Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Zgjedhjet Lokale / Kur dy zihen, i treti fiton !

Editorial, Agjenca e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 5 prill – Me marrëveshjen Zaev – Mickoski u vendos që pasi të përfundojë procesi i regjistrimit të popullatës i cili u shty për muajin shtator të mbahen zgjedhjet lokale në pjesën e dytë të muajit tetor. Ku afat i definuar ka bërë që partitë politike të fillojnë intensivisht përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme komunale. Por, dilema është se nëse janë të gatshme dhe kanë fytyrë të zbardhur kryetarët aktual të dalin e të kërkojnë sërish vota.

Me çfarë do të lavdërohen kryetarët e komunave?

Mandati katërvjeçar i kryetarëve të komunave përfundon në muajin tetor të këtij viti. Shumë prej kryetarëve aktual kërkojnë që të rikandidohen, edhe pse pak prej tyre kanë përmbushur pritshmëritë. Ligji nuk e kufizon se sa herë një person mund të zgjidhet kryetar komune, kështu që çdonjëri që është i interesuar për të qenë kryetar, do të mundohet që t’i fitojë zgjedhjet.

Kryetarët aktual të komunave nuk kanë edhe shumë fakte të begata me të cilat do të mund të lavdërohen. Nëse lëviz nëpër komunat shqiptare do të ballafaqohesh me halle të mëdha të banorëve, duke filluar nga çështjet jetike elementare. Qytetarëve u mungon ujë i pijshëm, kanalizim, asfaltim i rrugëve, kopshte për fëmijë, parkingje, gjelbërim…

Qytetarët fatkeqësisht po vuajnë nga mafia urbane, e cila në shumë komuna po ndërton pa asnjë përgjegjësi, asnjë plan dhe pa respektuar asnjë standard të urbanizimit. Ndërtesa të mëdha që hypin mbi shtëpitë e vogla, pa pasur kujdes për privatësinë e banorëve dhe pa respektuar distancën e nevojshme.

Problemet me parkingjet dhe gjelbërimin janë më të mëdha se sa mund të imagjinohet. Shpeshherë ndodhë edhe deri te përleshja dhe grindja midis qytetarëve për një vend parkingu, ndërsa ata më të fortit i bllokojnë parkingjet pa pyetur askënd.

Rrugët me gropa janë torturimi më i madh që iu bëhet qytetarëve. Ata çdo vit paguajnë për mirëmbajtjen e rrugëve, por gropat qëndrojnë me vite të tëra duke i dëmtuar rëndë makinat. Askush nuk merr përgjegjësi për këtë gjë, por secili kryetar arsyetohet se nuk ka buxhet, nuk ka para…

Nëpër disa komuna ka edhe përmirësime. Vërehet se ka përmirësim të nivelit të pastërtisë, por ende duhet të punohet në vetëdijen e qytetarëve se mbeturinat nuk guxon të hidhen vend e pa vend. Nëpër disa komuna urbane janë ndërtuar shtigje për biçikleta, por kjo është vetëm një fazë fillestare, sepse për të rritur qarkullimin me biçikleta duhet sistem i mirëfilltë.

Janë ndërtuar edhe bulevarde dhe janë zgjeruar rrugë, që është një hap për t’u vlerësuar, por sërish problemet dhe hallet e qytetarëve janë më të mëdha se puna që është bërë.

Forca në zgjedhjet lokale ndryshon nga ajo në zgjedhjet parlamentare

Partitë politike do të mundohen t’i masin forcat në zgjedhjet lokale dhe varësisht nga rezultatet do të ndërtojnë strategjinë për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Rezultati në zgjedhje lokale shpeshherë di të jetë surprizë dhe i ndryshëm nga zgjedhjet parlamentare.

BDI në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte fituar 15 deputetë, ndërsa ASH dhe Alternativa 12 deputetë. Ky rezultat është një tregues që jep shpresë te opozita se kësaj radhe mund të fitojë më shumë komuna. Nëse votat e fituara për deputetë shndërrohen në kryetarë të komunave, atëherë thuajse BDI-së mund t’i përgjysmohen komunat. Kjo do të varet edhe nga lojërat politike që do t’i bëjnë partitë në prag të zgjedhjeve. Kush me kë do të koalicionoj dhe çfarë kandidatë do të kandidojnë.

Qytetarët në zgjedhjet lokale përveç se votojnë për partinë që e preferojnë, për ata është shumë i rëndësishëm edhe autoriteti i personit që kandidon, afërsia me qytetarët, vendosshmëria për të zgjidhur çështjet, angazhimi në komunitet, menaxhim i duhur etj.

Të gjitha këto cilësi duhet t’i kenë parasysh partitë politike gjatë nominimit të një kandidati për kryetar komune. Kërkesat janë që të gjithë kryetarët aktual të rikandidohen, por shtrohet dilema nëse kjo do të ndodhë dhe do të jetë zgjidhja adekuate për partitë politike.

Përçarjet brenda partive mund t’i ndryshojnë numrat

Më e rrezikuara në zgjedhjet e ardhshme lokale është BDI, tek e cila janë shfaqur përçarje dhe pakënaqësi që nga zgjedhjet e fundit parlamentare. I ashtuquajturi “grupi i zjarrit” kërkon që brenda BDI-së të respektohet vullneti i votuesve që do të thotë se duhet të respektohen ata politikanë që e kanë përkrahjen  dhe respektin e votuesve. Këtu dalin në skenë dhe janë më të rëndësishëm kryetarët e komunave, të cilët janë më afër popullit se sa vetë ministrat ose deputetët. Forca e kryetarëve të komunave është shumë më e madhe, e aktualisht nga grupi që kërkon të respektohet vullneti i votuesve të BDI-së, janë thuajse katër komuna të mëdha. Në krye të saj është deputeti Izet Mexhiti, i cili për tre mandate ka udhëhequr me komunën e Çairit, e i cili ende konsiderohet si ndër më të respektohet brenda votuesve të BDI-së. Pjesë e këtij grupi është edhe Blerim Bexheti, kryetar i Sarajit, ndërsa çdo pakënaqësi tjetër nga mos kompromisi brenda BDI-së mund të ketë dridhje serioze edhe në komunën e Likovës, Tetovës, Kërçovës dhe Strugës. Nëse përçahet vota brenda BDI-së, atëherë shanset që këto komuna të kalojnë në dorën e opozitës janë shumë të mëdha.

Përndryshe, është fakt se virusi COVID 19 e ka rënduar punën e komunave, por kjo në asnjë mënyrë nuk është arsyetim për dështimet e shumta me të cilat janë ballafaquar qytetarët.

Çdo kryetar komune ka shumë projekte të mëdha që ende nuk janë parealizuar, qoftë tunele, qoftë parkingje në kate, ujësjellës, kanalizim, pastërti por qoftë edhe zhdukje të deponive. Qytetarët e dinë mirë se çfarë kanë premtuar dhe çfarë kanë realizuar kryetarët e tyre. Prandaj me votën e tyre ata duhet t’iu kërkojnë llogari kryetarëve të tyre.

Postime të ngjashme

Shkupjani privohet nga liria për kontrabandim të emigrantëve

R Zh

Regjistrimi në Diasporë dukshëm më i ulët se sa ai para vendimit për shtyrje, kush i dëshpëroi!

R Zh

Mungesa e vaksinave ndërpret edhe fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinim

R Zh

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuhanë

R Zh

Sot 46 viktima dhe 687 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

R Zh

Qeveria demanton Milloshoskin: Zaevi dhe Spasovski nuk u kanë dhënë pasaporta pjesëtarëve të ISIS-it

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...