Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, prioritet janë regjistrimi dhe zgjedhjet lokale

Shkup, 11 shkurt – Kryeministri Zoran Zaev dje edhe një herë e përsëriti qëndrimin se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Ajo që duhet të bëhet, tha Zaevi, është regjistrimi, ndërsa prioritet janë edhe zgjedhjet e rregullta lokale.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nuk do të ndryshojnë asgjë, vetëm mund t’i frenojnë proceset zhvillimore të shtetit, vlerësoi kryetari i Qeverisë dhe porositi se zgjedhje duhet të ketë brenda opozitares VMRO-DPMNE, siç ka në LSDM. Vendi tani, potencoi, duhet të përqendrohet në regjistrim dhe ta realizojë atë pa shtyrje, prej 1 deri më 21 prill siç është paraparë, sepse në verë, theksoi, askund nuk bëhet regjistrim, në shtator do të ketë fushatë për zgjedhjet lokale, ndërsa në tetor janë zgjedhjet lokale.

Por, nëse eventualisht partitë merren vesh, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i gatshëm t’i realizojë dy proceset – edhe zgjedhjet e rregullta lokale edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Siç vlerësoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, kjo do t’i shkurtonte shpenzimet.

“Them se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk e di se cilët kozmonautë shohin nga Hëna dhe si do të ndodhë, por unë them se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk i sjellin asgjë të mirë vendit. Në fakt, edhe nëse ka, nuk do të ndryshojnë asgjë, vetëm mund t’i frenojnë projektet zhvillimore”, tha Zaevi, sipas të cilit zgjedhjet duhet, janë të nevojshme dhe do të ndodhin në periudhën e vitit 2024, përcjell Zhurnal.mk

Vendi ynë ka kaluar nëpër disa faza të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vetëm kemi humbur prej tyre.

“Kur kemi zgjedhje të parakohshme, gjithçka në vend ndalet, kryesisht ekonomia. Kanë ndodhur gjëra të mëdha në vend me vendime serioze historike dhe e gjitha është për shkak të së ardhmes së bukur ekonomike që duam të përjetojnë qytetarët tanë. Standard më i lartë ekonomik, paga më të larta, vende të reja pune, ngritja e përgjithshme e bruto prodhimeve në vend, investime të reja dhe jetë të re më cilësore. Për gjithë këtë duhet të punojmë së bashku për ta arritur rezultate. Kurse mund t’i ndërpresim me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pse , pyeti Zaevi.

Ai nënvizoi se zgjedhje duhet të ketë, por të rregullta.

“Nëse do të mbaheshin zgjedhje tani, ne do të kemi 50 deputetë në vend të 46, VMRO-DPMNE do të ketë 40 deputetë dhe ndoshta do të jetë më e lehtë për mua si kryeministër, por vendi do të humbasë të paktën gjashtë muaj”, tha Zaevi.

Sa i përket zërave për shumicë të re në Kuvend, kryeministri theksoi nëse dikush do të shkojë me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski varet nga ajo se në cilat angazhime beson.

“Nëse dikush do të shkojë me zotëri Mickoskin, varet nëse ai beson në qëndrimet për të cilat ai zotohet, të cilat janë bllokim, zemërime, vonesa, frenime apo të ngjashme dhe pasojat dhe lidhjet e regjimit. Cili nga partnerët e koalicionit të Zaevit beson në këtë? Le ta thotë. Nuk ka diçka të tillë. Në të njëjtën kohë, nëse partnerët e tij të koalicionit dhe deputetët besojnë në politika dhe projekte të tilla është gjithashtu një garanci se dikush do të kalojë nga opozita në shumicën në pushtet. Nga kjo varet nëse deputetët do ta lënë qeverinë për opozitë apo opozitën për pushtetin”, tha Zaevi.

Duke folur për zgjedhjet lokale, kryeministri theksoi se disa nga kryetarët aktualë të komunave mund përsëri të kandidohen. Ai personalisht, tha, do të qëndrojë pas kandidaturave të tyre.

