Zhgënjim dhe frikë mes aleatëve amerikanë që përpiqen të largohen nga Afganistani

leatët e Shteteve të Bashkuara në NATO po përpiqen të evakuojnë qytetarët e tyre nga Afganistani pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga vendi dhe rënies së qeverisë afgane. Shumë zyrtarë evropianë kanë shprehur frikën se ardhja e talebanëve në pushtet do të rrisë rrezikun e terrorizmit dhe do të shkaktojë një fluks të ri refugjatësh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra.Britania dhe aleatët e tjerë të NATO-s filluan të dielën evakuimin e qytetarëve të tyre nga Afganistani, së bashku me qindra qytetarë afganë që punuan me ta.

Në vitin 2001 Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja pushtuan Afganistanin. Dy vjet më vonë NATO-ja mori kontrollin e Forcës së Ndihmës së Sigurisë Ndërkombëtare në Afganistan. Përveç humbjeve në mesin e ushtrisë amerikane, qindra trupa të NATO-s janë vrarë gjatë konfliktit 20 vjeçar.

Në një konferencë shtypi të martën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg fajësoi udhëheqjen politike të Afganistanit për kapitullimin ndaj talebanëve.

“Përfundimisht, udhëheqja politike afgane dështoi para talebanëve dhe në arritjen e zgjidhjes paqësore që dëshpërimisht dëshironin afganët”.

Dështimi mund të ketë ndërlikime më të gjera për aleancën, thotë për Zërin e Amerikës analistja Natasha Lindstaedt.

“Mendoj se NATO-ja mund t’i kufizojë objektivat e saj, thjeshtë të ketë rol frenues dhe të ruajë stabilitetin, në vend të përfshirjes në këto ndërhyrje të mëdha.”

Sekretari britanik i mbrojtjes fajësoi marrëveshjen e vitit 2020 të arritur me talebanët, nga presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump, për rënien e qeverisë afgane.

“Marrëveshja u bë direkt me talebanët dhe nuk përfshiu qeverinë afgane, kështu që minoi në mënyrë fatale qeverinë. Për ne si partnerë ndërkombëtarë ishte e pakëndshme, sepse ishim vendosur atje në kuadër të Amerikës. Nuk ishim dislokuar në mënyrë të njëanshme. Kur amerikanët ndryshuan këtë kornizë, ne duhej të largoheshim”, thotë Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace.

Të shumta kanë qënë kritikat për mënyrën e tërheqjes amerikane.

“Ishte shumë e papritur, e pa koordinuar dhe nuk pati shumë konsultime nga administrata Biden me aleatët e NATO-s”, thotë për Zërin e Amerikës analistja Natasha Lindstaedt.

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se rënia e qeverisë afgane do të ketë “pasoja të mëdha për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”.

“Grupet terroriste janë të pranishme në Afganistan dhe kërkojnë të përfitojnë nga destabilizimi”.

Ky kërcënim shtrihet përtej rajonit dhe ka ndikime në luftën globale kundër terrorizmit, thonë analistët.

“Mendoj se ndjenja e fitores padyshim që do të qarkullojë nëpër mendjet e xhihadistëve në të gjithë botën. Ata do të thonë se fitorja është e arritshme. Kjo nuk është një luftë e pashpresë, vazhdoni luftën, përmbajuni besimeve tuaja dhe 20 vjet më vonë, mund ta fitoni këtë luftë. Mendoj se kjo ndjenjë fitoreje do t’i shoqërojë ata për pak kohë në të ardhmen”, thotë Raffaello Pantucci me Fakultetin S. Rajaratnam për Studime Ndërkombëtare.

Udhëheqësit evropianë kanë paralajmëruar gjithashtu për një fluks të ri refugjatësh afganë. Disa mijëra azilkërkues afganë mbeten të bllokuar në ishullin grek të Lesbos. Ata protestuan të hënën kundër rikthimit të talebanëve në pushtet.

“Çfarë do të ndodhë tani në Afganistan për brezin e ri? Per femijet? Për të drejtat e grave? Çdo gjë është shkatërruar nga talebanët”, thotë një refugjate afgane në ishullin grek Lesbos.

Pyetje që mbeten pa përgjigje, ndërsa vendet perëndimore nxitojnë të largohen dhe talebanët rimarrin frenat e pushtetit në Afganistan./woa

Related posts

SHBA-ja dhe Rusia diskutojnë për programin bërthamor të Iranit

D V

Bashkimi Evropian për qëndrim pragmatik ndaj talebanëve

D V

Kina garanton sigurinë e centralit bërthamor të Taishan-it

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More