Shkup, 20 janar – Shumica e brishtë parlamentare, mungesa e deputetëve në seanca plenare, si dhe gjendja me KOVID-19, imponojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Koha më e përshtatshme për mbajtjen e tyre është muaji Tetor, kur pritet të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta lokale. Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Zhidas Daskalovski mendon se shumica e tanishme parlamentare do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, vetëm nëse anketat e nxjerrin atë favorit.
“Në Maqedoni kemi pasur situata të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kur kanë vlerësuar elitat politike se duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentra. Tash kemi edhe një moment të ri politik, vështirësitë që Paralamenti të sigurojë numrat e nevojshëm për punë, në kushte kur shumica parlamentare është tepër e hollë. Kjo pamundëson shumicën parlamentare që të sigurojë edhe korum. Nëse vlerësojnë se qëndrojnë mirë në terren partitë e shumicës parlamentare dhe në anketa kanë ndonjë epërsi, mund të organizojnë edhe zgjedhje të parakoheshme parlamentare bashkë me ato lokale”, deklaroi për Zhurnal, Daskalovski.
Ai potencon se nëse partitë në pushtet vendosin të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, koalicioni i tanishëm në pushtet do të hynë me intencën që të sigurojë numrat e nevojshëm në Parlament që të mos ketë problem në të ardhmen në inicimin dhe miratimin e ligjeve.
Ndërkohë, Zhurnal mëson se edhe në dy partitë kryesore politike në pushtet LSDM-në e Zoran Zaevit dhe BDI-në e Ali Ahmetit po mendohet seriozisht për këtë opsion. Në anën tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE dhe koalicioni ASH-AAA ka kohë që po i kërkojnë pushtetit “mejdan” elektoral. (Zhuranl.mk)