Zgjedhjet e qershorit në Parlamentin Evropian shpresë për Ballkanin Perëndimor!

nga I.A

Shkup, 17 maj – Qytetarët e Bashkimit Evropian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për t’i zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian për pesë vjetët e ardhshme. Parlamenti Evropian është njëri prej tre institucioneve kryesore të BE-së që e udhëheqin bllokun e 27 vendeve. Së bashku me qeveritë e BE-së, ai vendos për ligjet në lidhje me politikat e përbashkëta evropiane dhe për tregun e BE-së që ka gati 450 milionë njerëz. Këto procese të brendshme në BE ndikojnë dukshëm edhe në politikat e jashtme të BE-së në raport me zgjerimin posaçërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Zhurnal.

Varhej: deri në 2027 i gjithë Ballkani gati për BE –

Deri në vitin 2027 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe për këtë nuk duhet të ketë më justifikime, thotë komisionari europian i zgjerimit Oliver Varhej.

Paralajmëroi, se pas zgjedhjeve në BE, Komisioni i ardhshëm Evropian të jetë ai që do ta zgjerojë edhe më shumë Bashkimin Europian.

Këto fjalë Varheji i tha para liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve ishte edhe kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili tha se Qeveria që e drejton, mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të agjendës evropiane dhe se shpreson që kështu të vazhdojë edhe qeveria e ardhshme.

Në Samitin rajonal të liderëve në Kotor, që këtë vit u mbajt me moton “Një rajon, vizion i përbashkët”, i pranishëm ishte edhe ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit, Xhejms O’Brajan, i cili tha se SHBA-të duan ta shohin Evropën, të plotë, të lirë dhe në paqe.

Kjo deklaratë e Varhej është shpresë aktive për vendet kandidate për BE nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, e sidomos për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që kanë bërë shumë për të arritur në këtë ditë e moment historik për vendin.

Sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Vendet e mbuluara nga sondazhi ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Në pyetjen se a do e mbështesnin anëtarësimin në BE nëse një referendum do të mbahej sot, siç thuhet në sondazhin e IRI-it, shumica dërmuese në pesë nga gjashtë vendet u përgjigjën që do të votonin për t’iu bashkuar aleancës, duke filluar me 68% në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje-Hercegovinë deri në 92% në Shqipëri. Në Serbi, një shumësi prej 40% mbështesin anëtarësimin në BE.

Maqedonia e Veriut gjatë kohë më parë ka marrë statusin shtet kandidat për BE –

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.

Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.

Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare e ka të vështirë t’i sigurojë, pasi opozita maqedonase kundërshton ashpër e opozita shqiptare ka vendosur dy kushte. Përmes këtij plani arrihet marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por esenciale janë ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More