Gjenevë, 13 nëntor – Zv. Ministrja e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, mori pjesë në konferencën e organizuar nga UNECE për Transportin në hapësirat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Në fjalimin e saj, ajo prezantoi gjendjen aktuale të sektorit hekurudhor në Maqedoninë e Veriut dhe theksoi hapat e rëndësishëm që qeveria ka ndërmarrë për përmirësimin e këtij sektori strategjik, përfshirë projektet prioritare si Korridori 8 dhe lidhjen e drejtpërdrejtë hekurudhore me Bullgarinë.
“Përkushtimi ynë si qeveri është për ta avancuar transportin hekurudhor si një shtyllë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të forcuar lidhjet rajonale,” deklaroi znj. Zekolli Shaqiri. Ajo shprehu gjithashtu vlerësimin për profesionalizmin dhe ekspertizën e delegacioneve të pranishme, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për përparimin e mëtejshëm në këtë sektor.
“Pjesëmarrja e znj. Zekolli Shaqiri në këtë konferencë është pjesë e përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për të forcuar pozicionin e saj në rrjetin e transportit evropian dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal”, thonë nga kabineti i zv.ministres Zekolli-Shaqiri.