jill Biden gjatë administratës Obama, do të shërbejë si drejtore e Zyrës së Personelit Presidencial në Shtëpinë e Bardhë, që merret me vlerësimin e aplikantëve për role të ndryshme brenda administratës. Louisa Terrell, ish-këshilltare legjislative e presidentit në administratën Obama dhe ish-zëvendës shefe e stafit të zotit Biden në Senat, do të jetë drejtore e Zyrës së Çështjeve Legjislative të Shtëpisë së Bardhë. Ajo është tashmë pjesë e ekipit të tranzicionit dhe merret me marrëdhëniet me Kongresin.

Carlos Elizondo, ish-sekretar i çështjeve sociale për zonjën Jill Biden gjatë administratës Obama, do të jetë në të njëjtin rol, sekretar social për zonjën e parë. Ndërsa Mala Adaga do të shërbejë si drejtoreshë e politikave për zonjën Biden. Zonja Adaga më parë ka punuar si drejtore për arsimin e lartë dhe familjet e ushtarakëve në Fondacionin Biden, prandaj roli i saj i ri është një tregues për fushat ku mund ta përqëndrojë aktivitetin e saj zonja Biden.

Njoftimet vijnë vetëm disa ditë pasi Presidenti i zgjedhur Biden bëri të ditur emrat e atyre që do të jenë këshilltarët e tij më të ngushtë në stafin e lartë të Shtëpisë së Bardhë. Mes tyre janë Jen O’Malley Dillon, që do të shërbejë si zëvendës shefe e stafit dhe kongresmeni Cedric Richmond si drejtor i Zyrës së Angazhimit Publik në Shtëpinë e Bardhë. Në fund të javës së kaluar, zoti Biden njoftoi se ndihmësi i tij i vjetër Ron Klain do të jetë shefi i tij i stafit.

Megjithëse këto njoftime krijojnë një ide për ekipin e Shtëpisë së Bardhë që zoti Biden po fillon të ndërtojë, ai ende nuk ka caktuar dikë në rolin e koordinatorit për COVID-in, as individët në rolet kryesore të komunikimit me publikun. Ekipit të tij do t’i duhet të bëjë mijëra emërime të tjera në stafin e administratës së ardhshme që do të nisë punën në janar. Aktualisht, ekipi është duke shqyrtuar aplikimet dhe po lidhet me kandidatët e mundshëm për rolet kryesore.

Zoti Biden ka dhënë shenja se planifikon të bëjë disa nga emërimet për kabinetin e ri rreth Ditës së Falënderimeve dhe tha të enjten se tashmë ka marrë vendim se cili do të jetë Sekretari i tij i Thesarit./ VOA

Postime të ngjashme

Bombardohet një treg në një qytet në Etiopi, 43 njerëz u vranë dhe 33 janë zhdukur

Dafina Vidishiqi

Avokatët e Navalnyt publikuan ​​detaje të vendimit mbi ekstremizmin

Dafina Vidishiqi

Izraeli paralajmëron masa për shkak të variantit Delta

Dafina Vidishiqi

Përgjaket mbledhja e prindërve me zyrtarët e arsimit në Virginia

Dafina Vidishiqi

Blinken: Rrjedha Veriore 2, një projekt gjeopolitik rus

Dafina Vidishiqi

Izetbegoviq i thotë Vuçiqit: Kosova dhe Republika Serbe nuk mund të krahasohen, ju kryet gjenocid në Kosovë

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...