Zgjedhjet parlamentare 2025, Begaj dekreton datën 11 maj

nga D V

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nxori sot dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në datën 11 maj 2025.

Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.

Presidenca bën të ditur në një njoftim për shtyp se, shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.

Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet.

“Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cenon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore”, thekson Presidenca.

“Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.

Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

“Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik.

Për këto arsye Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, përfundon njoftimi i Presidencës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More