“LSDM do të dalë me kandidatët më të mirë të mundshëm. Unë personalisht kam qëndrimet e mia. Atë që mund ta them për momentin është që personalisht si kryetar i LSDM-së do të qëndroj pas disa kandidatëve për shkak të asaj që kam përshtypje time personale, që nuk domethënë se do të jetë edhe vendim përfundimtar sepse kemi përcaktime të qarta edhe sipas statutit se si bëhet kjo”, tha Zaevi.

Jashtëzakonisht i kënaqur, është nga puna e kryetarëve të Vallandovës, Bogdancit, Demir Kapisë, Konçes, Koçanit, nga kryetarit të ri të Shtipit, i Nagoriçanit të Vjetër, Krushevës, Mavrovë Rostushë…

“Me siguri ka edhe komuna të tjera. Por, ai është vetëm qëndrimi im personal. Këtë e them që t’i inkurajoj që të vazhdojnë të punojnë me sukses, por edhe që të dërgoj porosi për të gjithë që t’i premtojnë premtimet e tyre të programit të cilat i kanë dhënë”, tha kryeministri  dhe lideri i LSDM-së, Zaev.

Ai gjithashtu tha se procedurat për përzgjedhjen dhe zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale në LSDM do të zhvillohen në maj dhe qershor dhe se atëherë vendimet përfundimtare do t’i sjellin organet e partisë, për ata kandidatë të cilët do të jenë nga LSDM-ja.

Zaevi potencoi se vendimin përfundimtar megjithatë e kanë qytetarët në zgjedhje.

Në lidhje me regjistrimin, përkujtoi se ai është detyrim qytetar, por edhe nevojë e madhe për zhvillim të mëtutjeshëm të shtetit, i bazuar në numra dhe tregua realë. Nëse jemi shtet, potencoi, atëherë ashtu edhe duhet të sillemi. Në Maqedoni të Veriut, përkujtoi, 20 vite nuk ka regjistrim.

“Punojmë këtu në Qeveri, në komuna, kryetarët e komunave, të gjitha ndërmarrjet publike shtetërore dhe lokale, të gjitha firmat private, e madje edhe i gjithë populli ynë në mjegull, në errësirë. Nuk i dimë numrat, nuk e dimë se sa jemi, ku jemi të shpërndarë, si jemi të vendosur, cilat janë parametrat industrialë, cilat janë burimet themelore dhe ku kjo jep indikacione serioze për maksimalizim të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të shtetit. Regjistrimi është operacion statistikor të cilin duhet ta bëjmë, ai është detyrim yni. Regjistrimi është prej 1 deri më 21 prill siç është paraparë edhe ai duhet të përfundojë. Edhe pse u bë thirrje se a duhet diçka të ndryshojë, edhe një herë përsëris – gjatë verës askund nuk bëhet regjistrim, në shtator ka fushatë për zgjedhje, në tetor janë zgjedhjet e rregullta lokale. Nëse e shtyjmë, kur? Deri në maj ta shtyjmë? Çka do të ndryshojë kjo? Kështu që duhet të përqendrohemi të gjithë me përgjegjësi të dalim ta përfundojmë regjistrimin”, theksoi kryeministri, përcjell Zhurnal.mk

Zaevi shtoi se janë të hapur për të gjitha çështjet që përgjatë dialogut të zgjidhen punët dhe se është mirë sa herë të ndërtohet konsensus aty ku është e mundshme.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin se pozita regjistrimin e sheh si operacion politik i cili është edhe marrëveshje politike dhe jashtë standardeve të BE-së. (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Thyhen disa drunj në stadiumin e Tetovës, kërkohen autorët

Z H

Xhaferi-Gërvalla Shvarc: Intensifikim i politikave dhe marrdhënieve ekonomike Maqedoni – Kosovë

Z H

Pendarovski nuk do t’i nënshkruajë ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Z H

Ambasadori çek Toman vizitoi Ministrinë e Bujqësisë

Z H

Zaev: Parlamenti ta mbështesë reformën e administratës

Z H

17 të shëruar dhe 74 raste të reja me Covid, vdesin dy pacientë

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...