Shkup, 27 shkurt – Zëvendëskryetari i Qytetit të Shkupit, Aleksandar Trajkovski përmes një postimi në Fejsbuk ka bërë të ditur se jep dorëheqje të parevokueshme nga detyra.
Dorëheqjen, siç thekson ai e bazon për shkak të jokonzistencës së politikave publike, jokonzintencës në departizimin e ndërmarrjeve publike, jokonzistencës në emërimin e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, për shkak të braktisjes së plotë të programit për një Shkup modern, për shkak të mungesës së idesë për t’u ballafaquar me problemet e qytetit dhe komunave, për shkak të llogarive politike me të gjithë kryetarët e komunave, përveç Sarajit dhe kundërshtarët.
“Sipas obligimeve dhe autorizimeve që nuk lejon Rregullorja e punës së Këshillit të Qytetit të Shkupit, vazhdimisht jam përpjekur të propozoj zgjidhje konstruktive. Fatkeqësisht, me hidhërim dhe zhgënjim mund të them vetëm se asnjë nga propozimet e mia nuk u pranua apo u zbatua. Nuk e kam shkelur asnjëherë rregulloren e punës dhe kam luftuar kur kolegët e tjerë e kanë bërë këtë me vetëdije apo pa vetëdije. Luftova me zell për miratimin e buxheteve vjetore të qytetit dhe programeve të ndërmarrjeve publike, negociova, debatova dhe me argumente kam bindur kolegët këshilltarë për të mbështetur dhe votuar programet e propozuara dhe pikat rreth buxhetit. Të më kishte thënë atëherë dikush se unë po i bëj të gjitha këto që Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrjet publike të menaxhohen dhe të sundoj një ekip i Sarajit dhe BDI-së do ta refuzoja menjëherë”, ka shkruar Trajkovski në një status të gjatë në Fejsbuk.
Trajkovski, siç thotë ai, nuk pranon të jetë zëvendëskryetar vetëm i Sarajit dhe as që Qyteti të plotësojë vetëm nevojat e ekipit të Sarajit.
Ndërkohë, Qyteti i Shkupit në demantin dërguar mediave thekson se Trajkovski është shkarkuar tre muaj më parë, më 19 dhjetor të vitit të kaluar.
“Është e paqartë nga cila pozitë jep dorëheqjen ky person. Trajkovski u shkarkua nga detyra për shkak të dëmtimit të reputacionit të Qytetit të Shkupit, moskryerjes së detyrës dhe moskryerjes së funksionit të nënkryetarit të komunës. Konkretisht ky person nuk ka pasur gjithsej 3 minuta aktive në pozicionin e tij. Kërkesa e vetme e këtij personi për të cilën ka dijeni administrata e qytetit është dëshira e tij për të marrë një zyrë, automjet zyrtar dhe telefon zyrtar. Ky person nuk ka pasur asnjë komunikim tjetër, aq më pak sa i përket kontributit aktiv në punën e qytetit, në dy vitet e fundit”, thuhet në reagimin nga Qyteti i Shkupit.
Ata kanë mohuar edhe akuzat e Trajkovskit për ndikim nga BDI, ndërsa për dorëheqjen e Trajkovskit ka reaguar edhe VMRO-DPMNE duke vlerësuar se dorëheqja nuk është pasojë e revoltës së tij ndaj “miqve të Arsovskës”, por ndoshta arsye janë interesat e parealizuara biznesore të interesave rreth Danella Arsovskës.